Përvjetori i rrëzimit të shtatores së diktatorit komunist Enver Hoxha është ndryshe këtë vit. Jo për nga deklaratat me të cilat pritet 33 vjetori i rrëzimit të bustit që shënoi rrëzimin e diktaturës komuniste, pasi ato janë të njejta.
Ky përvjetor i sivjetëm pritet të shënohet pa Sali Berishën në shesh, pasi është mbyllur në arrest shtëpiak nën akuzën e korrupsionit pasiv. Pa asnjë mundësi që të dalë e të bashkohet me turmën që mendon se do të jetë e madhe këtë radhë, për ‘shkuljen e regjimit të Edi Ramës”.
Por është e kryer se Berisha do mungojë në tubimin e 20 shkurtit i cili zhvillohet vit për vit nga demokratët e drejtuar nga Berisha, teksa kur është në pushtet deklaron se do zhdukë komunizmin ndërsa tash 11 vite me radhë në opozitë, paralajmëron rrëzimin e regjimit të Edi Ramës.
Këtë radhë Berisha do mungojë me ‘arsye’, dhe thirrjet e tij kundër qeverisë do t’i bëjë nga maja e ballkonit të pallatit të tij, në katin e katërt apo të tetë ku ta shohë më të përshtatshme, sepse nëse e nxjerr këmbën jashtë banesës në rrugën “Mustafa Matohiti’ ku është izoluar, SPAK-u besojmë se do të kërkojë ‘ndërrim’ banese dhe dërgimin e tij në qeli. Gjë që as ne nuk e duam.
Për hir të së vërtetës Berisha mungon në tubimin e sivjetëm njëlloj si 33 vite më parë, kur u rrëzua busti i Enver Hoxhës në Tiranë, ‘vidhat’ e të cilit i kishte zbërthyer Ramiz Alia gjatë natës për ta pasur më të lehtë turma ditën e 20 shkurt 1991. Mirë bëri, pasi evitoi përplasjen e luftën civile teksa shkurtoi kohën fizike të rrëzimit të bustit, pasi mund të shkaktohej hataja në shesh.
Ndonëse, Sali Berisha në disa deklarata për mediat gjatë gjithë kohëve është shprehur me detaje se si e ka organizuar protestën për rrëzimin e bustit të Enverit më 20 shkurt 1991, e vërteta është se ai nuk ka qënë aktiv fare, nuk është marrë asnjë sekondë me këtë punë. Duket se mbante ende teserën e anëtarit të PPSH në xhep. S’ishte bërë ende me tamam, pra zyrtarisht kryetar i partisë së parë opozitare, PD, e duhej të priste dhe pak për të marrë kahjen e duhur. Ose sëpaku kështu e kishin orientuar ata të kupolës politike. Ndoshta dhe përtej kufijve, miqtë e shtëpisë së tij.
E themi këtë sepse roli i Berishës ditën e rrëzimit të bustit të diktatorit të Enver Hoxha më 20 shkurt të 1991 ka qenë tejet i dyshimtë. Protagonistë të asaj dite të rëndësishme thonë se ish-kreu i PD dhe njeriu që ka dominuar politikën shqiptare për 33 vite me radhë, Sali Berisha s’ka qenë as organizator dhe as protagonist i protestës për rrëzimin e bustit. Përmendin emra të tjerë ata.
Për më tepër thuhet se Berisha të vetmin kontakt që ka pasur me protestën më 20 shkurt, ka qenë lëvizja me një makinë FIAT të bardhë, e cila ka lënë pas hijen e dyshimit e interpretimet e ndryshme, herë si i dërguar i Ramiz Alisë për të mbikëqyrur lëvizjen e studentëve e të qytetarëve të Tiranës në sheshin “Skënderbej” dhe herë se ka qenë në një makinë pa targa të Sigurimit të Shtetit. Në fakt makina pa targa ishte.
