Menaxheri i një lokali është arrestuar në Fier, pasi në lokalin ku punonte u gjetën makineri për lojëra fati.
Në kuadër të operacionit të koduar ‘Room’, nga kontrollet në brendësi të një lokali në lagjen ‘Liri’, u zbulua një dhomë e veçuar ku ishin vendosur makineta të markës "Apex", lap top, dekoderë dhe celularë, nëpërmjet të cilave ndiqeshin dhe luheshin lojëra fati, në kundërshtim me ligjin.
Policia arrestoi në flagrancë F. P., 37 vjeç, banues në Fier, menaxher në këtë lokal, si dhe u shpall në kërkim shtetasi A. K., 47 vjeç, banues në Fier, pronar i lokalit. Punohet për kapjen e 47-vjeçarit.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.