Lufta politike ka hyrë nga sot në një faze të re. Presidenti është bashkuar zyrtarisht më “frontin opozitar”.
E enjtja do të sjellë zhvillime të reja, ndërsa palët kanë rikonfirmuar qëndrimet e tyre ekstreme. Se çfarë do të ndodhë, këtë askush nuk e parashikon dot.
Por ajo që mund të thuhet me siguri, tani është se në horizont nuk duket asnjë shenjë paqeje apo shprese për ta zgjidhur këtë krizë me bisedime.
E gjithë kjo histori lindi si një luftë e opozitës, me qendër sulmi kryetarin e bashkisë së Durrësit Vangjush Dako. Në mënyrë sistematike, opozita kërkonte arrestimin e Dakos, në kohën kur ende nuk kishin dalë në dritë përgjimet.
Ende nuk ishin publikuar përgjimet atëkohë, ndërsa ngulmimi në arrestimin e Dakos, më shumë dukej një objektiv opozitar sesia një përpjekje për të korigjuar problemin e madh të përfshirjes në politikë të të fortëve dhe njerëzve të inkriminuar.
Sepse ajo që kishte ndodhur në Shijak, nuk ishte një rrufe në qiell të hapur. Shijaku ishte vetëm biopsia e kancerit që ka pushtuar politikën tonë.
PD nuk kërkoi të dinte as si ishte zgjeruar LSI vrullshëm, apo as sesi PDIU kishte siguruar në “mënyrë historike” disa mandate në Elbasan apo Dibër, në zona ku nuk kishte jetuar asnjë çam. PD e njëh mirë mëkanizmin, pasi në këtë mënyrë ka funksionuar edhe vetë.
Pra, Shijaku ishte konfirmimi me zë i asaj që kishin bërë rëndon, në mënyrë sistematike të gjithë, PD, PS, LSI, PDIU, e madje edhe ca partiza që “kapnin” në marrëveshje me partitë e mëdha ndonjë kryetar komune, i cili padyshim që ishte ose tregtari ose hajduti i tenderit të rrugës së pandërtuar të fshatit.
PD nuk po kërkonte të korigjonte problemin, por donte që sipas parimit “kali që kapet shin lëmin”, të kishte një konfirminm për akuzat e saj, ndaj dhe kërkonte Dakon në burg.
Dako nuk zhvishet nga përgjegjësitë e tij politike(nëse ka apo jo përgjegjësi ligjore duhej ta kishte konfirmuar me kohë prokuroria, por ata që duhej të hetonin zgjodhen të shisnin CD-të).
Zhvillimet e fundit i japin kësaj lufte politike një tjetër dimension, jo thjeshtë për shkak të përfshirjes edhe zyrtarisht të presidentit.
Por sepse sa më agresive bëhet, aq më shumë po i mungon motivi, apo kauza për ta justifikuar. Në parim kauza është “për zgjedhje të drejta e të lira”.
Por zgjedhjet bëhen të lira, jo duke kërkuar thjeshtë arrestimin e Vangjush Dakos, por duke propozuar shkatërrimin e skemës që ka çuar në krijimin e këtij standardi, ku horrat bëhen anëtarë të shtabeve elektorale në çdo lagje qyteti e në çdo fshat.
Pikërisht këtë strategji ne nuk po e dëgjojmë, nuk po e lexojmë kund, por vazhdojmë të lexojmë e të presim seritë e reja të përgjigjeve.
Pavarësisht impaktit që krijojnë, ne nuk kishim nevojë për ato përgjime që të mësonim se si bëhen zgjedhjet në Shqipëri. Ne tani kemi nevojë të dimë se si do ta shkatërrojmë këtë mekanizëm, pjesë e të cilit janë të dyja palët, si ata që tani duan zgjedhje, ashtu dhe ata që nuk duan zgjedhje.