Valdrin Pjetri

Ketro: Një mënyrë ligjore interpretimi mbi situatën e paqartë të çështjes 'Pjetri'

14 Gusht 2019, 15:23| Përditesimi: 14 Gusht 2019, 15:26

  • Share

Me publikimin e një dokumenti jo zyrtar nga Parti Demokratike në lidhje me të kaluarën e largët të kryetarit të zgjedhur të bashkisë Shkodër, zotit Valdrin Pjetri, qenia e tij në këtë detyrë të lartë u vu në diskutim. Pavarësisht se duhen pritur edhe përgjigjet zyrtare të palës italiane si dhe qëndrimi i Prokurorisë së Përgjithshme, karriera politike e zotit Pjetri duket se është vënë në diskutim.

Natyrisht, ai do ti dalë për zot fatit të vetë nëse është i pastër apo ka gënjyer, si subjektin që e kandidoi ashtu edhe kur nënshkroi formularin e dekriminalizimit. Kjo është diçka që ligji e ka shprehur qartë dhe s’ka vend për interpretim.

Por, në mediet online po qarkullon një lajm se Partia Socialiste ka ngrirë edhe konstituimin e Këshillit Bashkiak të Shkodrës. Sipas ligjit, mandati i kryebashkiakes në detyrë, Voltana Ademi, dhe këshillit aktual, mbarojnë më datë 20 gusht. Pas kësaj date ajo dhe këshilli nuk kanë asnjë autoritet të drejtojnë Shkodrën dhe të marrin vendimi. Askush nuk mund të qëndrojë në detyrë përtej afatit kushtetues 4 vjeçar.

Prandaj më duket absurde ky kompromis që diskutohet që mandati i saj dhe i këshillit të shtyhet përtej 20 gushtit. Kjo nuk nuk të ishte vetëm një shkelje ligjore, por edhe mos njohje nga Partia Socialiste e zgjedhjeve të 30 qershorit.

E them këtë pasi më 30 qershor janë votuar në mënyrë të pavarur nga njëri tjetri, kandidati për kryetar bashkie si dhe subjektet politike nga votat e të cilave pastaj rrodhën edhe mandatet e përfaqësimit në këshillin bashkiak.

Mos konstituimi i këshillit më datë 20 gusht delegjitimon 30 qershorin. Përveç kësaj kjo gjë njollos edhe vetë anëtarët e këshillit. Si mund të trajtohen ata njësoj si rasti i zotit Pjetri?!

Atëherë, cila është zgjidhja me optimale dhe ligjore. Sipas gjykimit tim, duhet të ndiqet kjo rrugë. Fillimisht duhet theksuar se në ligjin nr.139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”, nuk është e parashikuar situata ku kryetari i zgjedhur i bashkisë ndodhet përpara një vepre penale ende kur s’ka bërë betimin. Në ligj thuhet që kryetarit në detyrë i mbaron mandati në momentin kur bën betimin kryetari i ri i bashkisë.

Ky handikap ligjor i paparashikuar, duhet trajtuar menjëherë nga ligjvënësi në sisionin e ri parlamentar në muajin shtator. Gjithsesi, këshilli i ri bashkiak duhet të nisë konstituimin e vetë patjetër më datë 20 gusht. Nga ai moment këshilli i vjetër humbet çdo të drejtë dhe kësisoj jemi brenda kornizën kushtetuese. Problemi që lind me kryetarin e bashkisë duhet zgjidhur në këtë mënyrë sipas gjykimit tim.

Pavarësisht se ndaj zotit Pjetri ka një akuzë, ai, meqenëse nuk është shprehur organi i prokurorisë, prezumohet i pafajshëm. Pra ai në këtë rast duhet të bëjë betimin si kryetar bashkie. Kësisoj zbatohet norma ligjore që kryebashkiaku paraardhës s’mund të rrijë përtej 4 vjeçarit. Pasi të marrë atributet e kryetarit, gjëja e parë që duhet të bëjë është të nënshkruajë aktin e dorëheqjes nga detyra dhe t’ia paraqesë menjëherë Komisionit Qëndor të Zgjedhjeve.

Unë besoj fort se zoti Pjetri ka aq integritet moral sa ta bëjë këtë gjë. Edhe nëse ndjehet i pafajshëm, ai s’mund ta mbrojë pafajësinë nga pozita e kryetarit të bashkisë. Nëse zoti Pjetri do hezitonte ta bënte këtë gjë, atëherë Këshilli i Ministrave ka gjithë atributet ligjore që të mblidhet në një mbledhje jashtë rradhe dhe ta shkarkojë nga detyra.

Nga ai moment, Këshilli Bashkiak ka gjithë të drejtën ligjore që njërin nga nënkryetarët aktualë të bashkisë ta zgjedhë si kryetar të përkohshëm të bashksië, deri në ardhjen e kryetarit të ri pas zgjedhjeve të parakohshme.

Kjo mënyrë që parashtrova, do ta detyronte Presidentin Ilir Meta që të dekretonte (edhe pa dëshirën e tij) datën 30 shtator si data më e afërt zgjedhore që përmbush afatin ligjor prej 45 ditësh nga dita kur kryebashkiaku jep dorëheqjen apo shkarkohet nga detyra.

Nuk pretendoj se kam dhënë mendimin më të mirë, por duke lexuar se Voltana Ademi dhe këshilli aktual mund të rrinë në detyrë përtej afatit kushtetues, apo që Presidenti Meta mund të bëjë lojë të re me afatet kur duhet të dekretojë zgjedhjet, gjykoj se ajo çka parashtrova më lart është zgjidhja më e mirë dhe që respekton ligjin.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?