Europiani i koronavirusit po shndërrohet në Europianin e surprizave të mëdha. Faza e 1/8 ka qënë më e paparashikueshmja dhe më emocionuesja që mund të kujtohet me goleada, përmbysje rezultati ,kohë shtesë dhe me gjuajtje penalltish. Në këtë fazë të Euro 2020 u eliminua Portugalia kamponia e Europës në fuqi dhe Franca kampionia e Botës në fuqi dhe në asnjë turne tjetër nuk kishte ndodhur diçka e tillë. Statistikat e fazës së parë me eliminim direkt janë impresionuese. U shënuan 29 gola në 8 ndeshje ose me një mesatare prej 3.6 golash për ndeshje dhe në 4 nga 8 ndeshjet e kësaj faze u deshën kohët shtesë për të përcaktuar ekipin që kalonte në çerekfinale.Ky Europian është aq i balancuar dhe surprizues saqë vetëm 3 nga 6 kryesueset e grupeve arritën të kalonin më tej. Kaluan në çerekfinale Italia, Belgjika dhe Anglia ndërsa u eliminuan Franca, Holanda dhe Suedia që i fituan grupet respektive.
Tjetër e dhënë shumë interesante është se nga 4 skuadrat që avancuan si të tretat më të mira tre prej tyre kaluan mes tetë më të mirave Çekia, Zvicra e Ukraina dhe vetëm një u eliminua Portugalia. E dhëna tjetër që konfirmon një turne të “çmendur” ka të bëjë me atë që ndodhi me grupin F të cilësuar si grupi i vdekjes. Shumë prej specialistëve mendonin se nga ai grup ku ishin Franca, Portugalia e Gjermania do të dilte kampionia por asnjë prej këtyre skuadrave nuk u kualifikua për në çerekfinale, pra grupi i vdekjes , vdiq. Tashmë me vetëm 7 ndeshje të mbetura për t’u luajtur nga 51 në total ka mbetur vetëm momenti i së vërtetës dhe statistikat kanë rëndësi. Anglia nuk ka pësuar gol në katër ndeshjet e luajtura ndërsa Spanja ka shënuar më shumë, 11 gola e më pas vijnë Italia e Danimarka me nga 9 gola.
Në aspektin individual Cristiano Ronaldo vijon të jetë golashënuesi më i mirë me 5 gola por që është tashmë jashtë turneut dhe ata që mund ta arrijnë janë Schick me 4 gola e Seferovic e Lukaku me nga tre. Sistemi i mbrojtjes me tre është ai që po imponohet pasi nga 8 ekipet e mbetura 5 prej tyre luajnë me tre mbrojtësa qëndre. Danimarka, Çekia, Belgjika, Zvicra dhe Anglia në ndeshjen ndaj Gjermanisë. Dhe ky kompeticion magjik po vërtetohet gjithmonë e më shumë se është turneu i atyre futbollistëve që vrapojnë shumë dhe shpejt