Ilir Meta

Kolegji: Presidenti nuk mund të shpallë datë të re për zgjedhjet

28 Qershor 2019, 08:07| Përditesimi: 28 Qershor 2019, 08:31

  • Share

Presidenti i Republikës nuk mund të anulojë zgjedhjet dhe për pasojë të shpallë një datë të re. Ky është konkluzioni i Kolegjit Zgjedhor, i cili ka argumentuar se pse dekreti i kreut të shtetit Ilir Meta për zhbërjen e zgjedhjeve të 30 qershorit është i pavlefshëm. Ndryshe nga pretendimi i Ilir Metës, sipas të cilit vendimi i Kolegjit nuk prek dekretin e tij, por ka të bëjë vetëm me marrëdhënien mes partisë së Unitetit Kombëtar që kërkoi çregjistrimin dhe KQZ-së, Kolegji Zgjedhor arsyeton se dekreti i presidentit për anulimin e zgjedhjeve është i pavlefshëm dhe u mohon shqiptarëve të drejtën për të zgjedhur. “Kolegji çmon të bazuar qëndrimin e KQZ-së ku shprehet në vendim se: “dekretimi duhet bërë duke respektuar periudhën zgjedhore (neni 8)”, dhe se dekretimi duhet bërë jo më vonë se 9 muaj... (neni 9)”. Presidenti i Republikës ka kompetencë të kufizuar në kohë, dhe tej kësaj kohe, ai nuk ka më asnjë kompetencë për të vepruar në këtë drejtim. Pra, as mund të ndryshojë dhe as mund të shfuqizojë datën e zgjedhjeve. Të dyja këto parashikime të Kodit Zgjedhor nuk janë respektuar në nxjerrjen e dekretit të dytë, për rrjedhojë, janë momente që e bëjnë dekretin e dytë të Presidentit të Republikës të jetë në shkelje të hapur dhe në mënyrë flagrante me dispozitat ligjore në kuptim të nenit 108, paragrafi 2, germa “a” të Kodit të Procedurave Administrative”, thuhet në vendimin e Kolegjit.

Precedenti i vitit 2007   

Kolegji Zgjedhor sjell në vëmendje precedentin e vitit 2007, ku për të mundësuar shtyrjen e zgjedhjeve nga Presidenti, Kuvendi u detyrua që të ndryshonte Kodin Zgjedhor, gjë e cila nuk ka ndodhur me dekretin e Metës për anulimin e zgjedhjeve. “Vetëm ligji mund ta lejojë që Presidenti të ndryshojë apo të shfuqizojë datën e zgjedhjeve, sikurse ka ndodhur në vitin 2007, kur Kuvendi u detyrua të ndryshojë Kodin Zgjedhor për të mundësuar këtë. Pra, në vitin 2007, gërma “gj”, e nenit 92, të Kushtetutës nuk e lejonte Presidentin që të caktonte datë e zgjedhjeve tej afatit të përcaktuar në Kodin Zgjedhor, dhe për këtë, u bë ndryshimi në Kodin Zgjedhor për t’i mundësuar Presidentit caktimin e një date zgjedhjesh lokale tej afatit të përcaktuar në nenet 7 dhe 8 te Kodit Zgjedhor që ishte në fuqi në vitin 2007. Ligjvënësi në Kodin Zgjedhor të miratuar me ligjin nr. 9087 date 19.06.2003 parashikoi një dispozitë të posaçme, pikërisht në nenin 181/1 ku në pikën 1 përcaktohej: Për zgjedhjet vendore të vitit 2007, Presidenti i Republikës, pavarësisht nga përcaktimet e bëra në nenin 7 pika 8 të këtij Kodi, në ditën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, ricakton datën e zhvillimit të zgjedhjeve, jo me vonë se data 20 shkurt 2007”, thuhet në vendim.

Meta mori kompetencat e Kuvendit

Sipas Kolegjit Zgjedhor, Presidenti me dekretin për anulimin e zgjedhjeve i ka marrë kompetencat Kuvendit. “Në vijim të këtij arsyetimi, Kolegji Zgjedhor çmon se Presidenti i Republikës, nëpërmjet anulimit të datës së zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore të 30 qershorit 2019, në mungesë të kompetencës ligjore dhe tej afateve të parashikuara nga Kodi Zgjedhor, ka marrë kompetencat e një organi tjetër, konkretisht ka marrë kompetencat e Kuvendit të Shqipërisë. Në kushtet kur është Kuvendi organi që ka parashikuar afatet dhe rregullat e përcaktimit të datës së zgjedhjeve përmes parashikimeve të Kodit Zgjedhor, çdo ndryshim i mundshëm i tyre, në mungesë të delegimit, duhet të bëhet vetëm nga ky organ, pra vetëm nga Kuvendi i Shqipërisë”, vijon arsyetimin Kolegji.