Për hir të së vërtetës Berisha nuk ka qënë aktiv në rrëzimin e bustit të Enverit, ku dhe e justifikon herë herë këtë pasivitet me deklaratat se s’mund të aktivizonte PD-në me organizimin e protestës, pasi mund të merrej si një përballje mes kësaj partie të re dhe Partisë së Punës dhe jo përballje e shqiptarëve me regjimin e komunizmit. Ndërsa disa rreshta më poshte Berisha flet si e organizoi. I kishte dhënë ‘besën’ Ramizit me sa duket për të mos u përzierë në këtë punë.
Ndërsa sot se ka këtë siklet, deklaron se më 20 shkurt 2024 Shqipëria do përballet me rrëzimin e ‘busteve të gjalla’ të bijve të Hoxhës, që sipas tij kanë vendosur regjimin më të egër në këtë vend e shtypur opozitën, dhe u bën thirrje pikërisht demokratëve për të qënë prezent në shesh në këtë ditë.
Përdorimi i kësaj date për hallin e tij personal, në përballjen me drejtësinë për dosjet e rënda që ka në kurriz, dhe si ‘non grata’ me SHBA-të dhe aleatët, tregon se ka vërtetë komplekse të forta për 20 shkurtin. Nuk e themi se ky kompleks vjen vetëm për shkak se asokohe duhet të ketë pasur teseren e anëtarit të PPSH në xhep, bashkë me atë të PD, për t’i përdorur kartat sipas rastit. Komunist Berisha ka qënë 25 vite, madje sekretar partie dhe kjo nuk zhbëhet.
Berisha ka kompleksin e fortë të asaj dite, teksa pardesyeja e bardhë e tij u zhvleftësua kur zbriti nga “FIATI’ po i bardhë më 20 shkurt 1991 në cepin e sheshit “Skënderbej” ndërsa po rrëzohej busti i Enverit, për të rihipur përsëri po në këtë “FIAT” e për t’u larguar me shpejtësi drejt zyrave qëndrore të shtetit të atëhershëm komunist e jo drejt selisë së PD. Shtet që do rrëzohej vetëm një vit më pas.
Pretendohet nga dëshmitarë okularë por dhe pas verifikimit të mëpastajmë, se “FIATI’ i bardhë me të cilin lëvizi Berisha në atë ditë historike të rrëzimit të bustit të Enver Hoxhës, ishte i Ministrisë së Brendshme të vitit 1991 dhe më konkretisht e ish zv.ministrit të Brendshëm dhe njeriut që drejtonte me dorë të hekurt Sigurimin e Shtetit, Zylyftar Ramizi. Të cilin Berisha e njihte mirë, ndoshta dhe i detyrohej për shumë gjëra, përfshirë dhe shkollimin.
Sogurimi i Shtetit, sipas këtyre informacioneve, për ta kamufluar dhe ndoshta për ta quajtur më “civile” zbritjen e Sali Berishës në cepin e sheshit “Skënderbej”, vëzhgimin prej tij të protestës për rrëzimin e bustit të Enverit, e kishte marrë “FIAT”-in e bardhë “borxh” nga komiteti i Partisë së Tiranës në atë kohë. Pra Berisha po i shërbente partisë ‘nënë’, teseren e të cilës e mbante sërish në xhep, bashkë me atë të PD. Nuk i dihej, nuk ishte i sigurtë ndoshta se si mund të precipitonte situata, ndaj ‘partia mbi të gjitha’. Dhe ‘syri e veshi’ i Sigurimit të Shtetit me sa duket duhej të sillte ndonjë gjë nga protesta që rrëzoi bustin e Enverit.
Hije të tilla dyshimi për rolin e tij më 20 shkurt 1991 gjatë tubimit për rrëzimin e bustit të Enver Hoxhës në Tiranë e kanë kompleksuar shumë Berishën ndër vite dhe “mallkimi” i FIAT-it të bardhë i asaj dite, po e ndjek për 33 vite me radhë. Do ta kishte ndërruar dhe këtë datë siç bëri me atë të themelimit të PD dhe të çlirimit të Shqipërisë, por nuk ka mundur, s’kishte ku të kapej.
