Një fenomen i paprecedentë, me implikime të rënda në shkeljen e ligjit dhe më pasoja të paparashikueshme, po ndodh këto ditë në Tiranë. Disa banka të nivelit të dytë vijojnë dekonspirimin e të dhënave konfidenciale të klientëve të tyre, duke i kaluar në duart e anëtarëve të komisionit hetimor për konçensionin e inceneratorëve. Këto të dhëna sekrete, në disa raste të gabuara dhe të pasakta, po përdoren nga disa prej deputetëve anëtarë të komisionit hetimor, për llogari të luftës së tyre politike, për histori shantazhi, presioni dhe interesa nga më të errëta politike-financiare.
Gjithçka ka nisur me një kërkesë të përfaqësuesve të PD-së në komisionin hetimor, duke u kërkuar të gjitha bankave lëvizen e parave të bëra nga shoqëritë koncensionare, administratorët e saj dhe pronarët e tyre, por edhe të zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj, ish-ministrit Damian Gjiknuri, ish ministrit Lefter Koka dhe ish sekretarit të përgjithshëm të Ministrisë së Mjedisit Alqi Bllako.
Disa banka kanë refuzuar dhënien e informacionit kofidencial për klientët e tyre, në përputhje me ligjin shqiptar nr. 9887, datë 10/03/2008 "Për mbrojtjen e të dhënave personale” si dhe në bazë të ligjit për sekretin bankar, kur informacionet konfidenciale mund t’u dorëzohen personave të tretë vetëm me autorizim të vetë klientëve.
Por, disa banka të tjera (si për shmebull ProCredit Bank) kanë vënë në dispozicion të dhënat për kompanitë koncensionare të inceneratorëve dhe të gjitha personave që PD-ja mendon se kanë lidhje me ato. Vetëm disa orë pasi të dhënat sekrete për klientët ranë në duart e anëtarëve të komisionit, të dhënat përfunduan në media.
Pavarësisht abuzimit, ku anëtarët e komisionit konfirmuar se ishin të gatshëm të mos ruanin sekretin bankar dhe hetimor të komisionit, disa banka kanë vijuar t’i kalojnë komisionit të dhëna të tjera për klientët e tyre, të cila me shumë gjasa do të përfundojnë sërish në media.
Jo vetëm kaq. Por, informacioni i përcjellë nga disa banka është i mangët, pasi përmban vetëm emra të caktuar, të pashoqëruar me gjeneralitetet e plota, duke krijuar hapësira për ngatërrim emrash, diversione, baltosje dhe përhapje gënjeshtrash nga palët politike.
Konkretisht, një bankë i është përgjigjur komisionit duke i konfirmuar lëvizjet në llogaritë bankare të një klienti tjetër, pa asnjë lidhje me çështjen, por që ka të njëjtin emër dhe mbiemër me një nga personat që komisioni hetimor ka kërkuar të dhënat bankare.
Në këtë rast, por ekspozohet në publik jo vetëm klienti i gabuar, por edhe të gjitha personat e tjerë të cilët kanë marrë para nga ia apo i kanë kaluar para atij. Kështu dekonspirimi i të dhanave sekrete po përfshin një rreth të gjerë qytetarësh, duke u bërë ‘kurban’ e luftës politike.
Shkelja është e shumëfishë, pasi jo vetëm shkelet sekreti për qytetarë të zakonshëm shqiptarë, por të dhënat e pasakta dezinformojnë komisionin, deformojnë hetimin dhe provokojnë krijimin e një çorbe të re politike.
Ligji nr. 8891 i datës 2.05.2002 që rregullon kompetencat e komisioneve parlamentare të hetimit, është i paqartë se deri në ç’pikë mund t’i shtrijë hetimet një komision hetimor, i cili në fund të fundit përgatit një raport për Kuvendin dhe prokurorinë, pa asnjë efekt detyrues.
E qartë është se vetëm Prokuroria, Drejtoria për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe inspektorët e tatimeve kanë të drejtë për të marrë informacione të dobishme për një hetim, duke u njohur me sekrete bankare. Por këta, ndryshe nga anëtarët e komisioni hetimor parlamentar, e mbajnë sekret çdo informacion pikërisht siç parashikon ligji. Ndërkohë që vete puna e e komisionit hetimor, me kërkesë të opozitës, transmetojnë live në Facebook duke shkelur çdo privatësi.
Aktualisht, të dhënat e klientëve të disa bankave, pa asnjë lidhje me objektin e hetimit parlamentar, por vetëm se kanë emër të njëjtë me personat e sherrnajës politike, po dalin në publik. Skandali është i paprecedentë, ndërsa nuk dihet se ku anon më shumë përgjegjësia ligjore tek bankat që po dekonspirojnë të dhënat e klientëve të tyre, apo tek anëtarët e komisionit hetimor që po publikojnë të dhënat.