Kjo është skema e përpiluar nga oficerët e policisë, për mënyrën se si ndodhi aksidenti me 3 viktima të së njëjtës familje, e dy të plagosur rëndë, gjatë orëve të para të mëngjesit të së shtunës.
Në skemën e siguruar nga Report Tv dhe që mban datën 16 qershor ora 00:25, ekspertët rrugorë kanë përcaktuar se mjeti i drejtuar nga Arlintin Alia është përplasur me bordurën e rrethrrotullimit. E më pas, si shihet edhe në skicë, mjeti ka bërë disa rrotullime mes përmes rrethit, duke përfunduar në anën tjetër të rrugës, e duke u përplasur përfundimisht me pjesën e bordurës së betonit.
Në aksidentin fatal humbën jetën çifti i bashkëshortëve, Bardhok e Valentina Bibaj, si dhe vajza e tyre Florisa Bibaj, 22 vjeçe.
Vajza tjetër e familjes, Xhuljana Bibaj, mësohet nga Spitali i Traumës se tashmë e ka kaluar rrezikun për jetën. Drejtuesi i mjetit, mik i familjes Bibaj, Arlintin Alia gjithashtu mbeti i plagosur. Ky i fundit u prangos në spital, e ndërsa këtë të martë u la nga gjykata në "arrest me burg".
Nga hetimet rezultoi se shkak i aksidentit tragjik ishte shpejtësia tej normave të lejuara.