Ketro: Problemi sot është Kodi, jo sistemi zgjedhor

17 Janar 2020, 15:31| Përditesimi: 17 Janar 2020, 15:32

  • Share

Tashmë që opozita jashtëparlamentare është bërë pjesë e reformës zgjedhore, po shtohet presioni ndaj saj për të qenë edhe ajo përkrahëse e ndryshimit të sistemit zgjedhor. Personalisht nuk e shoh problemin te sistemi zgjedhor, sepse Shqipëria, në gjykimin tim, ka problemet më të mëdha tek faktorë të tjerë siç janë: listat e votimit; mënyra se si financohen partitë politike; shit-blerja e votës dhe influenca për ofrimin e vendeve të punës; menaxhimi i procesit të votimit dhe numërimit ku palët bllokojnë njëra- tjetrën për të sabotuar procesin; presioni psikologjik tek votuesit; votimi familjar në zona të caktuara etj. Dhe këtu nuk ndaj si fajtor vetëm njërën palë, por të gjithë spektrin politik, majtas e djathtas.

Pra, sado sistem të mirë zgjedhor të kemi, nëse nuk përmirësohen aspektet e mësipërme, sërish ai sistem do të quhet i dështuar.

Partitë e vogla apo ato grupe shoqërore që ende nuk janë formësuar në parti por që kanë një projekt politik në perspektivë, po këmbëngulin fort për një sistem me lista të hapura me vetëm një njësi zgjedhore. Është e kuptueshme që kjo kategori partish apo aspirantësh për parti, u intereson sistemi me një njësi zgjedhore sepse kështu shpresojnë në marrjen qoftë edhe të një ulëse në Kuvend. Kjo rrezikon ta copëzoj shumë Kuvendin dhe ta bëjë të paqëndrueshëm një mazhorancë qeverisëse, një model alla-Kosovë, ku një parti me fare pak deputetë mund të kërkojë deri edhe postin e kryeministrit nëse krijimi i mazhorancës do varet prej votave të saj. Greqia i jep partisë fituese një bonus prej 50 deputetësh, vetëm që të mos ketë shteti krizë qeverisëse, gjë e cila ka kosto të lartë në jetën politiko- ekonomike të vendit.

Aspekti tjetër ka të bëjë me çështjen e listave për deputetë, a duhet të jenë të hapura apo të mbyllura. Përsa i përket listave të mbyllura, del problemi se ato i përpilojnë kryetarët e partive. Sa i takon PS dihet që ka një formë shumë më demokratike se si diskutohen paraprakisht emrat në kryesi, pastaj me të deleguarit e çdo qarku dhe në fund vendoset produkti më i mirë. PD-ja herën e fundit, për shkak të faktorit kohë, e bëri ashtu siç e bëri dhe prej atij nxitimi morën nam të keq edhe listat e mbyllura.

Po çfarë përfaqësojnë listat e hapura të cilat po propagandohen si shpëtim. Natyrisht edhe ato lista nga numri 1 deri tek 140, po kryetari dhe kryesia e një partie do i përpilojë. Këto lista vërtetë ofrojnë më shumë konkurrencë, por ama sjellin edhe luftë bërrylash brenda formacionit politik.

Për të qenë më konkret. Një fletë votimi do përbëhet nga dy kolona ku, në anën e majtë janë emrat e partive me numrin përkatës dhe në anën e djathtë janë 140 numra. Secili numër përfaqëson një emër kandidati i cili është depozituar më parë në KQZ. Votuesi që ta bëjë votën të vlefshme duhet të përzgjedhë numrin e partisë dhe numrin e kandidatit. Nëse lë njërin nga këto komponentë pa përzgjedhur ose përzgjedh më tepër, vota del e pavlefshme.

