Pas nisjes së procedurës parlamentare për të ngritur komisionin hetimor që do të çojë më pas në votimin për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta, po dëgjohen zëra nga opozita rrugore se me këtë lëvizje kryeministri Edi Rama kërkon që të kapë të gjitha pushtetet në Shqipëri.
Termi “kapje e pushteteve” më tingëllon si një alibi justifikuese nga opozita jashtë parlamentare, për të gogolizuar figurën e Edi Ramës në sytë e popullit. Ngritja e mitit sikur kryeministri Rama është një njeri i etur për pushtet, bën pjesë në atë lloj propagande të njohur tashmë që konsiston në faktin që sa më shumë ta godasësh një njeri, aq më shumë do t’i vihet në diskutim personaliteti i tij publik.
Partia Demokratike sillet në këtë rast si një parti qelibare, a thua se nuk ka qeverisur kurrë në këto 29 vjet. Për ata që e kanë ndjekur në vijimësi politikën në Shqipëri, nuk e kanë të vështirë të kujtojnë, jo më larg se sa 14 vjet më parë, atëherë kur nisi rrugëtimi i dytë në pushtet i Partisë Demokratike.
Nuk po i referohen fare viteve të para të demokracisë, ku PD-ja dhe lideri i saj absolut, Sali Berisha, kontrollonin çdo qelizë të jetës politike, ekonomike e shoqërore të Shqipërisë. Po marr për bazë vetëm periudhën 2005 deri 2013, kur mendohej se PD-ja do kishte zënë mend nga gabimet e së shkuarës.
Çfarë ndodhi gjatë atyre viteve?
Qeverinë e kishte Parti Demokratike.
Presidentin e Republikës, në dy raste, e zgjodhi ajo njëanshmërisht, bile në rastin e zotit Topi, duke trafikuar 6 vota nga opozita, mungesa e të cilave do e çonte automatikisht vendin në zgjedhje të parakohshme. Të dy presidentët demokratë u zgjodhën figura të larta të PD-së dhe lideri Berisha nuk tentoi qoftë edhe për një çast të vetëm të hynte në negociata me PS-në, pale të mendohet që t’ia ofronte asaj mundësinë e propozimit të emrit.
Po gjatë asaj periudhe, mazhoranca kuvendore e PD-së, zgjodhi njëanshmërisht: Prokurorin e Përgjithshëm (Llalla), Kryetarin e Kontrollit të Lartë të Shtetit (Leskaj, deputet i PD), Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë (Fullani), Kryetaren e ILDKPI-së (Xhuka, ish-zëvendësministre në qeverinë “Berisha”).
Po me votat e PD-së u zgjodhën edhe kandidatët për Gjykatën e Lartë dhe atë Kushtetuese, që të gjithë, me përjashtim të njërës, nuk e kaluan vetting-un. Në këtë vazhdë, shkarkuan drejtorin e SHISH-it (Shaqiri), njeri i Ilir Metës, dhe e zëvendësuan me një njeriun e tyre (Ajazi-Lika), dorë e vjetër e ish-SHIK-ut, që e sollën nga Kanadaja. Këshillin e emërime në drejtësi (ish-KLD) e kontrollonin nëpërmjet autoritetit të kryetarit që ishte edhe presidenti i zgjedhur prej tyre.
Padyshim që kishin edhe kryesimin e KQZ-së me kryetarë të tillë si Gjata dhe Ristani, të cilët më vonë bënë karrierë të lartë politike në PD.
Mbase mund të kem harruar ndonjë post tjetër të lartë, por mjaftojnë edhe këto që përmenda për të kuptuar qartë se sa të shëmtuara janë akuzat e PD-së kur i drejtohen kryeministreit Rama se po kërkon që të kapë të gjitha pushtetet.
Është në fakt sindroma e atyre që nisin e akuzojnë kundërshtarin pikërisht për ato gjëra që i kanë pas bërë po vetë, bile me zell të madh.
Të thuash se shkarkimi i presidentit, pasi ka konsumuar shkelje të rënda të kushtetutës, është “kapje e pushteteve”, mund të kishte kuptim po ta thoshte ndonjë forcë politike që s’e ka shijuar pushtetin këto 29 vite. Por e thënë kjo nga goja e përfaqësuesve të PD-së tingëllon si hipokrizi e pastër, bile e neveritshme. Ajo mund të bindë vetëm ato mendje të mykura militantësh që as shikojnë e as dëgjojnë gjë tjetër veç fjalës së liderit të tyre, por nuk mund të bindin askënd tjetër që ka së paku kujtesë politike.
