Burgu i Spaçit

Kokomani dhe Lezho/ Letra e rrallë e dy gazetarëve që tronditi diktaturën komuniste

19 Maj 2019, 08:47| Përditesimi: 19 Maj 2019, 16:46

  • Share

Prolog

Në ditët e para të vitit 1979 në biseda me disa shokë të ngushtë mësova se dy miqtë e mi të mirë, gazetarët e talentuar Fadil Kokomani dhe Vangjel Lezho, me të cilët në vitet 1958-1963 kisha punuar edhe unë si gazetar në Radio Tirana dhe që kishin rreth 16 vjet që vuanin në burgjet dhe kampet komuniste të përqendrimit, ishin pushkatuar. Dhe bashkë me ta edhe një i burgosur tjetër, Xhelal Koprencka.

Arsyeja ishte se dy të parët, dhe më pas edhe i treti, veç e veç, u kishin dërguar letra Hysni Kapos, (edhe për Komitetin Qendror të PPSH-së), në të cilat u kërkonin atyre që të mënjanonin nga udhëheqja Enver Hoxhën që po e veçonte Shqipërinë nga bota…

Kaq pata mësuar atëhërë dhe asgjë më shumë. Madje dhe kjo ishte e tepërt, po të marrim parasysh se Sigurimi famëkeq me anë të hafijeve të veta që gëlonin kudo, i kishte sytë hapur e veshët pipëz.

Në Bibliotekën Kombëtare punonte asokohe një grua shumë e afërt me Fadil Kokomanit, por sidoqoftë, edhe kur pas disa vjetesh, me shumë drojë mora guximin ta pyesja për fatin e tij dhe Vangjelit, ajo m’u përgjigj se nuk dinte gjë… .

Kjo ndodhi vetëm pas vitit 1985, pra pas vdekjes së Enver Hoxhës. Atëherë patëm zemër të bënim edhe pyetje të kësillojshme. Pra, atëherë, ndonëse përëri nën zë, morëm e dhamë me shokë dhe mësuam se ato që hamendësoheshin për Fadil Kokomanin, Vangjel Lezhon dhe Xhelal Koprenckën ishin të vërteta. Me fjalë të tjera, që ata u kishin shkruar letra Hysni Kapos dhe, për më tepër, mësuam se një ndër përcaktimet e tyre për Enver Hoxhën, ishte se ai po e mënjanonte vendin tonë nga bota.

Po cila ishte përmbajtja e këtyre letrave? Këtë nuk e dinte askush dhe nuk kishte si ta dinte. Kjo mbeti mister edhe pas rrëzimit të komunizmit.

Aty nga tetori i vitit 1994, kur po shkruaja librin ”Historia e Radiotelevizionit Shqiptar, (1938-1990)”, për të mësuar më shumë për Fadil Komomanin dhe Vangjel Lezhon, veprimtarinë krijuese të të cilëve si gazetarë do ta trajtoja në këtë libër, duke u ndalur veçanërisht te letra misterioze drejtuar “Kupolës së Kuqe” nga burgu i Spaçit, u takova me publicistin dhe shkrimtarin e njohur Fatos Lubonja. Ai kishte kaluar së bashku me ta disa vjet të dënimit të tij 17-vjeçar në burgun e mësipërm dhe po shkruante librin ”Ridënimi”, një pjesë e mirë e ngjarjeve të të cilit u kushtohet atyre të dyve dhe Xhelal Koprenckës.

Fatos Lubonja, jo vetëm më rrëfeu fakte që nuk i dija, por edhe më dhuroi për t’i përdorur në librin tim “Historia e … “ fragmente të fjalës së fundit të Fadil Komomamit dhe Vangjel Lezhos, pasi trupi gjykues u kishtë dhënë atyre dënimin me vdekje.

Gjatë hulumtimeve të tij nëpër arkiva, Lubonja kishte arrirur të njihej me këtë dokument me shumë vlera, që dëshmonte që ata të dy, edhe pse dënoheshin me vdekje jo vetëm nuk kërkonin falje, por vazhdonin të demaskonin regjimin totalitar stalinist të Enver Hoxhës. Por kur e pyeta për letrën që ata të dy dhe pastaj veçmas edhe Xhelal Koprencka u kishin drejtuar udhëheqësve komunistë, ai ngriti supet. Atyre letrave nuk kishte arritur deri atëherë t’u binte në gjurmë.

Dhe ja, para disa ditësh, si rrufe në qiell të hapur, mora vesh se në dy gazeta të përditshme ishte botuar letra e gjatë e panjohur deri tani, për të cilën shkrova pak më sipër!. . . Pra, pas 31 vjetësh, saktësisht shkruar më 8 korrik 1978. (Për letrën e Xhelal Koprenckës deri tani asnjë e re. Ajo nuk është zbuluar ende). Por, sidoqoftë, zbulimi dhe botimi i letrës së Fadil Kokomanit dhe Vangjel Lezhos përbën një ngjarje të madhe, e cila, duke pasur parasysh edhe fjalën e tyre pas vendimit të dhënë nga trupi gjykues që i dënonte me vdekje, pjesë të së cilës do të citoj në vazhdim të këtij dossieri, është një dokument i rrallë që dëshmon për qëndresën, guximin dhe trimërinë e pashembullt të tyre.

