Shumica e objekteve të kultit në Përmet në kohën e komunizmit u poshtëruan duke u shndërruar në magazine dhe stalla. Mes tyre, kisha qindravjeçare e Shën Kristoforit që ishte kthyer në stallë lopësh për kooperativën e Leusës.
Me ndryshimin e sistemit, u rindertua dhe sot shërben si objekt kulti per besimtarët ortodoks që marrin pjesë në shërbesat fetare, drejtuar nga At Ilia Tyto. Kisha u ringrit falë kontributit të drejtuesve të Kishës Ortodokse Shqiptare dhe ndihmesës së besimtarëve.
“Në vitin 1991 filloi restaurimi u ndërhy në çati dhe në mure, me ikonografinë me vendet ulëse për besimtarët. Kjo është kishëz e vogël, por brenda saj mban dashurinë e Perendisë”, tha at Ilia.
At Ilia, është i vetmi që prej 32 vitesh udhëton nga Përmeti për tu kujdesur për kishën, që ndodhet poshtë fshatit Leusë. Me pasionin e një kishtari të devotshëm ka bërë gjithçka, duke siguruar edhe ndriçimin përmes instalimit të ndriçuesve LED me energji diellore.
“Vij tek kjo kishë gjithmonë, e kam në zemër. Punoj vete me mbjelljen e luleve, kujdesem për kishën sepse ska të ardhura”, tha ai.
Kisha e Shën Kristoforit mendohet se daton nga koha e Bizantit, por gjurmët e hershme janë zhdukur gjatë regjimit totalitar. Ne komunizëm kur nuk kishte sherbesa fetare, - thote At Ilia, - sërish besimtarët e devotshëm në raste Pashkësh apo Krishtlindjesh ndiznin qiri fshehurazi jashtë kishës së Shën Kristoforit. Përmendet historia e ish-kryetarit të kooperativës, Perikli Muço që u gjet asokohe duke ndezur qiri dhe u internua familjarisht në Belsh. Historia e kësaj kishe është sa e lashtë po aq dhe mistike, pasi dikur vajzat luteshin fshehtazi për të gjetur fatin e mirë me kurorëzimin e një martese.