KLOS- Viti i ri shkollor nuk ka nisur për 250 nxënës të fshatit Suç në Klos.
Në shenjë proteste nxënës e prindër të disa fshatrave kanë bojkotuar mësimin pasi prej dy vitesh shkolla e fshatit që u dëmtua nga tërmeti i nëntorit nuk është rindërtuar.
Vetë banorët ankohen se e kanë të pamundur t’i çojnë fëmijët për të mësuar në shkolla të tjera larg banesave të tyre pasi nuk mund të përballojnë kostot.
“Ka një vit e gjysmë, po plotësohen 2 vjet që na kanë mbyllur shkollën, padrejtësisht. Shkolla nuk ka asgjë po ta shikoni ka vetëm plasaritje sovatimesh”, thonë banorët.
Ata shprehën se bojkoti do të vijojë deri sa të kenë një zgjidhje për fëmijët.
"Alternativat e Bashkisë janë për mosshkollim fëmijësh, jo për shkollim. Do të thotë që janë shpërndarë nëpër shkolla të largëta, problem është që fëmijët nuk pranojnë t’i cojnë fëmijët atje edhe për shkak se janë vende të rrezikshme por edhe të largësisë së shkollës, por problem më I madh është se nuk bëhet mësim", thonë ato.
Drejtori i Zyrës Arsimore thotë që për shkak të dëmtimit nga tërmeti godina është shpallur e pabanueshme nga Instituti i ndërtimit dhe për këtë janë krijuar mundësi alterantive për zhvillimin e mësimit.
“Përsa i përket godinës së shkollës së mesme e Bashkuar “Haxhi Lata”, Suç nga Institutit i Ndërtimit është shpallur e pabanueshme dhe e rrezikshme për jetën e njerëzve. Duke marrë parasysh këtë fakt ne nuk mund të pranojmë që ajo shkollë të hapet derisa të merret një vendim i dytë për rikonstruksion ose rindërtim. Ne kemi ofruar transportin dhe ambientet ku këta nxënës do të zhvillojnë mësim”, tha Drejtori ZA Klos, Agron Hoxha.
Në Qershor të vitit 2020 ekspertët e Institutit të Ndërtimit në Tiranë kanë vendosur që shkolla e mesme e Bashkuar “Haxhi Lata” do t’i nënshtrohej një rikonstruksioni të plotë, por ende nuk është bërë asgjë.