Dhe kjo, sepse ata, ndonëse e dinin që pas dërgimit të kësaj letre nuk i priste veçse vdekja, ua përlasën të vërtetën në fytyrë udhëheqësve komunistë dhe drejtpërdrejt Enver Hoxhës, për të cilin pa asnjë ngurrim, veç përcaktimeve të tjera me të cilat do të njihemi, duke përdorur shprehjen e njohur të Luigji 16-të: “Shteti jam unë”, (”L’atat c’est moi”), e cilësojnë diktator si çdo mbret tiran dhe despot që nëpërkëmb të drejtat më elementare të popullin të vet.

Ose, më saktë, sic venë në dukje ata, ai që si “Ali pasha, i cili qe i detyruar të vdesë si qen i rrahur, i rrethuar vetëm nga 20 besnikë, kërkon mbi kurbanët e vet, mbi kockat e tyre kërkon të ngrejë një kështjellë të pamposhtur. Ai. . që i përngjan aq shumë…atij. ”

Eshtë e vertete që lexues që janë njohur dhe njihen me përmbajtjen e plotë të kësaj, që gjendet në internet, kanë mbetur të habitur nga shprehje të Fadil Kokomanit dhe Vangjel Lezhos me anë të të cilave e quajnë veten “komunistë dhe publicistë të brumosur që të vegjël me idetë e Tetorit të Madh, të Leninit dhe të PK të BS …”. Dhe kjo sepse ata studiuan në shkolla të larta të Bashkimit Sovjetik, (1953-1959), përkatësisht i pari në Lenigrad (1952-57) dhe i dyti në Moskë, (1954-1959, kur fill pas vdekjes së Stalinit, në mars të vitit 1953 Hrushovi, që erdhi më krye të PK të dhe shtetit sovjetik filloi një sërë reformash “të cilat synonin të korigjonin aspekte të vecanta të teorisë dhe praktikës staliniste. ”(FESH, 2008, vël. 1, faqe 962), që u sanksionuan në Kongresin e 20-të të PK të Bashkimit Sovjetik, i cili u mbajt në shkurt të vitit 1956 në Moskë.

Ata qenë dëshmtarë të procesit të destalinizimit, pra të luftës kundër kultit të individit të Stalinit, i cili me aparatin e tij të dhunshëm i kishte sjellë shumë mjerime dhe fatkeqësi popujve sovjetikë. Dhe ky proces u shtri dhe në vende të tjera të Lindjes Komuniste, me mënjanimin e e udhëheqësve stalinistë të tyre, (por jo në Shqipëri).

Ata qenë dëshmitarë të rehabilitimit të mijëra njerëzve të pafajshëm që ishin dënuar me burgime dhe internime, të rishikimit të planeve ekonomike duke i kushtuar më shumë rëndësi industrisë së lehtë me pikësynim shtimin e prodhimit të artikujve ushqimorë dhe të veshmbathjes.

Mbi të gjitha, ata qenë dëshmitarë të zbatimit të politikës së bashkekzistencës paqësore me vendet perendimore, që ndërmori B. S, e cila solli zhdukjen e së ashtuquajturës “perde të hekurt” dhe përmirësimin e dukshëm, sidomos të marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ata qenë dëshmitarë gjithashtu që, falë kësaj klime, u përmirësuan edhe mërrëdheniet e tyre në fusha të tjera shkencore, kulturore, artistike…, se filloi një periudhë tjetër në të cilën mënjanohej rreziku i një lufte të re botërore, pra, se këto blloqe me sisteme të ndyshme shoqërore e politike mund të bashkëjetonin.

Por kur u kthyen në atdhe, Fadil Kokomomani dhe Vangjel Lezho, siç do të vë dukje dhe në pjesët e tjera të këtij dossieri, u mbushën me keqardhje dhe me mllef kur vunë re se Enver Hoxha dhe sejmënt e tij vazhdonin me fanatizëm mësimet e Stalinit duke zbatuar edhe më ashpër “diktaturën e proletariatit” , dukuri të së cilës u panë fare qartë në zhvillimet e Konferencës së Tiranës, (prill 1956), ku Hoxha mbyti me dhunë zërin e komunistëve të ndershëm dhe shumë prej tyre i dënoi familiarisht me burgime dhe internime që zgjatën deri në mars të vitit 1991.

