TIRANE - Komisioni parlamentar hetimor për inceneratorët e ka nisur me shkelje punën e tij pasi ka kërkuar informacion nga institucione që ligji i ndalon t’i japin dhe janë jashtë objektit të veprimtarisë së këtij komisioni. Pretendimi vjen nga biznesmeni Mirel Mërtiri, një nga njerëzit që është kërkuar të hetohet në këtë komision parlamentar të drejtuar nga Partia Demokratike.
Përmes një letre drejtuar bankave të nivelit të dytë në vendin tonë, Mirel Mërtiri kërkon që të mos lëshohet prej tyre asnjë informacion konfidencial, duke kujtuar edhe ligjin që e dëmom cënimin e konfidencialitetit bankë-klient.
“Sipas Gjykatës Kushtetuese, marrja e informacioneve apo të dhënave në lidhje me çështje private të individëve përbën një shkelje të të drejtave kushtetuese të individit, të sanksionuara edhe nga Konventa Europiane për të Drejtat e Njeriut dhe për këto shkaqe, hetimi duhet të priret nga mosndërhyrja në jetën private të individit. Shprehim keqardhjen tonë që jemi të detyruar që t’ju kujtojmë se shkelja e detyrimit të konfidencialitetit sipas paragrafëve 2 dhe 3 të Nenit 91 të Ligjit 9662, përbën kundërvajtje penale e dënueshme me gjobë ose me burgim deri në një vit”, thotë Mirel Mërtiri.
Deputetët demokratë të komisionit kërkuan nga bankat që të zotërojnë ekstraktet e llogarive bankare (bank statements) të Mirel Mërtirit, por vetë ai thekson se dokumentet bankare nuk janë zyrtare, dhe si entitet privat bankat kanë detyrimin të ruajnë konfidencialitetin e klientëve.
Komisioni hetimor “Për kontrollin e ligjshmërisë së veprimeve të organeve publike në procedurat për ndërtimin dhe administrimin e impianteve të trajtimit të mbetjeve urbane” deri më tani ka miratuar ekspertët për të zbritur në terren për të parë nga afër punën e bërë, si dhe janë dërguar 12 kërkesa për informacion nga qeveria, disa ministri, Kontrolli i Lartë i Shtetit, bashkitë Tiranë, Elbasan e Fier ku veprojnë inceneratorët, ndaj bankave të nivelit të dytë, si dhe vetë kompanive të incineratorëve.
Letra e plotë e Mirel Mërtirit
Tiranë, më 15 nëntor 2021
Në lidhje me kërkesën drejtuar bankave të nivelit të dytë në Shqipëri për informacion, nga disa anëtarë të Komisionit Hetimor “Për kontrollin e ligjshmërisë së veprimeve të organeve publike në procedurat për ndërtimin dhe administrimin e impianteve të trajtimit të mbetjeve urbane” të Kuvendit të Shqipërisë, sipas raportimeve në media.
Të nderuar Zonja/Zotërinj,
Siç mund të jeni në dijeni, në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë është ngritur komisioni hetimor “Për kontrollin e ligjshmërisë së veprimeve të organeve publike në procedurat për ndërtimin dhe administrimin e impianteve të trajtimit të mbetjeve urbane”
Aktualisht jam vënë në dijeni nga raportimet në media se disa anëtarë të Komisionit Hetimor, pjesë e opozitës parlamentare, ndër të tjera, kanë kërkuar ose do t’u kërkojnë bankave të nivelit të dytë në Republikën e Shqipërisë informacione ku kërkojnë vënien në dispozicion të ekstrakteve të llogarive të mia bankare (bank statements) pranë jush.
Në lidhje me një Kërkesë të tillë, dëshiroj t’ju informoj dhe t’ju sjell në vëmendje se:
Individët dhe informacioni në lidhje me ta, nuk përbën objekt të veprimtarisë së Komisionit Hetimor
Veprimet e Komisionit Hetimor rregullohen nga Ligji Nr. 8891, datë 2.5.2002 “Për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore të Kuvendit” (“Ligji 8891”).
Neni 4 i Ligjit 8891 përcakton që komisionet hetimore të Kuvendit funksionojnë konform parimeve kushtetuese, siç është interpretuar tashmë në mënyrë ezauruese nga Gjykata Kushtetuese në Vendimin e saj nr. 18, datë 14.05.2003 (“V 18/03”). Sipas Gjykatës Kushtetuese, marrja e informacioneve apo të dhënave në lidhje me çështje private të individëve përbën një shkelje të të drejtave kushtetuese të individit, të sanksionuara edhe nga Konventa Europiane për të Drejtat e Njeriut dhe për këto shkaqe, hetimi duhet të priret nga mosndërhyrja në jetën private të individit.
