TIRANË- Ish drejtori i Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit Ilir Kerni, këtë herë është zgjedhur të drejtojë një institucion jashtë vendit të tij. Balerini dhe koreografi I njohur do të jetë drejtor i Teatrit Kombëtar të Baletit në Kroaci. Një nga të parat që e ka uruar Ilir Kernin për postin e lartë, ka qenë sopranoja me famë botërore Ermonela Jaho.
“Urime Ilir Kerni për emërimin e merituar si Drejtor i Baletit në Teatrin Kombëtar të Splitit (2019-2023) dhe komplimenta kroatëve për largpamësinë dhe vlerësimin ndaj një vlere artistike kombëtare shqiptare si ju”-ka shkruar Ermonela Jaho
Sipas një njoftimi që ka bërë vetë balerini dhe koreografi i njohur postin drejtues do ta marrë zyrtarisht më 10 janar të vitit të ardhshëm, me një mandat 3-vjeçar deri më 10 tetor të vitit 2023. “Super i lumtur të jem pjesë e skuadrës fantastike të Teatrit Kombëtar të Splitit. Me një asambël baleti dhe traditë të jashtëzakonshme. Drejtor i Baletit nga 10/01/2019- 01/10/2023”-ka konfirmuar Kerni krahas fotos së publikuar në ambientet e këtij teatri.
Ilir Kerni ka mbajtur për më shumë se dy vjet postin e Drejtorit të Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit në Tiranë. Ai u detyrua të dorëhiqej për shkak të konflikteve të tij të vazhdueshme me ish-ministren e Kulturës, Mirela Kumbaro me shkak lënien e një buxheti shumë të ulët për institucionin.
“Vetëm 28 muaj punë për të transformuar gjithçka, me pune, pune dhe vetëm pune. Me buxhetin me të ulët historik… shpenzimi mesatar për një shfaqje nuk kalon te 600 eurot, pra mund të hyjmë në rekordet Gines. I kemi kthyer mbi 200 milionë lekë buxhetit te shtetit, nga biletat, për rrjedhim shpenzimi mesatar del edhe më i ulët.”, u shpreh Kerni pas dorëheqjes nga drejtimi i TKOB, tre vjet më parë.