Të nxitur edhe nga vendimet e Kongresit të 20-të të PK të BS, ku ishte dënuar botërisht kulti i Stalinit, nga foltorja e e kësaj konference ata sollën zërin e komunistëve të thjeshtë dhe punonjësve të institucioneve dhe ndërmarrjeve ku punonin, kërkuan demokratizimin e jetës së partisë dhe përmirësimin e gjendjes ekonomike të popullit të thjeshtë që vazhdonte të vuanten, në një kohë kur udhëheqësit komunistë ishin zhytur të mira të bollshme materiale.

Fadil Kokomani dhe Vangjel Lezho nuk mund të pajtoheshin me kursin stalinist të Enver Hoxhës që, për hir të ruajtjes së pushtetit të tij faraonik, bëri ç’është e mundur që të prisheshin marrëdhënit me Bashkimin Sovjetik.

Në këtë situatë, ata, sic do të shpjegoj më poshtë, në verë të vitit 1963 vendosën të arratiseshin nga liqeni i Pogradecit, të hidheshnin në Jugosllavi dhe që atje në Bashkimin Sovjetik. Por forcat e Sigurimit që kishin rënë në gjurmë të tyre, i kapën, i burgosën dhe “drejtësia”, për tradhti të lartë ndaj atdheut, i dënoi me… 25 vjet heqje lirie.

 

Dy letrat

Dhe ja, më 8 korrik të vitit 1978, kur shihnin se Enver Hoxha vazhdonte të ndiqte kursin e tij të shtypjes së dhunshme ndaj popullit dhe për më tepër të vetizolimit të Shqipërisë, pas 16 vitesh të kaluara në burgje dhe kampe përqendrimi, Fadili dhe Vangjeli vendosën të shkruanin letrën, tashmë të famshme, dhe t’ia dërgonin Hysni Kapos, njeriut më të besuar të diktatorit duke shpresuar se udhëheqja komuniste shqiptare do ta mënjanonte Enver Hoxhën që po e “zhyste Shqipërinë në humnerën më të turpshme të historisë” siç vënë ata në dukje në letrën e tyre. Por kjo nuk ndodhi. Përkundrazi, pas një procesi gjyqsor “drejtësia komuniste” e urdhëuar nga lart, i dënoi ata me pushkatim, vendim që u zbatua më 28 maj të vitit 1979.

Kaluan vite e vite. Diktatura komuniste u shemb. Shumë të burgosur politikë, të dënuar gjate periudhjës komuniste filluan të rehabilitoheshin. Për ta nisën shkruanin gazetat, të përgatiteshin emisione nga mediat elektronike. Çuditërisht askush nga drejuesit e RTVSH-së, pas vitit 1990 nuk u kujtua për gazetarët e pushkatuar, Fadil Kokomani dhe Vangjel Lezho, edhe sot nga gazetarët më të mirë të Radio Tiranës në të gjitha kohët.

…Ishte mëngjesi i 20 majit të vitit 1994, kur hyra në zyrën e Skënder Buçpapajt, atëherë drejtor i përgjithshëm i RTVSH-së. Dhe jo pa qëllim. I kujtova se më 28 maj mbusheshin 15 vjet nga dita e pushkatimit të Fadil Kokomanit dhe Vangjel Lezhos, si dhe të Xhelal Koprenckës, një të burgosuri tjetër politik që ishte pushkatuar së bashku me ta. Shtova se pas rënies së diktaturës, ishte rasti që ky përvjetor të përkujtohej me një ceremoni të veçantë.

Njeri i kulturuar, poet dhe publicist i njohur, ai me falenderoi shumë dhe së bashku dhe të nesërmen hartuam edhe planin për organizimin e një mbledhjeje solemne në bashkëpunim me Komitetin e të Përndjekurve Politikë. Dhe kështu u bë.

Ndërkohë , unë së bashku me Pirro Nacen, gazetar dhe radiokronist i njohur në Radio Tirana në vitet 50-60-të, i cili u nda nga jeta më 2006, që të dy ne, shokë të ngushtë të Fadil Kokomanit dhe Vangjel Lezhos, përgatitëm një kumtesë, që më pas u bë bazë e këtij shkrimi, kushtuar atyre.

Qe një mbledhje prekëse kushtuar këtyre gazetarëve martirë, si dhe shokut të tyre, Xhelal Koprenkës, të cilëve, për qëndrimin e tyre të pamposhtur, mbajtur gjatë 16 vjetëve që kishin kaluar nga viti 1963, deri në ditën e pushkatimit nëpër burgje dhe kampe përqendrimi, në atë ceremoni nga Presidiumi i Kuvendit Popullor iu dha dekorata “Martirë të Demokracisë”.

Vec kësaj, si Radio Tirana, ashtu edhe RTSH-ja, përgatitën emisione të posaçme kushtuar atyre. Me këtë rast edhe unë botova gjithashtu një artikull të gjatë në gazetën “RD”.

Cilët ishin Fadil Kokomani dhe Vangjel Lezho?

