Foto ilustruese

Killeri me pagesë që vrau motrën dhe e hodhi në mal, kush është Shkëlzen Buci, njeriu që për 80 mijë euro qëlloi aktorin

4 Shtator 2020, 18:44| Përditesimi: 4 Shtator 2020, 18:54

  • Share

TIRANË- Shkëlzen dhe Faik Buci, janë babë e bir që kanë ekzekutuar motrën dhe vajzën e tyre, Eglantina Buci. Ngjarja është arritur të zbardhet pas 8 vitesh nga policia dhe prokuroria e Tiranës, ndërkohë që vëllai i viktimës që besohet se ka qëlluar mbi motrën me disa plumba pistolete, momentalisht ndodhet në burg, pasi është dënuar nga gjykata e kryeqytetit me 13 vite burgim, për tentativën e vrasjes me pagesë ndaj aktorit Mishel Prela.

Shkëlzen Buçi, sipas policisë dyshohet se ka qëlluar mbi motrën, ndërsa babai më pas e ka ndihmuar për ta çuar në malin me Gropa, dhe braktisur trupin e pajetë. Ngjarja ka ndodhur në 2012, dhe askush nuk ka dyshuar mbi familjarët, pasi dhe vetë skeleti nuk ishte identifikuar. Pesë vjet pas vrasjes së motrës, Shkëlzen Buci, përfshihet në një atentat me pagesë kundër aktorit Mishel Prela, ngjarje kjo tashmë e zbuluar nga policia. Atentati i ndodhur në 2017 shumë pranë shkollës “Partizani”, kishte si motiv hakmarrjen për plagosjen e Ervin Zallumit nga Mishel Prela, disa vite më parë. Porositësi i kishte dhënë atentatorit 80 mijë euro, për të eliminuar Mishel Prelën. Më pas i gjithë organizimi i atentatit është bërë nga 34-vjecari Shkëlzen Buci, i cili ka patur edhe rolin e ekzekutorit. Atij i është gjetur edhe arma e krimit një pistoletë TT. Miklar Tola, ka patur rolin e bashkëpunëtorit në tentativën e vrasjes. Trim Hidri edhe ky i arrestuar ka bërë të mundur largimin nga vendi i krimit të dy autorevë. Në pranga ka përfunduar edhe vëllai i vogel i Miklar Tolës , Ermiri.

22-vjeçari nga hetimet ka rezultuar pjesëtar aktiv i këtij grupi. Porositësi i vrasjes Ervin Zallumi, kontraktoi Shkëlzën Bucin për të eliminuar Prelën, vetëm dy muaj pasi ky i fundit kishte dalë nga burgu ku kishte vuajtur një dënim prej 3 vjetësh për plagosjen e njerkut të tij. Aktori, Prela u qëllua 8 herë nga atentatori Shkëlzen Buci, në afërsi të gjimnazit “Partizani” por arriti të shpëtojë. Nuk ka kaluar shumë dhe policia ra në gjurmët e autorëve, duke arrestuar Shkëlzen Bucin, i cili kishte harruar në makinë e braktisur telefonin e tij. Në dëshminë që ka dhënë në polici, Shkëlzen Buci, ka treguar se kishte pranuar të vriste Mishel Prelën dhe me paratë që do të fitonte, do të shlyente borxhet që ai dhe familja e tij kishte marrë për të kuruar vëllanë e tij, i cili i kishte vdekur një muaj më parë nga një sëmundje e rëndë. Ai ka rrëfyer në 2017 për hetuesit se kishte 4 vite që njihej me Ervin Zallumin dhe kishin lidhje shoqërore.

