Konflikti për betimin/ Brukseli, Venecia, Kushtetuesja, KLGJ dhe KLP 'rrëzojnë' Metën

17 Shkurt 2020, 15:22| Përditesimi: 17 Shkurt 2020, 15:24

  • Share

Kushtetuta e Shqipërisë, në nenin 129, parashikon që anëtari i Gjykatës Kushtetuese fillon detyrën pasi bën betimin para Presidentit. Ligjet për Gjykatën Kushtetuesen dhe statusin e gjyqtarëve nuk kanë rregulla më të hollësishme për çështjen e betimit. Duke shfrytëzuar këtë vakum ligjor, Presidenti Ilir Meta nuk lejoi Arta Vorpsin të bënte betimit dhe të fillonte detyrën si anëtare e Gjykatës Kushtetuese, pasi ishte zgjedhur e tillë sipas ligjit. Duke mos lënë zonjën Vorpsi për të bërë betimin, Meta zgjodhi në vend të saj Marsida Xhaferllarin, pa Veting, jashtë afatit ligjor dhe jashtë tre kandidatëve të parë, të renditur nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi. Në këto kushte, shumica ndërmori një nismë ligjore, për ndryshimin e ligjit për Gjykatës Kushtetuese, duke i dhënë zgjidhje situatave në të ardhmen kur Presidenti nuk organizon ceremoninë e betimit.

Ligji nuk ia heq të drejtën Presidentit për të organizuar ceremoninë e betimit për anëtarin e Kushtetutës, pasi një e drejtë e tillë, parashikohet në Kushtetutë. Ligji i ri i cakton Presidentit 10 ditë afat për të organizuar ceremoninë e betimit. Nëse Presidenti nuk e organizon ceremoninë për 10 ditë, anëtari i Kushtetueses e bën betimin në formë të shkruar dhe ia dërgon atë Presidentit. Në këtë rast betimi konsiderohet i kryer.

Presidenti Ilir Meta e konsideroi sot ndryshimin grusht shteti. Por, për këtë ndryshim është ngritur një grup pune, i cili ka punuar nën asistencën e EURALIUS-it, misioni i Bashkimit Evropian në Tiranë që mbështet dhe asiston autoritetet shqiptare për të përafruar sistemin e drejtësisë me standardet evropiane. Për nismë ligjor u është kërkuar mendim Këshillit të Lartë Gjyqësor, Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Shkollës së Magjistraturës, shoqatës së gjyqtarëve, Fakultetit të Drejtësisë, UT, Komitetit Shqiptar të Helsinkit, Fondacionit SOROS, Res Publica, Institutit të Studimeve Politike dhe Ministrisë së Drejtësisë.

Në mbledhjen e Komisionit të Ligjeve, kur është shqyrtuar propozimi, kanë marrë pjesë Nënkryetari i Këshillit të Lartë Gjyqësor, Maksim Qoku, anëtari i Këshillit të Lartë Gjyqësor z. Ilir Toska,  si dhe përfaqësues të Misionit EURALIUS, të cilët kanë dhënë dakordësinë për ndryshimin.

Ndërkaq, në raportin që Komisioni i Ligjeve ka paraqitur në Kuvend për të kërkuar miratimin e ndryshimit ligjit, është referuar edhe një qëndrim i Komisionit të Venecias për këtë çështje. Bëhet fjalë për një qëndrim të Komisionit të Venecias, të datës 22 Qershor 2006, ku trajtuar një rast të ngjashëm me Gjykatën Kushtetuese së Ukrainës. Venecia në këtë opinion thekson “Një nga zgjidhjet në këtë drejtim mund të jetë betimi në formë të shkruar dhe dorëzimi i tij Presidentit, ose Kryetarit të Parlamentit”.

Në raportin për Kuvendit, Komisioni i Ligjeve ka sjellë edhe një vendim të Gjykatës Kushtetuese, në të cilin thuhet se “Rregullimet që bën Kushtetuta nuk mund të jenë gjithmonë të plota ose shteruese, pasi ajo nuk ka për qëllim të rregullojë hollësisht çdo çështje të organizimit të jetës politiko-shoqërore të një vendi, por vetëm parimet dhe kriteret bazë mbi të cilat duhet të mbështetet ajo. Edhe pse disa çështje që lidhen me rendin shtetëror mund të parashikohen në mënyrë të hollësishme prej saj, gjithsesi mbeten mjaft aspekte të organizimit të jetës institucionale për t’u parashikuar nga ligje ose akte të tjera normative”.

B.K./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Jdjdjd: 17/02/2020 19:37

    Për çdo rast, kur rregullimi kushtetues parashikohet shprehimisht prej saj, ai, detyrimisht, do të zbatohet drejtpërdrejt.(shih vendimin nr. 3, datë 20.02.2006 të Gjykatës Kushtetuese)

    Përgjigju
  • ILIR META E VËRTETA: 17/02/2020 16:22

    O ilir me bllok në dor ti përpëlitu si të dush po burgut si shpëton e djersën e popullit do ta dofzosh o iliri kaposh pa pupla ilir kuklla. Ka ardh dita llogari me dhon o iliri me bllok në dor.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?