“I nderuar kolegj gjykues,

Xixëllonjës netëve të bukura të verës i duket sikur ndriçon gjithësinë me dritëzën e saj: në të vërtetë nuk ndrit dot as edhe një fije bari. E njejta gjë ndodhi dhe me aktakuzën e këtij procesi gjyqësor. Ajo u venit… Xhirimi si në film i tërë skenave hetimore solli këtu përpara jush dy dosje të mëdha, të fryra e të potershme, që, po t’i redaktosh, u mbetet vetëm ajo për të cilën u dënuam bashkë me Vangjelin…”

Sikur të mos e dija që këto reshta janë shkëputur, nga njeri prej proceseve gjyqësore më tragjike dhe më tronditëse që janë zhvilluar ndonjëherë gjatë regjimit të tmerrshëm komunist në vendin tonë, (17 maj 1979), do të gjykoja që ndonjë shkrimtar i talentuar ka arritur të vërë në gojën e njërit prej personazheve të tij të burgosur fjalë kaq prekëse.

Por, në fakt, nuk është aspak kështu.

Në këtë rast, si edhe në raste të tjera që do t’u paraqes lexuesve të këtij dosieri nuk ka punuar kurrsesi fantazia e ndonjë shkrimtari për t’ia pasur zili. Ato radhë i ka shkruar në një nga qelitë e Burgut të Ri të Tiranës i burgosuri politik, Fadil Kokomani, së bashku me shokun e tij, Vangjel Lezho, pasi të dy e dinin se, veç pushkatimit, nuk i priste asgjë tjetër.

Vangjel Lezho

Të habit gjakftohtësia, guximi dhe trimëria e këtyre dy të burgosurve, që, edhe në ato caste aq të rënda, jo vetëm shkruan mbi 20 faqe, që përfaqësonin fjalën e tyre të mbrojtjes para trupit gjykues, por edhe i shkruan me frymëzim, talent, me një gjuhë fshikulluese e demaskuese, që i bëri anëtarët e trupit gjykues, sipas dëshmive të të pranishmëve në sallën e gjyqit, të mbeteshin të ngrirë e të mos guxonin ta ndërpritnin ligjëratën e tyre të madhërishme.

Ç’kishte ndodhur, përse po zhvillohej ky proces gjyqësor, përse Fadil Kokomani e Vangjel Lezho, të dënuar me nga 25 vjet burg, po ridënoheshin këtë radhë me pushkatim, pasi kishin bërë rreth 16 vjet burgim të rëndë në kampet e përqendrimit. Bashkë me ta edhe Xhelal Koprencka, një tjerër i burgosur politik.

Fadil Kokomani dhe Vangjel Lezho, sic e pamë më sipër, ishin dy shokë që u lidhën me një miqësi shumë të ngushtë gjatë viteve të studimit për gazetari në shkollat e larta të Bashkimit Sovjetik.

Fadili kishte lindur në Durrës më 1933 në një familje me tradita atdhedashëse. Vangjeli kishte lindur një vit më parë në Fier, në një familje të varfër. Fadili kishte mbaruar shkollën e mesme në qytetin e lindjes dhe ishte dërguar të studionte për gazetari në Leningrad. Dy vjet më pas, me të mbaruar shkollën pedagogjike në Elbasan, në Leningrad e shkonte për të njejtat studime edhe Vangjeli. Ja, pra njohja midis tyre, e cila vazhdon e thellohet edhe më shumë, edhepse Vangjeli, për arsye shëndetësore detyrohet të vazhdojë për gazetari studimet në Moskë.

Kjo miqësi bëhet edhe më e fortë në Tiranë. Fadili, me të mbaruar studimet, emërohet më 1957 gazetar në Radio Tirana. Dy vjet më pas po në Radio nis të punojë edhe Vangjeli.

I kam njohur që të dy nga afër. Në një konkurs letrar në UT më 1958 fitova një cmim me një tregim dhe Fadili , që përgatiste “Emisionin e Rinisë”, më ftoi në një intërvistë. Ishte koha kur sapo kisha nisur të bëja prova për folës në Radio. Dhe ishte Fadili së bashku me folësen e mirënjohur, Vera Zheji, që më nxitën e më dhanë zemër që të punoja me ngulm në mikrofon.

Fadil Kokomani

Disi i shkurtër, por me trup të ngjeshur, fytyrë të lëmuar, gjithnjë të qeshur, ku binte në pah hunda e drejtë e sytë e kafenjtë, Fadili ishte po aq gazmor dhe i ciltër, sidomos në biseda, ku menjëherë të bentë për vete, vecanërisht me kulturën e gjerë në fushën e letërsisë dhe të muzikës. Dhe tërë këtë kulturë ai e derdhte në emisionet radiofonike, disa prej të cilave kam pasur rast t’i lexoj si folës në mikrofon. Ato, duhet thënë se qenë të një niveli shumë të lartë artistik, krahas emisioneve të përgatitura nga Pirro Nace, Ymer Minxhozi, Liri Celi, Maqo Afezolli, Kadri Zotria e gazetarë të tjerë të Radio Tiranës.