Po çfarë ndodh brenda një partie prej këtij sistemi. Secili kandidat do punojë në dy drejtime: Së pari, do kërkojë që të votohet partia e tij dhe, së dyti, numri që i korrespondon emrit të tij. Këtu duhet pasur parasysh që një votues duhet të jetë shumë i kujdesshëm sepse vërtetë ai përzgjedh saktë numrin e kandidatit që pëlqen, por nëse ngatërron numrin e partisë, ajo votë i shkon një kandidati tjetër. Ndërkohë që 140 kandidatët punojnë të unifikuar që të votohet numri i partisë që përfaqësojnë, kur vjen puna tek numri i kandidatit, aty ata do jenë “armiq” të njëri- tjetrit, bile më të egër se sa me kundërshtarin politik.

Për shembull: Një votuesi do t’i shkojë për t’i kërkuar votën kandidati me nr.5 në listë që përfaqëson partinë me numrin 41 në renditje. Po të njëjtit votues do t’i shkojë edhe kandidati me nr.115. Të njëjtën gjë do bëjnë, le të themi, edhe 10 kandidatë të tjerë të së njëjtës parti. Secili prej tyre, me premtime, do t’ia bëjnë mendjen çorbë këtij votuesi që tradicionalisht voton atë parti politike aq sa ky në fund, për të mos ia prishuar asnjërit apo i lodhur nga kjo luftë e brendshme politike, as nuk shkon fare të votojë. Ose, për neutralitet, do votojë numrin që përfaqëson kryetarin e partisë.

Po të njëjtit votues mund t’i shkojnë edhe nga krahu kundërshtar i politikës për t’i kërkuar votën dhe kësisoj shumë votues të ngjashëm rrezikojnë që të bëhen konfuzë nga ky mishmash numrash që duhet të mbajnë mend. Sepse deri ditën e fundit secili kandidat, i majtë apo i djathtë qoftë, do e “bombardojë” votuesin me numrin që i përket atij në listë.

Dikush mund të thotë se listat e hapura aplikohen edhe në vende të tjera. Por ne duhet të jemi me këmbë në tokë duke marrë për bazë mentalitetin tonë. Në teori duket e lehtë, por në praktikë bëhet e vështirë. Për të mos thënë që edhe numërimi manual me lista të hapura është shumë i ndërlikuar për traditën tonë.

Duke qenë se në terren ende zhvillohet një luftë e ashpër politike, Shqipëria ka ende nevojë për një sistem sa më të thjeshtë. Sistemi që kemi aktualisht, mbase nuk është më i përsosuri, por është më i thjeshti i mundshëm, sepse votuesi përzgjedh vetëm një numër që i përket një partie të caktuar, numër që gjatë 30 ditëve fushatë kujtohet lehtë. Ky sistem jo vetëm që u jep peshë grave, por edhe bën një përfaqësim shumë më të mirë të spektrit politik, nga jugu në veri, pa pasur asnjë parti bastione me 100 për qind fitues.

Përsa i takon cilësisë së listave të mbyllura, duhet thënë se nga këto lista u jepet mundësia shumë njerëzve të zotë që të bëhen pjesë e Kuvendit, pavarësisht se nuk kanë qenë shumë të njohur në publik. Natyrisht që kjo kërkon edhe vullnet politik nga partitë që përpilojnë listat për të vendosur aty personalitete sa më përfaqësues. Por nëse mendoni se lista e mbyllur përbëhet nga individë mediokër, apo qoftë edhe me të shkuar kriminale, e keni shumë të lehtë: Thjesht mos e votoni fare atë parti.

Sa për akuzat se ky sistem favorizon PS dhe PD, e keni shumë gabim. Ky sistem favorizon gjithkënd që ka një projekt serioz e të besueshëm në sytë e elektoratit, që nga programi ashtu edhe nga personaliteti i liderit dhe grupit të tij politik. Prej këtij sistemi janë futur shumë deputetë nga LSI, e diçka më pak nga PDIU. Kurse partive që u njihet vetëm kryetari, apo inisiativa të reja që themelohen por që brenda 6 muajve treten sepse nis lufta e brendshme për protagonizëm, natyrisht që do të mbeten jashtë Kuvendit. Dhe për këtë nuk ua ka fajin as PS e as PD. E aq më pak, sistemi.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?