Komisioni nuk mund të kërkojë informacione konfidenciale
Kërkesa për marrje informacioni nga Bankat, është mbështetur në Nenin 14 germa “b”, e Ligjit 8891, që thekson se një komision hetimor kërkon nga titullarët e institucioneve informacione ose dokumente zyrtare. Sic shprehet edhe Gjykata Kushtetuese në Vendimin e saj V 18/03, Komisioni Hetimor është një instrument kontrolli politik dhe hetimi shtrihet mbi ekzekutivin, por jo mbi individët dhe jetën e tyre private dhe të dhënat personale.
Siç është e qartë për të gjithë, Bankat nuk janë institucione, por entitete private dhe informacionet dhe dokumentet bankare nuk janë dokumente zyrtare, por dokumente të lëshuara nga një entitet privat, i rregulluar me ligj të veçanta, qa ka detyrimin strikt të konfidencialitetit dhe i nënshtrohet Ligjit nr. 9887, datë 10.03.2008 “Për mbrojtjen e të dhënave personale”, i ndryshuar (“Ligji 9887”).
Për rrjedhojë, Neni 14, germa “b” e Ligjit 8891, nuk e autorizon Komisionin Hetimor të kërkojë informacione apo dokumente jo zyrtare nga Banka juaj, nje entitet privat, për më tepër i rregulluar dhe i nënshtruar rregullimeve të posaçme ligjore.
Neni 15, paragrafi 1 i Ligjit 8891, thekson shprehimisht që të dhënat që mbledh një komision hetimor mund të jenë zyrtare dhe jo zyrtare, por që njihen publikisht. Pra, Ligji 8891 i ka hequr Komisionit Hetimor të drejtën për të kërkuar informacione konfidenciale!
Banka ka detyrim të rreptë konfidencialiteti në kuadër të marrëdhënies bankë-klient
Në vijim të sa më sipër, dëshiroj t’ju sjell në vëmendjen tuaj se Neni 17 i Ligjit 8891 qartazi shprehet që Komisioni administron dokumente zyrtare. Organet kompetente që i disponojne këto të dhëna zyrtare janë të detyruara t’ia percjellin zyrtarisht Komisionit Hetimor. Pra, detyrimi bie vetëm mbi organet administrative shtetërore dhe jo entitetet private, si Banka juaj, të cilat e kanë të ndaluara me ligj.
Konkretisht, detyrimi i Bankës për të ruajtur konfidencialitetin e klientëve përbën detyrim thelbësor për të, në përputhje me nenet 91, 124 dhe 125 të Ligjit Nr. 9662, datë 18.12.2006 “Për bankat në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar (“Ligji 9662”).
Sipas Nenit 91, paragrafi 2 i Ligjit 9662, Banka është e detyruar që të ndajë informacione konfidenciale apo të dhëna personale në kuptim të Ligjit 9887, vetëm tek autoritetet gjyqësore dhe të ndjekjes penale sipas Kodit të Procedurës Penale apo autoriteteve të tjera rregullatore ose agjencive ligjzbatuese sipas legjislacionit të posaçëm që rregullon atë veprimtari.
Komisioni Hetimor nuk hyn në asnjë rast në rradhën e këtyre autoriteteve juridike që e fitojnë këtë të drejtë me ligj. Rrjedhimisht, shprehim keqardhjen tonë që jemi të detyruar që t’ju kujtojmë se shkelja e detyrimit të konfidencialitetit sipas paragrafëve 2 dhe 3 të Nenit 91 të Ligjit 9662, përbën kundërvajtje penale e dënueshme me gjobë ose me burgim deri në një vit.
Duke kërkuar mirëkuptimin tuaj dhe duke u lutur për sjelljen tuaj në respekt të kuadrit ligjor të mësipër, dëshiroj të përmbledh në përfundim, se nenet 14, 15, 17 të Ligjit 8891, ndalojnë Komisionin Hetimor të kërkojë të dhëna, informacione ose dokumente:
(i) nga entitet private;
(ii) të cilat janë konfidenciale dhe/ose përmbajnë të dhëna personale ose sensitive.
Sa më sipër, i kërkoj Bankës Suaj, dhe çdo përfaqësuesi, menaxheri, punonjësi, etj. të saj, që të mos përcjellë, shpërndajë, vëndosë në dispozicion të Komisionit Hetimor informacione të tilla, apo të kryejë veprime të tjera të ngjashme të cilat shkelin haptazi detyrimet ligjore të Bankës, si më sipër shpjeguar.
Ju falenderoj paraprakisht për bashkëpunimin,
Sinqerisht,
Mirel Mërtiri