Edhe Vangjeli, me të nisur punën më 1959 në redaksinë e kulturës, së bashku me Fadilin, dëshmoi se kishte talent. Ai vinte i gjatë, i hajthëm, por i zhdërvjelltë, me fytyrë ezmere, pakëz eshtake, ku përshkënditnin sytë e zinj dhe plot gjallëri.

 Të dy ishin nga të parët gazetarë në Radio Tirana, që kishin diplomën e gazetarit, dukuri e rrallë e rrallë deri atëherë në këtë institucion. Të dy ishin po të parët që kërkuan rrugë të reja, për ngritjen e nivelit artistik të emisioneve në Radio, ku kishte ende dobësi.

Kishte dhe një arsye:Ata vinin nga një vend ku niveli i Radios ishte i lartë, sidomos pas Kongresit të 20-të, ku u dënua kulti i individit i Stalinit dhe letërsia, artet e gazetaria patën një hop shumë të madh cilësor. Këtë e vëreja edhe unë, që, ende student i vitit të fundit në UT për gjuhë-lëtërsi, kisha nisur të lexoja me vemendje shtypin sovjetik.

Mbi të gjitha, në fushën e letërsisë dhe arteve, dhe vecanërisht kinematografisë pas kongresit në fjalë, kishte nisur një luftë e ashpër kundër dogmatizmit, që i cuan ato në nivele të larta botërore. (Kujtoni vetëm novelën “Fati i njeriut” të Shollohovit, që u ekranizua dhe u shfaq me sukeses në shumë vende të botës, madje edhe në SHBA, si dhe filmat e tjerë “Shtegtojnë krillat”, ”Baladë për ushtarin”, ”I dyzetenjëjti”, ”Qiell i pastër”, etj. , që u vlerësuan më cmime në festivale të njohura ndërkombëtare).

Të ndikuar nga këto dukuri të përjetuara gjatë viteve të studimit, Fadil Kokomani dhe Vangjel Lezho sollën kështu shumë të reja në emisionet e tyre, të cilat nuk jemi në gjendje t’i gjykojmë, sepse, duke qenë materiale radiofonike, ato nuk janë ruajtur. Por dihet se Fadili kultivoi me mjeshtri të rrallë, përshkrimin, reportazhin, e mbi të gjitha, “novelat muzikore”, kushtuar figurave më të mëdha të muzikës botërore, që pëlqeheshin së tepërmi nga dëgjuesit tanë.

Midis tyre më kujtohet edhe një emision shumë interesant që ai së bashku me gazetarin tjetër, Kadri Zotria, kushtuar tenorit të madh italian, Tito Skipa. Më 1959, me rastin e festave të nëntorit ai vizitoi vendin tonë dhe, midis të tjerash, u shpreh në mikrofonin e Fadilit se krenohej që kishte origjinë shqiptare, duke u nisur edhe nga mbiemri i tij Skipa, (pra, skip-shqiptar).

Edhe Vangjeli ndiqte rrugën e Fadilit, sidomos në emisionet për fëmijë. Eshtë e rëndësishme të theksoj se që të dy gjetën mbështetjen dhe përkrahjen e drejtorit të atëhershëm të Radio Tiranës, Petro Kito, dhe zëvendësit të tij, Ymer Minxhozi, të cilët i cmonin për nivelin artistik dhe pjekurinë profesionale.

Por në janar të vitit 1961 drejtor i Radio Tiranës u emërua Thanas Nano, ish-drejtori i Agjensisë Telegrafike Shqiptare, e më pas zv. drejtor i drejtorisë së propagandës në Komitetin Qendror të PPSH-së, njeri i vrazhdë, i ftohtë pedant dhe konservator. Ishte periudha kur pas mbledhjes së Moskës të 81 partive , në nëntor të vitit 1960, Enver Hoxha, për të ruajtur fronin “perandorak”, u shkëput nga Bashkimi Sovjetik.

Pas një periudhe liberalizmi, që u shfaq edhe në letërsinë , artet tona, dhe madje edhe në gazetari, pra, edhe në programet e Radio Tiranës, dalëngadalë nisi një censurë ndaj cdo risie që në Radio u frenua me shumë zell nga Thanas Nano.

Megjithatë, në këtë përiudhë Fadil Kokomani shkroi përshkrimin “Shungullon lugu i Malësisë”që la mbresë te dëgjuesit, u transmetua dhe u ritransmetua dhe madje u cmua edhe në një konkurs te radiove të vendeve të lindjes.

Ishte përsëri Fadili në këtë periudhë që nisi rubrikën “Universiteti Popullor i Radios”, me emisione të larmëta nga fusha të ndryshme të shkencës, kulturës, artit, që u bë nga programet më të pëlqyeshme të Radio Tiranës, rubrikë që transmetohej cdo të martë e të enjte në oërn 20. 30-21. 00.