Mohimi i të drejtës për të votuar

Kolegji Zgjedhor arsyeton se Presidenti, me anulimin e zgjedhjeve, u mohon shtetasve shqiptarë të drejtën për zgjedhur, e drejtë e cila është parashikuar në Kushtetutë, por edhe në konventat ndërkombëtare. “Gjithashtu, Kolegji Zgjedhor çmon se anullimi i datës së zgjedhjeve në mungesë të kompetencës ligjore dhe në shkelje të afateve të parashikuara nga Kodi Zgjedhor bën që në fakt, shtetasve shqiptarë me të drejtë vote t’iu mohohet një e drejtë kushtetuese e parashikuar nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë: e drejta për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur sipas nenit 45 të Kushtetutës. Ky fakt bie ndesh edhe me parashikimet e Kodit të Praktikave të Mira në Çështjet Zgjedhore të Komisionit të Venecias e konkretisht me pikën 1, votimi universal, duke parashikuar se Votimi universal konsiston në të drejtën elektorale aktive (e drejta për të votuar) si dhe pasive (e drejta për t'u zgjedhur). E drejta për të votuar dhe për t'u zgjedhur mund t'i nënshtrohet një numër kushtesh, të cilat jepen më poshtë. Kushtet më të zakonshme janë ato që kanë të bëjnë me moshën dhe kombësinë. Mohimi i së drejtës për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur bie ndesh me Parimet bazë të trashëgimisë Elektorale Evropiane”, arsyeton Kolegji Zgjedhor.

Zgjatet mandati i të zgjedhurve vendorë

Një tjetër argument ligjorë i përdorur nga kolegji zgjedhor është edhe afati i të zgjedhurve vendorë ku sipas tij është 4 vjeçar, e për analogji sjellin rastin e kryeprokurorit ku në mbarim të mandatit ai zëvendësohet. “Nëpërmjet anullimit të datës së zgjedhjeve bëhet edhe zgjatja e mandatit të organeve të qeverisjes vendore tej afatit ligjor, e një gjë e tillë është e papranueshme, pasi bie ndesh me nenin 1, pika 3 dhe nenin 2, pikat 1 e 2 të Kushtetutës. Për arritjen e këtij përfundimi Kolegji Zgjedhor ka në konsideratë edhe rregullimet ligjore për marrëdhënie analoge në fushën e së drejtës publike. Kështu, sipas këtyre normave të së drejtës objektive, për një kategori funksionarësh të lartë (për shembull Prokurori i përgjithshëm, KLP dhe KLGJ, Kushtetuta dhe ligji respektiv parashikon afate kohore për fillimin e procedurave për zëvendësimin e tyre përpara përfundimit të mandatit, pikërisht për të respektuar këtë të fundit)”, thuhet në vendim.

KQZ-ja ka të drejtë

Kolegji Zgjedhor i jep të drejtë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, i cili injoroi dekretin e Metës për anulimin e zgjedhjeve, si i pavlefshëm. “Për sa më sipër, referuar në nenin 111 të Kodit të Procedurave Administrative ku parashikohet se “Organi publik ka detyrimin të konstatojë pavlefshmërinë absolute të aktit administrativ nëse vjen në dijeni për rastet e parashikuara në nenin 108 të këtij Kodi”, Kolegji Zgjedhor çmon se KQZ-ja, në cilësinë e organit publik të përkufizuar në po këtë Kod, kur me vendimmarrjen e tij objekt kundërshtimi ka konstatuar pavlefshmërinë absolute të Dekretit nr.11199, datë 10.06.2019 të Presidentit të Republikës, ka përmbushur një detyrim ligjor në ushtrim të kompetencave administrative. Në këto kushte, referuar në nenin 110 të KPA-së, ku parashikohet se “Akti administrativ absolutisht i pavlefshëm nuk sjell asnjë pasojë juridike, pavarësisht faktit nëse është konstatuar apo jo si i tillë. Ai konsiderohet se nuk ekziston”, Kolegji çmon se shkaku i pretenduar nga paditësi nuk ekziston dhe për rrjedhojë pretendimi i tij për çregjistrim është i pabazuar. Më tej, Kolegji Zgjedhor vëren se Kodi Zgjedhor nuk ka parashikuar në asnjë dispozitë të drejtën e subjekteve zgjedhore për t’u tërhequr nga procesi zgjedhor, pas regjistrimit përfundimtar të tyre. Kodi Zgjedhor i njeh subjektit zgjedhor, si dhe koalicionit (ASE), vetëm të drejtën për të propozuar kandidatët për kryetarë të organeve të qeverisjes vendore dhe kandidatët e këshillave bashkiakë, por jo atë të tërheqjes së kandidatëve apo të subjekteve zgjedhorë, pas regjistrimit të tyre. Tërheqja/çregjistrimi apo zëvendësimi i kandidatëve nga subjektet zgjedhore, pas miratimit dhe shpalljes së listave dhe regjistrimit të kandidatëve apo, më tej, edhe pas përgatitjes së materialit zgjedhor përkatës do të përbënte një rrezik për stabilitetin dhe transparencën e procesit zgjedhor dhe ushtrimin e të drejtës themelore të votës nga ana e zgjedhësve”, thuhet në vendim.

Kolegji Zgjedhor

“Presidenti i Republikës ka kompetencë të kufizuar në kohë, dhe tej kësaj kohe, ai nuk ka më asnjë kompetencë për të vepruar në këtë drejtim. Pra, as mund të ndryshojë dhe as mund të shfuqizojë datën e zgjedhjeve”.

Pasojat

“Zgjedhor çmon se anulimi i datës së zgjedhjeve në mungesë të kompetencës ligjore dhe në shkelje të afateve të parashikuara nga Kodi Zgjedhor bën që në fakt, shtetasve shqiptarë me të drejtë vote t’iu mohohet një e drejtë kushtetuese e parashikuar nga Kushtetuta”.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?