Sali Berisha

Opinion

Kjo verë e 'nxehtë' për Partinë Demokratike

21 Maj 2021, 13:25| Përditesimi: 21 Maj 2021, 13:27

  • Share

Lulzim Basha i ka harruar ose do të bëjë sikur “nuk i harron” zgjedhjet. Më tepër rëndësi, ka sot për kryetarin e opozitës, rënia e hijes së Doktorit.Në derën e partisë së tij, ka trokitur Departamenti Amerikan i Shtetit, dhe ka sjellë “mandatën” për Sali Berishën. Për njeriun që ngriti Lulin, dhe e bëri gjithçka, ministër, kryetar bashkie, kryetar partie, të pasur dhe zullumqar. Tani ai nuk ka nga t’ja mbajë. Me hir ose pahir, do të mbrojë deri në fund “babain politik”, për të qenë edhe pas 13 Qershorit kryetar. Lulzim Basha nuk mund të bëjë hasha miqësinë e ngushtë me Sali Berishën. Nuk mund të mohojë lidhjet “kapilare” me njeriun më të pushtetshëm të vendit deri dje. Kjo verë e “nxehtë” për Partinë Demokratike, erdhi bashkë me zërat kundër kryetarit që humbi për herën e 5 zgjedhjet.

Por kulminante ishte “mandata” e DASH-it, që ka trazuar gjithë partinë. Tanimë terezia e Lulit rrotullohet rreth Doktorit, gjyqit të Parisit, vendimeve të tjera nga përtej Atlantikut, dhe rrezikut se “një ditë kjo mund të ndodhë edhe me Bashën e njëjta gjë”. Shumë hamendësi dritëshkurtëra, po rreken të thonë se “Doktori e pësoi nga qëndrimet ndaj Kosovës” apo dhe gjepura të tjera. Të tjerë thonë edhe se “ai e kishte grurë me amerikanët, si ndodhi kështu”. Por ja që, kur ti mendon se “e ke grurë me ata”, ndodhin edhe gjëma të tilla. Sepse filozofia e tyre, nuk është si mentaliteti bajraktarist i drejtimit të pushtetit në Shqipëri, “kap ç’të të kapësh, vidh ç’të vjedhësh” apo dhe “vrit ç’të vrasësh, sepse nuk të gjen gjë sa je në pushtet”.

Dritëshkurtërve dhe zullumqarëve të politikës shqiptare, u duket sikur “gjithçka harrohet sapo ikën nga froni i pushtetit”. Por kanë gabuar, dhe po gabojnë. Asgjë nuk harrohet, asgjë nuk mbetet pa ndëshkim, aq më tepër kur ke në krah partnerë besnikë si amerikanët. Kjo verë, do të jetë më e “nxehta” për Partinë Demokratike. Jo vetëm se varet fati i Doktorit dhe familjes së tij, por edhe sepse çdo veprim i pamatur nga Lulzim Basha lidhur me procesin e zgjedhjeve në parti, do të jetë një “minus” i madh për të ardhmen e tij politike. Shqipëria duket sikur ka hyrë papritur në një rrugëtim të mbarë demokracie.

Përfundimi i zgjedhjeve, mandati i tretë i Edi Ramës, përkrahja nga faktori ndërkombëtar, nisja e ndëshkimit për “peshqit e mëdhenj”, sinjalet inkurajuese nga SHBA dhe BE, nxitja e zbatimit të ligjit nga drejtësia e re, të gjitha përbëjnë një start të ri drejt integrimit dhe zhvillimeve pozitive të vendit. Lulzim Bashës, i duhet të përballet denjësisht me procesin e zhvillimeve të reja brënda partisë tij. Ai nuk mund të fshihet më pas hijes së Doktorit, ose duhet të largohet me përulësi nga posti i kryetarit. Rithemelimi i Partisë Demokratike, mbetet e vetmja zgjidhje për situatën në të cilën ndodhet ajo forcë politike sot.

Por këtë proces, kurrsesi nuk mund ta bëjë një kryetar në largim si Lulzim Basha, i cili nuk ka gjasa të mos ketë kuptuar asgjë, nga ç’ka po ndodh me partinë e tij. Opozita që ngriti ai, sot ka rënë, është çoroditur edhe më tej nga mandata e DASH-it për Doktorin.Partia Demokratike ka nevojë urgjente për një proces të zgjeruar debatesh mes strukturave nga qendra deri në bazë, dhe në fund për të vendosur rithemelimin e saj nga e para.

J.GJ./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?