Pikërisht në kuadrin e kësaj rubrike ai filloi ciklin “Dukuri të letërsisë botërore të shekullit XX” dhe vazhdoi të shkruante, vec novelave muzikore, edhe emisone të tjera në këtë fushë, sepse muzika ishte pasion tij . Fadili kishte ndjekur një kurs për kanto në Konservatorin e Leningradit dhe vazhdoi edhe një kurs tjetër në Tiranë me sopranon e njohur Marije Kraja, e cila dëshmonte se ai mund të bëhej tenor i mirë.

Si Fadili, ashtu edhe Vangjeli ishin të dhënë shumë pas letërsisë artistike. Lexonin vazhdimisht rreth 20-30 faqe në ditë. Fadili, përvec rusishtes, që e zotëronte në mënyrë të përkryer, mësoi edhe italishten.

Të dy bashkëpunonin edhe me organe të tjera të shtypit. Penës së tyre u përkasin, për shembull, disa krijime gazetareske, midis të cilave reportazhi “Në kilometrin 10”, botuar në revistën “Nëntori”, nr. 10, 1961.

Për të kuptuar se c’prirje realiste përshkonte krijimtarinë e tyre, mjafton të citojmë fragmentin e fundit të këtij përshkrimi:

“Rrugës do të largohet kamioni i fundit me mbeturinat e e lëndëve të ndërtimit. E, megjithatë, fasadat do të jenë ende të njoma, dritaret e panumërta me sy të gëzuar e të lumtur do të mbushen plot dritë. Ja, pra, e tillë eshtë tabloja e jetës sonë. Ajo nuk është as simbol, as alegori, as analogji. Ajo duhet kuptuar ashtu sic është…. ”

Fraza e fundit, ”ajo duhet kuptuar sic është” për mendimin tim, me domethënie të qartë, sic duket, u ka shpëtuar redaktorëve. Fadili e Vangjeli, me sa duket, nuk i kishin shkruar rastësisht ato fjalë. Kjo ishte kredoja e tyre. Dhe, po të jetonin, në veprat e tyre do të dinin të zbërthenin më thellë këtë kredo me talentin e tyre që nuk u mungonte, por që vdekja mizore dhe e parakohshme nuk ua la ta shprehnin më gjatë.

Fadil Kokomani, ndërkohë, botoi edhe shkrime në organe të tjera të shtypit. Jo shumë, sepse puna intensive në Radio e pengonte. Por ndër shkrimet e tij po përmend artikujt “Madamë Baterflai dhe artistët tanë’, (“Zëri i rinisë”, 19 prill 1961), ”Ludvig Van Beethoven”, (“Zëri i Rinisë”, 5 korrik 1961), ”Në rrugë”, (“Zëri i Rinisë”, 21 tetor 1961), ”Këngëtarët e malësisë”, (“Zëri i Popullit”, 26 qershor 1960), tregimin “Kënga na bashkoi”, ”Zëri i Rinisë”, 4 mars 1961, dhe krijime të tjera në revistën “Ylli”.

Ndonëse shkroi pak tregime, Fadili tregoi se i kishte të tëra mundësitë të bëhej shkrimtar serioz, sepse, vec të tjerash, kishte gjuhë të rrjedhshme, dialog të shkathët dhe të natyrshëm, forcë përshkruese, që e dëshmon edhe ky fragment nga tregimi “Malësorja e vogël”, (“Zëri i Rinisë”, 31 maj 1961), të cilin po citoj më poshtë:

“Bulëzat e fundit të vjeshtës, ndërkohë u shkrinë, u tretën njëherësh nga rrezja e parë e diellit mëngjesor, që m’i lëbyri sytë ende të mugëtuar.

Shfletoja veprën e Migjenit dhe herë pas here, për t’u këndellur, hidhja vështrimin në thellësi të bjeshkës, ku, mes gurësh të stërmëdhënj, që zbardhonin, shfaqej një si njollë ë e zezë- shpella e trimave…Qetësia përreth, pyjet e gjelbëruara ku kishte bredhur poeti, i kredhur në botën e tingujve vrundullues, të tingujve të natyrës magjepsëse, freskia flladitës, sikur më hovëzonin …”

Fadili gjatë punës në Radio Tirana provoi jo pa sukses të shkruante edhe drama. Në vitin 1962 në emisionin “Teatri në mikrofon”u transmetua një dramë e tij kushtuar atdhetarit të shquar Mihal Grameno. Për fat të keq, as ajo dhe as ndonjë krijim tjetër i tij dhe Vangjelit, pas arrestimit të tyre, nuk u ruajtën në fonotekën e Radio Tiranës.

Të dy shokët e ngushtë jetonin në kushte të vështira. Fadili në një dhomë të ftohtë në Radio dhe Vangjeli një një hotel të mjërë në qendër të Tiranës, së bashku me gruan, një moskovite e këndshme, e quajtur Ina, që kishte lindur një fëmijë dhe, sic i kam parë vetë, ndjeheshin tepër ngushtë në atë mjedis.

