Politikë

Komisioni i Ekonomisë, Veliaj: Shqetësim, borxhet e prapambetura të ish-komunave! Për administrimin e mbetjeve, fond ekstra gjatë verës, ka rritje fluksi

10 Nëntor 2021, 11:30| Përditesimi: 10 Nëntor 2021, 15:44

  • Share

Në Komisionin e Ekonomisë, kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, në cilësinë e kryetarit të Shoqatës për Autonominë Vendore ngriti shqetësimin e borxheve të prapambetura, sidomos të ish-komunave që iu janë faturuar bashkive pas ndarjes së re territoriale.

“Një nga shqetësimet që ne kemi janë borxhet e prapambetura të bashkive të trashëguara nga ish-komunat. Duhet një zgjidhje sidomos për bashkitë e vogla. Bashkia e Tiranës i ka likuiduar të sajat,” tha Veliaj.

Po ashtu Veliaj u ndal edhe te situata e mbetjeve, ku tha se duhet një zgjidhje për sezonin veror ku për shkak të turizmit konsumi rritet, duke kërkuar një bonus ekstra.

“Kush jeton në Tiranë duhet të jetë i verbër të mos dallojë ku ishim, por përsëri nuk mjafton. Bashkitë bregdetare kanë nevojë për një bonus ekstra gjatë stinës së verës. Sado të përpiqen, në momentin që të 7-8 fishohet popullsia brenda natës jo çdokush arrin të përballojë një fluks të tillë. Do donim që dhe këtu, jo në mënyrë uniforme, por sipas frekuencës, të kenë një bonus të veçantë,” u shpreh ai.

Veliaj theksoi edhe njëherë sot se Bashkia e Tiranës do të japë një subvencion prej 1 milion eurosh për rimëkëmbjen e sektorit të transportit publik, por kërkoi që e njëjta gjë të bëhet edhe për subvencionimin e kategorive të veçanta, siç janë studentët dhe personat me aftësi të kufizuar.

“Kemi kërkuar që të gjendet një zgjidhje e qëndrueshme, afatgjatë për transportin publik. E kuptoj se është e vështirë heqja e TVSH-së, por ka mënyra të tjera. Subvencionimi mund të jetë një mënyrë. Vetë Bashkia e Tiranës ka vënë 1 milion euro në dispozicion për transportin. I kemi kërkuar qeverisë që, ose në Akt Normativ, ose në buxhet, të vendoset një subvencion për transportin publik, sidomos për qytetin e Tiranës, që transporton një pjesë të madhe të komuniteteve, që s’janë as rezidentë. Edhe Ministria e Arsimit duhet të japë subvencionin e vet për studentët, është pjesë e Paktit për Universitetit. E njëjta gjë vlen edhe për Personat me Aftësi të Kufizuara,” u shpreh Veliaj.

Për fondin e emergjencave civile, që tashmë i ka kaluar pushteti vendor, Veliaj kërkoi që të ndahet jo në mënyrë proporcionale, pasi bashki të ndryshme përballen me fatkeqësi të ndryshme.

“Për emergjencat morëm dje një përgjigje pozitive. Qeveria ka vendosur që 4%-shin e emergjencave civile t’ia kalojë pushtetit vendor. Në fund të ditës, është bashkia që çon zjarrfikëset, është bashkia që hap dhe pastron kanalizimet për përmbytjet. Pra, mban barrën më të madhe të këtyre situatave. Ajo që kërkojmë është që të bëhet një vlerësim risku dhe të ndahet sipas frekuencës së fatkeqësive natyrore, jo në mënyrë proporcionale,” tha ai.

 

Ora 11:40
Spaho 'kunj' Bashës, komplimenton punën e Veliajt në krye të Bashkisë së Tiranës: Ka përmirësim të dukshëm në pastrimin e kryeqytetit (VIDEO)

 

Deputeti i Partisë Demokratike, Edmond Spaho, 'përdori' Komisionin e Ekonomisë për të hedhur 'kunja' në drejtim të kreut ët PD-së, Lulzim Basha. Spaho, i cili ka dalë qartësisht kundër Bashës dhe pro Berishës, vlerësoi punën e kryebashkiakut Erion Veliaj për pastrimin e qytetit të Tiranës, duke thënë se ka përmirësim të dukshëm, duke ironizuar në këtë mënyrë Lulzim Bashën, i cili e drejtoi Bashkinë e Tiranës për 4 vite.

“Unë kam një pyetje për z. Veliaj. Paraprakisht, duhet të them që ka një përmirësim pastrimi i qytetit të Tiranës, është i dukshëm, megjithatë desha të dija, a do investojnë kompanitë e pastrimit në teknologji?”, tha Spaho, duke goditur në mënyrë indirekte 4 vjeçarin e Lulzim Bashës në krye të Bashkisë së Tiranës.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si do jenë ndryshimet në Kodin Zgjedhor që do bëjnë PS-Rithemelimi?