Kineastët e rinj nga Tetova-Prishtina dhe Tirana prezantojnë filmat e tyre tek artet

11 Qershor 2019, 16:17| Përditesimi: 11 Qershor 2019, 18:05

  • Share

Projekti kulturor “Ura me tre harqe” gjatë këtyre ditëve po zhvillohet në Tiranë. Studentë të arteve nga Tetova, Prishtina edhe Tirana prezantuan filmat e tyre me metrazh të shkurtër në sallën Black Box në Universitetin e Arteve. “Stacioni”, “Cigarja e fundit” apo “Orkestra” janë vetëm disa nga filmat që bën bashkë kineastët e rinj. Drita Shaqiri, e cila prezanton filmin e saj të parë, “Orkestra”, në të cilin trajton raportin e individit kundrejt sistemit, na tregon se kinematografisë shqiptare i mungon vëmendja ndaj gjendjes sociale.

“Në Kosovë, qasja ndaj luftës, që është ende e freskët, nuk është gjithmonë e saktë. Duhet që të fokusohemi më shumë në gjendjen sociale, të tregojmë realitetin edhe jo të gënjejmë. Fakulteti ka katër vite për të parë se ku jam vet, mirëpo ndoshta do të fokusohesha tek njerëzit e thjeshtë”, shprehet studentja Drita Shaqiri.

Ndërsa, pedagogu Ekrem Xani që i shoqëron studentët e Kosovës e vlerëson këtë iniciativë të përbashkët, si një mundësi të madhe për të krijuar ura bashkëpunimi mes tyre në të ardhmen.

 “Kjo është një mundësi e mirë, sepse njihem me kolegë, dhe aktorë. Në fakt, filmi gjithmonë ka pasur të mirat e veta, shikojmë edhe zhvillimin e filmit amerikan edhe europian. Mënyrat e bashkëpunimit mes dy qendrave mendoj se i kanë dhënë një këndvështrim më të madh kinematografisë. Për shembull, filmi i Bujar Alimanit, “Delegacioni” ishte bashkëpunim. Është e rëndësishme, që të kapen temat e ndjeshme, por që të trajtohen në mënyrë shumë të thellë, duke trajtuar problemet në Ballkan, edhe në vendin tonë, duke përcjell nëpërmjet tyre edhe kulturën tonë”, shprehet pedagogu i regjisë dhe filmit, Ekrem Xani.

"Ura me tri harqe" është realizuar, që nga viti 2000 me disa ndërprerje, edhe prezanton arritjet artistike të të tre shkollave artistike: Universitetit të Arteve të Tiranës, Fakultetit të Arteve të Prishtinës dhe Fakultetit të Arteve të Universitetit Shtetëror të Tetovës.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?