Për më tepër, e shoqja ishte studente dhe i duhej edhe të të mbante fëmijën, edhe të studionte. Sidoqoftë, të dy ishin optimistë, ashtu si edhe Fadili, i cili, në verë të vitit 1960 priste të shkonte për vizitë në Bashkimin Sovjetik.

Të dy shokët kishin një konceptim shumë realist jo vetëm për letërsinë, por edhe për jetën. Këtë e kuptova kur në gusht të vitit 1959, pas mbarimit të studimeve në UT, u emërova gazetar në Radio. Tashmë isha koleg me Fadilin dhe më pas edhe me Vangjelin. Dëshira ime ishtë të bëhesha gazetar si ata, sidomos si Fadili. Dhe kështu ndodhi. Nisa të ndiqja krijimtarinë e tij dhe të përfitoj nga ajo. Sic do të shohim më poshtë, edhe njohja u bë më e madhe, më e ciltër.

Si u afrova edhe më shumë me Fadilin

Nuk harroj shkurtin e vitit 1960, kur mua dhe Fadilin na caktuan të bënim të ashtuquajturën punë fizike në kodrat e Tiranës, aty ku ngrihet Sanatoriumi. Ishte muaji i dytë që kishte nisur të zbatohej kjo metodë kineze, e cila do të shërbentë gjoja për të shkundur e cmpirë administratën që duhej, edhe ajo, të dinte në praktikë se cfarë ishte puna në prodhim.

Gjatë janarit të atij viti punën fizike e kishte kryer as më shumë ë as më pak edhe vetë kryeministri, Mehmet Shehu, për të cilin poeti dhe gazetari i njohur, Dritëro Agolli, kishte botuar edhe një reportazh në “Zërin e Popullit”.

Dhe ja, një mëngjes ishim ulur diku në një bregore pranë godinës së Sanatorimit të Tiranës, që ishte në mbarim e sipër, e po hanim ato që kishim marrë me vete. Shtërngoja në dorë një kothere buke të zezë, të qullët , të cilën nga nxitimi nuk kisha mundur ta thekja.

-Ama, c’bukë!-shpërtheu Fadili pa pritur. - Dhe kur, pas kaq vjetësh që shkruajmë e gënjejmë se po ndërtojmë socializmin!

Të them të drejtën, u bevasova. Ishte hera e parë gjatë atyre tre vjetëve që njihesha me Fadilin e nuk kisha dëgjuar kurrë që ai të shprehej në këtë mënyrë, ndaj ia ktheva. :

- C’të bësh, kalojmë po ato vështirësi që ka kaluar Bashkimi Sovjetik në vitet 30-të. Të kujtohet se si shkruan Majakovski në një poemë për atë punëtorin që ngjesh bukën në pëllëmbët e duarve që t’i heqë lagështirën?. .

-Të bukur krahasim që po më bën!A e kupton se jemi në vitin 1960?!

Nisi kështu të më fliste më me zemëratë për jetën e rëndë që po kalonim, duke fajësuar drejtpërdrejt Enver Hoxhën dhe ata që e rrethonin. U vura në pozitë të vështirë. Fadili rridhte nga një familje komuniste. Vec kësaj, një vëlla e kishte oficer madhor.

 Ai nuk reshti. Shtoi se në një vend si Shqipëria , ku sundonte diktatura, jeta do të bëhej edhe më ë vështirë, sepse vendi po kthehej në burg të madh. Kurse në Bashkimin Sovjetik, pas vdekjes së Stalinit, punët po shkonin krejt ndryshe.

Dhe të tëra këto ai po i shqiptonte me bindje, kur marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik ishin ende shumë të mira, kur gjashtë muaj më parë, në qershor të vitit 1959, Hrushovi kishte vizituar Shqipërinë dhe ishte pritur si perëndi edhe nga vetë Enver Hoxha.

E vërteta është se babai dhe xhaxhi im, menjëherë pas largimit të misioneve anglo-amerikane nga vendi ynë, në vitin 1946, mbetën të zhgënjyer. Të dy, si dhe shumë e shumë të tjerë, kishin pritur që Shqipëria të kishte marrëdhënie si me Perendimin, ashtu edhe me Lindjen. Vec kësaj, që ajo të kishte një qeveri demokratike, të dalë nga zgjedhje të lira, pluraliste. Por ja që tani vendi ynë po lidhej pas qerres jugosllave, për të rënë pastaj plotëtësisht nën sferën komuniste ruse.

Sidomos këtë e ndiente edhe më shumë xhaxhai im, Reshat Këllici, i cili së bashku me figura të tilla të njohura, si Sejfulla Maleshova, Tajar Zavalani, Llazar Fundo etj, pas kthimit të Zogut, që kishte rrëzuar qeverinë e kryesuar nga Fan Noli, ishin detyruar të linin Shqipërinë, për t’u vendosur në B. Sovjetik.

