Kodi i Ri Zgjedhor, i miratuar pas një dakordësie PD-PS në fund të sesionit parlamentar do të hasë bllokadën e radhës të të vegjëlve, me shpresën e një përpjekje të fundit për të mos u implementuar në zgjedhjet e 2025.
Listat, që u mbyllën në 1/3 e fillimit dhe u lanë të hapura vetëm në 2/3 do të përfundojnë në dyert e Gjykatës Kushtetuese në fillim të shtatorit.
Parti të vogla opozitare janë në fazën e fundit të përgatitjes së padisë për t’i dërguar në Kushtetuese me një kërkesë të bashkuar të tyre.
Këtë e pohoi për Report Tv ai që pritet të jetë “udhëheqësi” ligjor i padisë së partive të vogla politike, kreu i LZHK Dashamir Shehi që thotë se synohet të shkohet me një kërkesë-padi të vetme, mes partive të vogla aleate si LZHK, lëvizjeve të reja politike si “Shqipëria Bëhet” dhe deputetëve mes të cilëve pritet të jetë edhe grupimi Basha.
Në ndryshimet e kodit Zgjedhor, kundërshtohet vetëm lista e kandidatëve për deputetë që parashikon 1/3 e listës të fiksuar që nuk I nënshtrohet votimit preferencial dhe pjesa tjetër 2/3 e hapur ku kandidatët luftojnë mes tyre për më shumë vota, dhe jo ndryshimi i dytë I miratuar mes PD-PS që mundëson votën e diasporës.
Kodi i Ri zgjedhor hyri në fuqi disa ditë më parë, ndërsa Presidenti Bajram Begaj në argumentin e gjatë shoqëruar dekretimit të tij, vuri theksin te konsensusi politik ndërsa shmangu komentin për çështjen e listave të kandidatëve. Ai u miratua me 106 vota pro mes shumë debateve, në seancën e fundit parlamentare.