Ketro: Lufta ndaj reformës në drejtësi dhe roli i Ramës

22 Nëntor 2019, 10:04| Përditesimi: 22 Nëntor 2019, 10:06

  • Share

Sa më shumë rritet retorika presidenciale ndaj organeve të reja të drejtësisë, sa me shumë rriten sulmet ndaj organeve të vetting-ut dhe përfaqësuesve ndërkombëtare që i monitorojnë, aq më shumë vlen të theksohet rëndësia e qenies së Partisë Socialiste në pushtet në këto kohë të zbatimit të reformës në drejtësi. Në gjykimin tim asgjë tjetër nuk ka pikë vlerë nëse Shqipëria nuk ka një sistem drejtësie të pavarur. Aty fillon ngritja e shtetit. Çdo gjë tjetër është derivat i saj.

Ishte viti 2014 ku Partia Socialiste kishte disa muaj në pushtet kur kryeministri Rama shpalli aksionin më atdhetar, atë të reformës në drejtësi. Kurrë më parë nuk ishte artikuluar aq qartë në publik një reformë e tillë për 23 vite me radhë. Të gjitha palët ishin dakordësuar me atë gjendje vegjetative e kënetore ku funksiononte drejtësia e sëmurë rëndë. Të gjithë ia dinin diagnozën, por askush s’e merrte mundimin ta shëronte. Ishin të kënaqur, sepse politika dhe drejtësia i dinin kufijtë e njëra – tjetrës sipas parimit: “Po s’më ngacmove, s’të trazoj”.

Dhe të dyja këto palë zhyteshin thellë e më thellë në llumin e korrupsionit, me ndonjë përjashtim të rrallë ndëshkimor, sa për të mos e bërë baltë sepse dekonspiroheshin nga kjo marrëveshje nën rrogoz.

Faktorë politik që kishin në dorë gjithçka në përzgjedhjen e gjykatësve dhe prokurorëve, që kishin në dorë monitorimin e tyre dhe ndëshkimin nëse dilnin nga rreshti. Gjykatës dhe prokurorë që ia njihnin këtë fuqi politikës dhe, pasi binin nën joshjen e parasë kur jepnin (pa) drejtësi, viheshin në shërbim të politikës edhe pse kjo e fundit gabonte në fajësi po kurrë nuk gjykohej.

U desh ajo ndërmarrje e vështirë që nisi 5 vite më parë, me ndihmën e paçmuar të SHBA e BE, si arbitra kryesorë, pa ndihmën e të cilëve reforma nuk do mund të ecte. Po sigurisht që kjo reformë nuk do mund të rezistonte nëse nuk do ishte vullneti i kryeministrit Rama dhe PS-së. Këto nuk janë elozhe, por realitet që duhet thënë, sepse është e turpshme që t’ia mohohosh dikujt meritat nga halli se mos të quajnë servil.

Kur një përfaqësuese e lartë e PD-së kërkonte në Kuvend që Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit (ONM) të mos ishte pjesë e Kushtetutës, ishte vendosmëria e Ramës që ONM të ishte në Kushtetutë. Dhe e dini pse? Sepse nëse do të ishte jashtë kushtetutës, në çdo moment ky mision do të ishte i rrezikuar që të shpallej si antikushtetues nga Gjykata Kushtetuese. Pra, nëse ONM do funksiononte me një ligj të veçantë, fuqia dhe veprimtaria e tij mund të viheshin në dyshim në çdo çast.

Procesi i vetting-ut ka qenë një gjetje e shkëlqyer që po bën një pastrim rrënjësor të sistemit të drejtësisë. Është shumë e vërtetë që ky sistem ka qenë një koorporatë e strukturuar që nuk mund të thyhej kurrë nëse s’do ishte ngitur procesi i vetting-ut nën monitorimin e ONM-së. Po të shikosh të gjithë largimet, ato kanë ndodhur në pjesën dërrmuese për shkak të mos justifikimit të pasurisë.

Është shumë interesant që gjykatësit dhe prokurorët po digjen nga pasuria. Interesantja konsiston në faktin që për të hetuar pasurinë ka ekzistuar (dhe ekziston) prej shumë vitesh ILDKPI, si një institucion që ka si detyrë vlerësimin e pasurisë që gjykatësit dhe prokurorët kanë deklaruar për çdo vit. Aq shumë i parëndësishëm ishte ILDKPI-ja për atë kastë, saqë gjykatësit dhe prokurorët ishin trimëruar kaq shumë sa nisën të deklarojnë në formular edhe pasuri të vëna në mënyrë të paligjshme, vetëm e vetëm të dukeshin transparent me pasurinë. Por ata ishin të sigurt që nuk do hetoheshin nga ILDKPI, pandaj kjo siguri përkthehej në deklarime të atyre shumave.

Tani, paramendoni për një çast një inspektor të ILDKPI-së që kishte në dorë një deklarim prokurori ku i rezultonte që pasuria e tij (e luajtshme apo e paluajtshme) nuk justifikohej me të ardhurat nga paga. Nëse ai inspektor do ndërmerrte një akt denoncimi në prokurori ndaj atij prokurori të korruptuar, e sigurt që çështja do t’i binte në dorë për ndjekje një tjetër prokurori të korruptuar. Dhe ky i fundit do mendonte shkurt: Nëse sot hetoj dhe procedoj kolegun tim, nesër mund të jem unë viktimë e kësaj skeme. Atëherë i fuste një mbyllje të çështjes dhe, nëse ai inspektor bëhej i bezdisshën, nuk ishte problem të futej në rreth të kuq për t’i shpikur një shkelje ligjore dhe ta çonin prapa hekurave. E njëjta gjë mund të thuhet edhe nëse subjekt hetimi nga ILDKPI do të ishte një gjykatës i korruptuar.