Xhaxhai im që kishte mbaruar atje edhe studimet e larta, kishte kaluar një jetë të vështirë dhe ishte kthyer në atdhe, i zhgënjyer nga ky vend ku… po ndërtohej socializmi stalinist, kishte përjetuar, vec të tjerash, dhunën e tmerrshme që ushtrohej mbi popullin sovjetik me të ashtuquajturën luftë klasash, me përndjekjet nga KGB-ja, (Sigurimi sovjetik), burgimet, internimet, dhe për këto edhe në praninë time, ndonëse isha ende i vogël, kishte biseduar shpesh edhe me babain tim.

Jo vetmkaq:gjatë atyre viteve të kaluara në Moskë, ai ishte martuar me nje ruse. Kur ishte larguar përfudimisht nga B. Sovjetik, më 1934, me shumë dhëmbje kishte lënë atje një djalë katërvjecar, me shpresë se një ditë do ta shihte përsëri.

Dhe ja kjo ditë erdhi. Selim Shpuza, shoku i tij i viteve studentore në Rusi, më 1945 ishte emëruar sekretar i ambasadës sonë në këtë vend. Atëherë xhaxhai e kishte porositur që të bënte c’shtë e mundur që të gjente ish-gruan e tij dhe djalin, që tashmë duhej të ishte 14 vjec.

Dhe Selim Shpuza kishte premtuar. Por më kot. Me gjithë përpjekjet e tij, autoritetet shtetërorere dhe KGB-ja… nuk kishin mundur të gjenin se ku ndodhej ish-gruaja e tij së bashku me djalin.

 Cfarë drame!. . . Me siguri të dy, nënë e bir, kishin përfunduar në ndonjë qytet të humbur siberian, ose përmë keq, në ndonjë kamp përqendrimi. Po përse? Mos ndoshta sepse ishte ajo martuar me një emigrant shqiptar që kishte lënë pastaj Bashkimin Sovjetik?. . .

Nuk harroj atë ditë, aty nga fundi vitit 1946, kur misionet anglo-amerikane po largoheshin përfundimisht ga Shqipëria, xhaxhai u shpreh kështu:”Tani në Shqipëri do të ndodhë ajo që kam parë për gati nëntë vjet në Rusi. Edhe më shumë dhunë, shtypje, mjerim. Të gjitha në emër të idelave komuniste. ”

Që atëherë familja dhe të afërmit tanë filluan ta urrenin Bashkimin Sovjetik dhe Stalinin, që, me ato mustaqet e ij të mëdha mua më dukej atëherë aq babaxhan.

Mirëpo, sic e pamë pas vdekjes së Stalinit dhe ardhjes së Hrushonit në fuqi, në këtë vend filloi një kurs ri, që hodhi poshtë kultin e individit të Stalinit dhe nën parrullën e bashkekzistencës paqësore, zhdukjen e luftës së ftohtë, përmirësimin e marrëdhënieve miqësore me vende të tjera perendimore, sidomos me SHBA-në dhe Britaninë e Madhe, zbutjen e luftës së klasave, rehabilitimn e mijëra njerëzve të dënuar nga diktatura staliniste, etj.

Atëherë xhaxhai me babain dhe të afërm të tjerë, filluam t’i shihnim më miradijë këto ndryshime që po ndodhnin në Bashkimin Sovjetk, duke shpresuar se edhe Enver Hoxha do të ndiqte të njejtin shembull. Por, fatkeqësisht, kjo nuk ndodhi.

Ja përse disa javë pas bisedës që kishim bërë gjatë punës fizike në shkurt të vitit 1960, dhe gjatë ditëe të tjera, i kujtova Fadilit ato që më kishte rrëfyer xhaxhai për jetën e tij dhe tmerret që kishte parë në atë vend.

-Për të tilla ngjarje tragjike , -më tha Fadili, kur shetitnm një ditë në Parkun e madh, - më kanë folur jo rrrallë shokë të mi, studentë sovjetikë. Por në Shqipëri do të ndodhë edhe më keq se c’po ndodh tani. -Mbase do të ndodhë që të prishemi me Bashkimin Sovjetik dhe të mbetemi të vecuar nga bota mbarë.

Ato ditë dhe më pas, isha i pushtuar nga një ndjenjë e thellë krenarie: një gazetar, që ishte pesë vjet më i madh se unë, (ai 27 dhe unë 22 ), për më tepër, edhe më i zoti se unë, më ishte hapur aq ciltërsisht. Kështu po i hapesha edhe unë atij. Dhe atëbotë nisa ta doja edhe më shumë atë që deri atëherë e çmoja si mësues në fushën gazetarisë. Që atëherë, gjithashtu, midis meje, e më pas edhe Vangjelit, nuk kishte të fshehta për çështje politike.

Më pas ndodhi ajo që kishte parashikuar Fadili…

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?