Komisioni i Jashtëm miratoi sot marrëveshjen e ekstradimit mes Shqipërisë dhe Spanjës e cila u firmos nga kryeministri Rama dhe homologu i tij spanjoll Castejon më 4 tetor të vitit të kaluar në Madrid.
Marrëveshja e cila përmban 5 nene i hap rrugën ekstradimit të ndërsjellë të të arrestuarve nga të dy vendet me qëllim ndjekjen e tyre penale dhe zbatimin e vendimeve të gjykatave.
Sipas saj palët bien dakord se shtetësia nuk do të jetë pengesë për ekstradimin e shtetasve të tyre. Deputetët por edhe institucionet e drejtësisë si prokuroria e Përgjithshme dhe Këshilli i Lartë Gjyqësor janë shprehur parimisht dakord për këtë iniciativë, ndërsa këshilli i lartë i prokurorisë nuk ka dhënë mendim.
Në këtë marrëveshje parashikohet bashkëpunim mes ministrisë së Drejtësisë së Shqipërisë dhe asaj të Mbretërisë së Spanjës në zbatimin e saj.
Kjo marrëveshje do të aplikohet për vepra penale të kryera para dhe pas hyrjes në fuqi të saj, por nuk mund të aplikohet për kërkesat e ekstradimit të paraqitura para hyrjes në fuqi të saj.
Në nenin 5 të projektligjit parashikohet se marrëveshje mund të përfundojë brenda 6 muajve nëse njëra palë e kërkon përmes rrugë e diplomatike.
Qeveria sqaron se kjo marrëveshje nuk parashikon nevoja buxhetore shtesë. Çdo kosto e procedurës së ekstradimit do të përballohet brenda buxhetit të institucioneve të ngarkuara për zbatimin e saj.