15 kandidatë prezantuan të mërkurën platformën e tyre për të bindur deputetët e Komisionit të Ligjeve për t’i besuar pozicionin e Avokatit të Popullit. Sipas procedurës, Komisionin i Ligjeve fillimisht vlerëson plotësimin e kritereve të kandidatëve. Mandej verifikon se sa nga kandidatët kanë marrë besimin e të paktën 28 deputetëve. Pas këtij proçesi, nga kandidatët e kualifikuar, komisioni i ligjeve përzgjedh dy emra për t’ja dërguar kuvendit, që me 84 vota do të emërojë Avokatin e ri të Popullit me një mandat 5 vjeçar.
Kandidatët kanë paraqitur ambicien e tyre janë: Ahmet Prençi (rikandidim), Alket Jaupi, Bledar Dervishaj (rikandidim), Besim Ndërgjoni, Drita Avduli (rikandidim), Dardan Mustafa, Erald Aga, Endri Papajorgji, Edison Frangu, Robert Gajda, Lefterie Luzi, Sokol Hazizaj, Tartar Bazaj, Ilir Rusmali (rikandidim) dhe Vitore Tusha
Pjesë e kandidimeve kishte dhe emra që ishin në garën e zhvilluar dhjetorin e shkuar. Një prej tyre, Bledar Dervishaj, kërkoi transparencë mbi procesin.
Në krahun tjetër, një pjesë e kandidatëve të cilët riproprozohen për këtë pozicion nuk morën pjesë në seancë me argumentin se platforma e tyre është ajo e shprehur edhe më herët, ndërsa Sokol Hazizaj kishte dërguar me shkrim prezantimin e tij.
Komisioni i Ligjeve mori në shqyrtim edhe kandidatët për Komisioner për Avokaturën e Popullit, për dy pozicione vakante. Kandidatët ishin Ermonela Rusti, Besnik Deda, Erinda Meli, Fjona Zaçaj, si edhe Lorenca Brahimaj. Edhe në këtë rast Komisioni i Ligjeve do të zgjedh dy emra për t’ja deërguar seancës plenare.
Si zgjidhet Avokati i Popullit?
Lista e kandidatëve do t’i dorëzohet komisionit Parlamentar të Ligjeve për të verifikuar përmbushjen e kritereve kushtetuese e ligjore. Komisioni do të kryejë seanca dëgjimore për çdo kandidat, ku do u bëhet vlerësimi për përmbushjen e kritereve kushtetuese. Më pas, kandidaturat e përzgjedhura i paraqiten Kuvendit me shkrim nga jo më pak se 28 deputetë. Zgjedhja e avokatit të ri të popullit kërkon 84 vota dhe ka një mandat 5 vjeçar.
Kushtet për t’u zgjedhur Avokat i Popullit
Avokat i Popullit mund të jetë çdo person që plotëson këto kushte:
a): të jetë shtetas shqiptar.
b): të ketë njohuri dhe veprimtari të shquara në fushën e lirive dhe të drejtave të njeriut dhe të ligjit;
c): të shquhet për aftësi profesionale dhe figure të pastër etiko-morale;
ç): të mos jetë dënuar penalisht
d): të mos jetë deputet në legjislaturën e Kuvendit që bën propozimin a zgjedhjen e tij.