Komisioni antikorrupsion, nga PD është cilësuar si i pakuptimtë i njëanshëm dhe një kërcënim për institucionet e drejtësisë dhe SPAK.
Përmes sekretarit për Marrëdhëniet me Publikun Edvin Kulluri, PD thotë rezoluta kaloi në votimin në Parlament pa u konsultuar më parë me opozitën.
“Siç ishte e kuptueshme nisma e PS për “reforma anti-korrupsiion” është e pakuptimtë, e nxituar dhe e njëanshme! Partia Demokratike u shpreh qartë se rezoluta Anti-Korrupsion përmban qëllime të dyshimta, të paqarta dhe fatkeqësisht kërcënuese për institucionet e drejtësisë. Siç dëshmojnë qëndrimet kundërshtuese ndaj SPAK të kryeministrit, nuk ekzistojnë kushtet dhe arsyet për një rezolutë të sjellë nxitimthi për votim në Kuvendin e Shqipërisë, pa u konsultuar paraprakisht me opozitën! Reformat që kërkojnë ndërhyrje në sistemin e drejtësisë nuk mund të kryhen pa konsensus dhe aq më tepër në kundërshtim me perceptimin publik që e mbështet punën e SPAK në shumicë dërrmuese sipas të gjitha sondazheve. Qëndrimi i sotëm i partnerëve ndërkombëtarë konfirmon se e vetmja rrugë është konsolidimi dhe mbështetja pa rezerva ndaj SPAK!”, shkruan ai.
Ambasada Amerikane dhe Delegacioni i Bashkimit Europian kanë këmbëngulur sot në nevojën e gjithëpërfshirjes sa i takon komisionit antikorrupsion si edhe mbëshetje për institucionet e drejtësisë. Shumica parlamentare të enjten (30 maj) me 74 vota pro votoi ngritjen e një komisioni të posaçëm parlamentar, i cili ndër funksionet e tij do ketë edhe thirrjen në seanca dëgjimore të institucioneve të drejtësisë. Në komision pjesëmarrëse do të jetë dhe qeveria, ndërsa në punën e komisionit, parashikohet të përfshihen edhe ndërkombëtarët. I njohur ndryshe edhe si komisioni “antikorrupsion”, ai është rezultat i një rezolute të propozuar nga mazhoranca e drejtuar nga kryeministri Edi Rama dhe i kundërshtuar deri më tani nga opozita.