Kërcënohen me jetë 8 prokurorë nga njerëzit e krimit, merren në mbrojtje nga policia, rastet në Shkodër, Elbasan, Vlorë, Tiranë dhe Durrës

10 Maj 2022, 16:48| Përditesimi: 10 Maj 2022, 19:17

  • Share

Gjatë vitit 2021, 8 prokurorë kanë kërkuar mbrojtje të menjëhershme nga Policia e Shtetit, pasi janë ndjerë të kërcënuar me jetë nga segmente të krimit të organizuar, për shkak të ushtrimit të detyrës. Ndërkaq, 7 prokurorë të tjerë kanë kërkuar zgjatjen e mbrojtjes, me pretendimin se rreziku ndaj tyre, familjes dhe pasurisë, ekzistonte ende, pikërisht për shkak të detyrës.

Komisionit për Mbrojtjen e Prokurorëve pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë ka pranuar të gjitha kërkesat e prokurorëve për mbrojtje policore dhe zgjatjen e mbrojtjes, pasi ka vlerësuar rast pas rasti informacionin, duke konstatuar se rrethana në rrethana serioze që rrezikonin jetën e prokurorëve dhe të familjes së tyre.

Kanosja e prokurorëve nga krimi reflektohet në raportin vjetor të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, depozituar për shqyrtim në Kuvend. Kërkesat për mbrojtje fizike gjatë vitit 2021 janë paraqitur nga prokurorë që ushtrojnë detyrën në qarqet më problematike sa i takon veprimit të krimit të organizuar, konkretisht në Elbasan, Vlorë, Durrës dhe Shkodër dhe Tiranë. Mbrojtja policore është vendosur, sipas rasteve, me afate kohore 3-mujore, 6-mujore dhe 1-vjeçare.

Komisioni për Mbrojtjen e Prokurorëve kryesohet nga një anëtar i KLP-së, ndërsa pjesë e tij janë një përfaqësues i Ministrisë së Drejtësisë, një përfaqësues i Ministrisë së Brendshme, kryetari i Prokurorisë pranë së cilës ushtron detyrën magjistrati, për të cilin kërkohet mbrojtje, si dhe një një përfaqësues të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë. Anëtarët e komisionit kanë mandat dyvjeçar

Ndërkaq, ashtu si në gjykata, edhe në Prokurori, vijon thellimi i vakancave, për shkak të mungesës së emërimit të prokurorëve të rinj si dhe shkarkimit të prokurorëve në detyrë.

“Emërimi dhe caktimi në detyrë i magjistratëve prokurorë që kanë përfunduar Shkollën e Magjistraturës, është një nga detyrimet që ka KLP-ja. Kjo procedurë është parashikuar në Ligjin për Statusin. Gjatë vitit 2021, KLP-ja nuk ka emëruar asnjë magjistrat të ri, për shkak të mungesës së studentëve në vitin e tretë të Shkollës së Magjistraturës. Nga ana tjetër, për vitin 2021 janë miratuar 7 vendime për mbarimin e statusit të Magjistratit”, thuhet në raport.

K.T.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?