Të mos harrojmë që kryetar i ILDKPI-së dikur ka qenë vetë Llalla, i cili pasi u bë kryeprokuror i shpëtoi vetting-ut ngaqë dha dorëheqje si magjistrat, ndonëse ka ende çështje të hapur për pasuri sidomos të paluajtshme me toka bujqësore. Ishte po Llalla i cili deshi të sekuestronte arkivën e ILDKPI-së, arkivë e cila në atë kohë duhet të vihej në dispozicion të organeve të vetting-ut. Falë rezistencës së titullarëve pasues të ILDKPI-së, ajo arkivë nuk iu dorëzua.

Krijimi i KPK dhe KPA ishin pikat kyçe që ndryshuan gjithçka. Ama, ILDKPI vlejti për diçka. Pavarësisht pafuqisë ndaj gjykatësve dhe prokurorëve, ajo shërbeu si arkivë shkresore dhe digjitale ku ishin depozituar gjithe deklarimet ndër vite te gjykatësve dhe prokurorëve. Këto deklarime u përdorën nga komisioni i vetting-ut për të vënë me shpatulla pas murit këtë koorporatë të korruptuarish. Ironia e fatit është se gjykatësit dhe prokurorët në të shumtë u dogjën nga vetëdeklarimet e tyre, pikërisht nga ato vetëdeklarime të cilat ata dikur nuk besonin se do bëheshin shkak për daljen e tyre nga sistemi i drejtësisë.

Një pyetje që do të doja ta ngrija është: Çfarë do të ndodhte sot nëse në mazhorancë nuk do të ishte Partia Socialiste? Do të ndodhte ajo që gjithë procesi i vetting-ut dhe ngritjes së institucioneve të reja të drejtësisë do të ishte shpërbërë. Këtë nuk e them sa për retorikë, por bazuar nga ngjarjet e fundit.

Këto ditë presidenti Meta shpalli “të padëshirueshëm” në selinë e tij përfaqësuesin e OSBE-së në Shqipëri. Nëse në pushtet do të ishte PD-LSI, ai përfaqësues do të ishte shpallur “i padëshirueshëm” nga ministri i Jashtëm dhe sot s’do të ishte më në Shqipëri.

Por ai do të ishte e keqja më e vogël në raport me të keqen më të madhe. Sepse “të padëshirueshëm” do të shpalleshin të gjithë përfaqësuesit e ONM-së. Ata që do t’i zëvendësonin do të kalonin nën një filtër të imtësishëm deri sa t’i mbushej mendja qeverisë hipotetike PD-LSI, që ata që do vinin do ishin të pranueshëm për ata. Sigurisht që ajo qeveri do të kishte lobuar fort për të sjellë individë sa më afër botëkuptimit të saj politik. Mendoni se nuk do arrinte deri këtu?! Epo përderisa arritën të lobojnë deri në DASH, ku ndikuan tek emri i ambasadores amerikane në Shqipëri, çfarë mund të ishin për PD-në disa nëpunës evropianë?!

 Kur presidenti flet sot me kaq tërsëllëm ndaj ambasadorëve të shteteve mike që mbështesin reformën në drejtësi, në kushtet që ai s’ka asnjë kompetencë ekzekutive ndaj tyre, mendoni po të kishin edhe qeverinë dhe mazhorancën parlamentare se sa barriera do të vinin me teorinë e “mos ndërhyrjes në punët e brendshme”. Jo vetëm ndaj individëve që monitorojnë reformën, por padiskutimim që do kishin ndërhyrë edhe tek baza ligjore për ta sabotuar me ligje reformën.

Në filozofinë e presidentit dhe shumë eksponentëve të opozitës jashtëparlamentare, neve Evropës ia duam integrimin, investimet e taksapaguesve të tyre, mbrojtjen ushtarake, lëvizjen e lirë duke i çuar qindra mijëra njerëz, ama kur vjen puna që ajo kërkon sistem të pavaruar nën monitorimin e saj, këtë e quajmë të papranueshme.

Këto përpëlitje dhe ky bashkim i atyre forcave që e mbollën për 25 vjet këtë sistem drejtësie, që nga periudha e të famshmëve “gjykatës të plepave” e deri sot ku ata janë të parët që po skarcohen, është domethënia më kuptimplotë se sa e drejtë ka qenë kjo reformë. Reformë për drejtësinë e re dhe të pa korruptueshme nën garancinë e SHBA-BE-së, është shpresa e vetme që ky vend të bëhet. Kush del kundër reformës në drejtësi dhe partnerëve ndërkombëtarë që e garantojnë atë, i del kundër të ardhmes së Shqipërisë. Për faqen e tyre të zezë!

Komento

Komente

  • Perjashtuar: 23/11/2019 16:07

    Prokurorna e gjyqtarna (politikisht te emruar e me kurs 6-mujor) jo vetem u pasuruan, por erdhi nje faze ne te cilen u bene kercenim real e kriminal ndaj pushtetit legjislativ e ekzekutiv, ndaj u nis e ashtuquajtura reform ne drejtesi. Por efekti I reformes po prek klientelizmin ne politik e qeverisje, e po kthehet ne boomerang. Procesi esht ne pike delicate, sepse prishen ca ekuilibra, per tu vendosur ekuilibra te reja, natyra e te cilave nuk u shkon per shtat politikaneve dhe "burrave te shtetit", ne cilindo krah mafioz. Te shohim.

    Përgjigju
  • Vicidoli: 22/11/2019 17:52

    Birisha i ban zap Amerikanet i kall krejt

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?