Ekonomi

Komisionet e ndërmjetësimit në sigurimin e detyrueshëm, publikohet projektrregullorja që vendos kufizime

6 Tetor 2021, 15:44| Përditesimi: 6 Tetor 2021, 15:51

  • Share

Ligji i ri për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit ka parashikuar ndërhyrje rregullatore të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare për përcaktimin e rregullave në lidhje me nivelin e komisioneve të ndërmjetësimit për produktet e sigurimit të detyrueshëm motorik.

Komisionet e ndërmjetësimit janë pagesat që shoqëritë e sigurimit u japin agjentëve të tyre ose brokerave (ndërmjetësve) në rastet e shitjes së policave (kontratave) të sigurimit.

Nga të dhënat teknike dhe financiare, të raportuara nga shoqëritë e sigurimit, rezulton se komisionet e ndërmjetësimit për sigurimin e detyrueshëm motorik (TPL, kufitare, Karton Jeshil) në vitet e fundit kanë qenë të larta, me një mesatare në nivel tregu prej afro 28%.

Projektrregullorja e publikuar për konsultim publik nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare përcakton se duke nisur nga 1 janari i vitit 2022, komisioni i ndërmjetësimit nuk mund të jetë më i lartë se 20% e primit të shkruar bruto për produktet e sigurimit të detyrueshëm. Kjo vlerë parashikohet të ulet në 18%, duke nisur nga 1 janari i vitit 2023.

Shoqërive të sigurimit u është lënë kohë deri në janar të vitit të ardhshëm të rishikojnë marrëveshjet aktuale me ndërmjetësit në lidhje me komisionet që ata përfitojnë për procedurat e marrjes në sigurim.

Kufizimi i komisioneve të ndërmjetësimit pritet të sjellë rritje të eficencës në shpenzimet e marrjes në sigurim, si edhe një administrim më të mirë të burimeve financiare të shoqërive të sigurimit./ Monitor

(Kliko këtu për komisionet e ndërmjetësimit)

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?