Kohët e fundit ai kishte pasur një fatkeqësi, ku para një muaji i kishte vdekur i vëllai 25 vjeç nga një sëmundje e rëndë. Për shërimin e tij, së bashku me familjen kishte marrë borxh tek një fondacion 15 mijë euro dhe për shlyerjen duhet t’i paguante kompanisë 700 mijë lekë të vjetra në muaj, si dhe një shumë prej 15 milion lekësh të vjetra borxh personave të ndryshëm. Nga nëntori i 2016, ai kishte ngelur pa punë dhe pas pak kohësh ishte takuar me Ervin Zallumin dhe i kishte kërkuar që t’i gjente ky ndonjë punë, pasi ishte mirë nga ana ekonomike. Pas disa kohësh, Ervini i kishte kërkuar që të hiqte qafe një person që ai kishte hasmëri, pasi kohë më parë e kishte goditur me thika. Sipas Shkëlzenit, personi në fjalë quhej Mishel Prela dhe për këtë problem kishte bërë edhe burg. Për këtë, ai do të merrte 50 mijë euro dhe 30 mijë të tjera do t’i merrte në fund të këtij viti. Të nesërmen janë takuar tek shtëpia e Ervinit dhe ky i fundit i ka dhënë një pistoletë “TT”, me një krehër brenda. Shkëlzeni ka rrëfyer se këtë episod e ka regjistruar me një telefon “Nokia”, tip i vjetër dhe për siguri e kishte futur te reflektori i ngrohjes dhe në momentin që policia i kishte shkuar në banesë, ua ka dorëzuar atyre. Pasi ka marrë pistoletën, Shkëlzeni kishte takuar Miklarin dhe i kishte kërkuar që ta ndihmonte duke ndjekur lëvizjet e Mishelit dhe për këtë do i jepte 25 mijë euro. Një muaj e gjysmë më parë, ai ka treguar se kishte shkuar në malin e Dajtit për të bërë qitje. Sipas tij, ai kishte marrë armën me vete disa ditë me radhë dhe ishte munduar të gjente Mishelin, por dy a tri herë që e kishte parë në zonën e Selvisë, nuk kishte pasur mundësi ta qëllonte, pasi kishte qenë pa Miklarin.

Më datë 20.07.2017 rreth orës 20:00 ai kishte shkuar në zonën e Selvisë dhe po pinte dhallë. Miklari i kishte dërguar një SMS që të pinin kafe dhe i kishte shkuar në tavolinë. Pasi janë çuar, kanë shkuar tek automjeti i Miklarit dhe kanë qëndruar në këmbë. Shkëlzeni ka pohuar më tej se në një moment kishte parë Mishel Prelën që po lëvizte me biçikletë. E ka ndjekur nga pas dhe në kroskotin e automjetit të Miklarit kishte harruar telefonin “Nokia”. Pasi e kishte ndjekur, kishte nxjerrë pistoletën nga brezi dhe kishte qëlluar me të gjithë fishekët që kishte brenda. Ai ka rrëfyer se pasi ishte larguar prej andej, ishte takuar sërish me Miklarin dhe më pas kishte shkuar në banesën e tij. Gjithashtu, deklaruesi ka rrëfyer se ishte takuar edhe me vëllain e Miklarit, i cili i kishte kërkuar ndihmë për këtë të fundit. Shkëlzeni i kishte telefonuar Ervinit, por i kishte rezultuar i fikur.

Më pas, Shkëlzeni është takuar me djalin e dajës së tij dhe kanë qenë duke luajtur bilardo pranë Urës së Babrroit. Aty, ai është kapur nga policia, të cilët i ka çuar në banesë, i ka treguar vendin ku ishte arma. I pyetur se sa herë e kishte ndjekur Mishelin, Shkëlzeni ka treguar se e ka bërë rreth një muaj e gjysmë që nga momenti që Ervini i kishte dhënë armën. Para 3 apo 4 ditësh para ngjarjes, ai kishte komunikuar me Ervin Zallumin rreth ngjarjes në fjalë, ku Ervini e kishte pyetur nëse e kishte parë Mishelin dhe më pas i kishte thënë: “Ti nuk je për atë punë dhe nuk e bën dot”.

B.K./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?