Ndaj çdo 20 shkurt Berisha e ngre zërin më shumë, akuzon më shumë kundërshtarin politik dhe paralajmëron se do të shembë regjimin e ‘bijve sikurse shembi atë të etërve’. Sepse nuk ka qënë vetë në anën e atyre që rrëzuan bustin e diktatorit, ishte në makinën në pronësi të komitetit të PPSH të Tiranës, dhe marrë nën kontratë në shërbim të Sigurimit të Shtetit.
Në 11 vitet e fundit me radhë ka premtuar çdo 20 shkurt se do të rrëzohet Edi Rama, këtë radhë këtë kërcënim kreu i Foltores e bën nga dritarja e shtëpisë së tij ku është mbyllur nën arrest shtëpiak, me kërkesë të SPAK. Eshtë në kushte tërësisht të pafavorshme për të bërë një miting normal, sëpaku, për të treguar se ka mbështetje. Jo më për të bërë rrëzime qeverie, është utopi.
E themi këtë sepse koha po punon kundër Berishës, jo vetëm në aspektin jetësor, pasi është 80 vjeç tashmë, me të dy datat e lindjes, por sepse për hallin e tij personal, e ka shkatërruar PD në atë farë feje, sa as vetë demokratët nuk orientohen më se të kujt janë në të vërtetë. Imagjino pjesa gri e elektoratit, ajo që të sjell në pushtet, që nuk di se kush është lidershipi i demokratëve dhe nuk ka si ta çojë votën në drejtim të paditur.
Koha punon kundër Berishës dhe për hir të së vërtetës dhe kundër opozitës, e cila vende vende ka dhënë konfermën se do të jetë në tubimin e 20 shkurtit, pasi ky tubim vjen vetëm 5 ditë pas vizitës së sekretarit amerikan të shtetit Atony Blinken. Sekretari Amerikan i Shtetit, pikërisht ai që i bëri ‘gjëmën’ Berishës teksa firmosi shpalljen e tij familjarisht ‘non grata’ në SHBA, e cilësoi Shqipërinë aleatin më të mirë dhe të vetëm të SHBA në rajon, Edi Ramën liderin e vetëm partner të SHBA në Shqipëri por dhe në rajon, duke e quajtur dhe lider të rajonit, e mbi të gjitha Blinken e cilësoi Edi Ramën një udhëheqës të shkëlqyer dhe një kryeministër shumë të mirë. Shprehte qëndrimin e qeverinë amerikane Blinken, nuk fliste në emër të tij.
E një vlerësim i tillë nga Blinken u bë pikërisht në Tiranë, përballë një opinioni publik shqiptar që e ndiqte me interes dhe që në masën 90% është pro SHBA. Jemi populli më proamerikan në Evropë sëpaku ne shqiptarët. Gjithkush mund ta imagjinojë se çdo të thotë kjo politikisht.
Prandaj themi që Berisha nuk duhet t’ua ngrejë mendjen njerëzve që e mbështesin, sado të paktë që janë, me premtime të tilla se më 20 shkurt rrëzohet Rama, ‘shembet regjimi i Ramës’, sepse janë të gjitha shanset kundër kësaj opozite, e cila është copë copë, ndërsa Rama vetëm ngrihet në vlerësime nga partnerët dhe në mbështetje nga qytetarët.
Për më tepër që 21 shkurti vjen shumë shpejt, 24 orë më vonë, dhe shqiptarët sërish do kenë Ramën kryeministër, si dhe Berishën duke folur në majë të ballkonit në kushtet e arrestit shtëpiak për korrupsion. Bashkë me kompleksin e kahershëm të tij ndaj 20 shkurtit, e lidhur shumë kjo me mungesën në pjesën aktive të protestës që rrëzoi bustin e Enver Hoxhës më 1991. Nuk e hoqi për 33 vite këtë kompleks shë jëmi të bindur se dhe për vitet që i kanë mbetur as që bëhet fjalë ta heqë. Vetëm sa po zhbën PD, në tërë hallin që e ka kapur, duke e lënë në opozitë pafund./ Java News
Shihni o popull fai pa s kujt shkoni!
Përgjigju