Tani le të bëjmë një bilanc se cilët pushtete ka kapur kryeministri Rama, duke i krahasuar me ato që ka pasur nën hyqëm ish-kryeministri Berisha. Kryetari i SHISH-it (Bendo) është ish-zëvendësi i Ajazi Likës, bile është pjesë e shërbimit qysh nga koha e famëkeqit Gazidede. Kryetari i ILDKPI (Ganaj) është ish-zëvendësi i Llallës në atë institucion.
Kryetari i KLSH-së, vijon të jetë po ai që ka qenë ndonëse me mandat të mbaruar. Refuzimi i mazhorancës për të zgjedhur të riun prej propozimeve presidenciale, ka ardhur si rezultat se, përveç mungesës së plotësimit të kushteve ligjore, kandidatja e parë ishte propozim tendencioz pasi largimi i saj nga gjyqësori sillte kolaps në mbarëvajtjen e reformës në drejtësi; kurse propozimi i dytë ishte këshilltar i presidentit, pa lidhje fare me detyrën që do të ushtronte. Theksoj se KLSH është një institucion që kurrë nuk është drejtuar nga PS-së, por besoj se me presidentin e ri, edhe kryetari i ri KLSH do të jetë një personalitet i fushës, i pa implikuar në militantizëm partiak.
Guvernatori i BSH (Sejko) është një propozim i ish-presidentit Nishani. Në Këshillin e ri Mbikëqyrës të BSH, mazhoranca nuk vuri asnjë emër politik nga radhët e saj.
Sa i përket sistemit gjyqësor, reforma e re e drejtësisë ia ka hequr politikës të drejtën që të zgjedhë sipas preferencave të saj politike anëtarët e rinj të gjyqësorit.
Kryetarin e KQZ-së (Zguri) e ka opozita rrugore. Avokati i Popullit është po ashtu një përzgjedhje nga opozita.
Sa i përket Prokurores së Përgjithshme (Marku), ajo vërtet u zgjodh me votat e mazhorancës akuale (akuzojnë se u zgjodh me 69 vota, por harrojnë të përmendin faktin se ish-deputetët e LSI-së, me Kërpaçin në krye, u turrën harbutçe drejt paketave elektronike në tavolinat e deputetëve të PS-së duke ua rrëmbyer përdhunisht kartat e votimit), por ajo është përkohësisht në atë detyrë dhe me reformën e re, ajo s’ka asnjë fuqi vendimmarrëse siç ka pasur paraardhësi i saj. Mazhoranca nuk ndërmori asnjë akt për shkarkimin e ish-prokurorit (siç bëri dikur PD me Sollakun dhe Ramën), por priti me durim mbarimin e mandatit të Llallës për ta zëvendësuar.
Në lidhje me “kapjen” e postit të presidentit nga PS-ja, pas shkarkimit të zotit Meta, kjo mbetet për t’u parë pasi dihet se Edi Rama është mjeshtër i surprizave në kësi rastesh dhe ekziston mundësia që edhe kësaj here të ofroj një model se si duhet të jetë figura përbashkuese e kryetarit të shtetit.
Sa thashë më lart, nuk kam parë kapje të pushteteve nga PD-ja sa kohë ajo i zgjidhte të preferuarit e saj në institucionet e larta të shtetit me votat që dispononte në Kuvend. Çdo gjë që është e ligjshme, nuk mund të jetë e gabuar. Po kështu edhe mazhoranca e PS-së s’mund të akuzohet për kapje pushtetesh, sa kohë që këtë e bën konform ligjeve, duke shfrytëzuar mandatet që populli i ka besuar.
Kapje pushtetesh që s’i takojnë ka bërë vetëm Presidenti Meta, i cili me çdekretet e tij për zgjedhjet, me mos dekretimin e ministrave të propozuar nga kryeministri, apo me kthimin e ligjit për buxhetin e shtetit, ka kaluar çdo kompetencë që ia njeh ligji.
Si përfundim, kjo loja me akuza se Edi Rama po tenton që të kapë të gjithë pushtetet, është bërë kaq bajate, saqë sa herë dëgjoj në televizor ndonjë demokrat që e thotë, e mëshiroj për botëkuptimin e varfër që përcjell si argument. U detyrova t’ua risjell në vëmendje të gjithë të përzgjedhurit e tyre me qëllim që sa herë akuzojnë mazhorancën aktuale, t’u kujtohet vetvetja. Ndoshta ata e kanë harruar të kaluarën e tyre, por ne të tjerët nuk e harrojmë. / Tema
Hipokrizia nga PD dhe LSI eshte nje arme ne duart e mazhorances .
Përgjigju