Nga gjithë mallkimet e djeshme të Sali Berishës dhe rolin e tij si “kasandër” për të ardhmen e Shqipërisë pa të, vlen të qartësohen dy pika. Kërcënimi i tij ndaj Hashim Thaçit dhe kërcënimi i tij ndaj Lulzim Bashës, si një mënyrë që SHBA të dëgjojë hallin e tij.
Ndaj të parit, Sali Berisha lëshoi akuza të rënda, që lidhen me ato që ai i quan vrasje të kundërshtarëve politikë në Kosovë, mbështetës apo anëtarë të LDK-së, gjatë dhe pas luftës së Kosovës. Shpresa e tij është se mund t’i ringjallë konfliktin civil në Kosovë me këtë stil, ndëra thotë se Hashim Thaçi duhet të shkojë në Hagë.
Kjo është një temë e ndjeshme në opinionin publik në Kosovë, pasi e vërteta është se ka pasur vrasje politike, kryesisht të krahut të UÇK-së mbi LDK-në, sidomos në vitet e para pas luftës. Kërcënime për vrasje dhe disa likujdime politike ka pasur dhe gjatë luftës.
Dhe unë, si gazetar që jam marrë gjatë me Kosovën, kam qenë në disa lista vdekjesh nga celula politike që nuk i mora kurrë seriozisht. Me marrëzinë e tyre dhe indoktrinimin enverist, disa celula politike në Kosovë kanë hartuar lista likujdimesh kundërshtarësh politikë dhe disa prej tyre dhe janë ekzekutuar.
Nga Enver Maloku, tek Xhemajl Mustafa, si figurat më të rëndësishme, por dhe disa veprimtarë lokalë apo korrespondentë të shtypit, janë ekzekutuar dukshëm për arsye politike, dhe ky është një debat që në Kosovë duhet të bëhet me kurajo dhe pa paragjykime.
Por likujdimet ishin frymë e krahut të luftës, si revansh ndaj konsolidimit politik të LDK. Nuk ishin vetëm njerëz të Thaçit ata që kërcënonin, por dhe ata që janë sot në partinë e Ramush Haradinaj apo Albin Kurtit. Së paku, Hashim Thaçi është distancuar prej tyre dhe ka bërë gjeste pajtimi, që e kanë frenuar këtë shëmti që po çonte vendin në luftë civile. Ka nderuar Ibrahim Rugovën dhe ka kërkuar hetim për ngjarjet, qoftë dhe formalisht.
Të tjerët që Berisha i pret dhe në zyrë dhe i shpall aleatë, si Ramush Haradinaj apo Albin Kurti, po harrohen prej tij.
Haradinaj, rrethi familjar dhe politik i të cilit së paku janë nën akuzë për disa nga këto vrasje politike, biles në disa raste hasmëria i ka shkuar deri në familjen e tij, nuk di pse është harruar nga Sali Berisha. Dhe më tej akoma Albin Kurti, lideri i “Vetëvendosjes”, i cili ka në parti të tij njerëz që bënin dikur lista likujdimesh, nuk i ka dënuar kurrë ato vrasje, vetëm pse janë bërë nën stilin enverist të likujdimit të kundërshtarit. Bile ai shkon e përkulet me adhurim tek varri i Izetbegoviçit në Sarajevë, babain nacionalistë mysliman të Bosnjës, por ende nuk ka shkuar të vërë një tufë lule e të nderojë Ibrahim Rugovën, qoftë dhe në shenjë pajtimi kombëtar.
Por Sali Berisha nuk do ta shikojë këtë gjë. Ai biles bën sikur ka harruar, që në kulmin e likujdimeve politike të LDK-së, ai vetë e ka pasur mik Hashim Thaçin dhe e priste në zyrë në Tiranë, si karshillëk ndaj Rugovës, që nuk e priste Berishën në Prishtinë. Xhavit Halitin po ashtu e ka pasur në paradhomë dhe punonte me njerëzit e tij.
E gjithë kjo hipokrizi lidhet vetëm me gjuhën e koduar të Berishës ndaj amerikanëve, për shkak të izolimit që ata i kanë bërë. Ai do t’u tregojë atyre, se ka fuqi të ndezë luftë civile në Kosovë, duke vënë në qendër të saj atë që ai me mendje të vet e quan njeri të amerikanëve në Kosovë, duke e etiketuar si kriminel lufte, për t’u hakmarrë ndaj asaj që SHBA i bën Berishës në Tiranë, duke e izoluar dhe duke e cilësuar si shkakun e problemeve.
E gjithë pjesa tjetër është hipokrizi.
I njëjtë është dhe mesazhi për Lulzim Bashën, për përplasje civile në Shqipëri. Kërcënimi që Berisha bën “o luftë deri në vdekje, o do shuhemi”, duke kërcënuar Bashën se mos bën ndonjë marrëveshje me Ramën nën ndikimin e amerikanëve, është thjesht mesazhi i tij për SHBA, që pa Sali Berishën nuk mund të bëhet asnjë pazar.
Është paniku i një njeriu të braktisur dhe të izoluar, që e di nga e ka problemin, dhe përpiqet t’i tregojë SHBA, se ai është në gjendje t’u shkaktojë probleme, edhe në Shqipëri, edhe në Kosovë.
Në Shqipëri duke mos lejuar paqen sociale dhe tentuar të shkatërrojë sistemin me dhunë dhe bojkot institucional, në Kosovë duke tentuar të rindezë luftën civile, në emër të dhembshurisë ndaj LDK, e cila ka meritën historike që ka përballuar vrasjet politike me dinjitet, duke ruajtur institucionet dhe shtetin e ri të Kosovës.
Pra kemi të bëjmë thjesht me një kërcënim të Berishës, ndaj izolimit që i ka bërë SHBA dhe disa vende Perëndimore, si aktor destruktiv politik. Dhe duke qenë burracak dhe tinzar, si gjithnjë nuk iu del ballë për ballë, por përpiqet t’iu tregojë se ku mund t’u hapë probleme.
Por këtu nuk ka shumë probleme. Ka vetëm një problem, dhe ai është Sali Berisha. Fatkeqësia për të, është se këtë e di dhe SHBA.
Me cte drejte do bllokojne ruget apo krijojne trazira ish PD.A ka ligj a ka shtet,ngelen duke nxjere injorancen e tyre kudo.Deri ketu nuk mund te bejne cte duan.Qeveria ti fuse si minjte ne burg.U beme gazii botes pastaj kerkojme dhe negociata.Uf....
Përgjigju