Basha dhe Berisha dje ne Kuvendin e PD

Kongresi i PD, si Pleniumet e PPSH

30 Prill 2018, 12:10| Përditesimi: 30 Prill 2018, 12:12

  • Share

Kongresi i Partisë Demokratike, u kujtoi edhe njëherë shqiptarëve, jo vetëm nga përmbajtja por edhe mënyra e organizimit, Pleniumet e KQPPSH.

Veç himnit të flamurit, (nga ku Lulzimi u veçua si njeriu më i sëkëlldisur në sallë) ai kongres nuk kishte dhe nuk solli asgjë të re politike, asgjë të re që mund ta dallonte si parti e djathtë, asgjë të re programore, asgjë të re ideore, që të tregonte se ajo parti pretendon të marrë pushtetin në 2021, veç faktit se ishin thirrur për ta “përshendetur” njerëz të dalë nga arkivat dhe muzetë e PD në vite.

Ata ishin gjetur “me qiri” nga servilët dhe dallkaukët politikë të Lulzimit, për të krijuar përshtypjen se “ja ky kongres është i larmishëm, flasin ish-anëtarët e Këshillit Kombëtar, por flasin edhe ata që janë hequr nga skema e ndihmës ekonomike”.

Sa qesharake aq edhe e turpshme. Kongresi PD, ngjante si dy pika uji, me Pleniumet e KQPPSH për shumë arsye, duke nisur nga mënyra e përzgjedhjes së delegatëve (kongresmenëve) e duke vazhduar me talljen që Lulzimi dhe shpura e tij fallco, bëri me Uran Kostrecin dhe ndonjë tjetër të ardhur nga Kavaja dhe Kukësi, që kishin pranuar të godisnin keq qeverinë, dhe të mbronin sado pak kryetarin Basha , me fjalimet e tyre të parapergatitura.

Të mbledhur dhe të ftuar me premtimin se “PD do të kthehet në pushtet dhe ju do të përfitoni të parët prej saj” , kongresmenët e ardhur nga lloj-lloj zonash të banuara por jo nga baza reale e asaj partie, dëgjuan me gojën hapur, milionerët e kollarisur dhe të llakosur që kishin në krah, tek “shanin, akuzonin dhe denonconin” qeverinë Rama, por dhe mallkonin integrimin e vendit në BE.

Të mbledhur për “kongresin e partisë”, ata kishin ardhur në sallën e mbushur me servilët e Lulzimit, me mendimin dhe besimin se “PD do të vijë në pushtet shumë shpejt” duke mos kuptuar asgjë nga skenarët me “ndryshime statuti”, dhe premtimet boshe të një kupole drejtuese që kanë të vetmin merak, rikthimin në pushtet për tu ripasuruar më shumë.

I ftuar në “Pleniumin e 5 të KQPPSH”, ishte edhe nënkryetari PPE Mario David, që u kujtoi kongresmenëve të PD se “vinte nga larg për të përshendetur Sali Berishën, Lulzim Bashën Genc Pollon dhe Grida Dumën”, por edhe duke u kujtuar atyre “nevojën e përkujdesjes nga qeveria të angazhimit makzimal ndaj opozitës në zbatimin e reformës në drejtësi”.

Zoti David natyrisht ishte porositur të “godiste” qeverinë dhe tu kujtonte kongresmenëve të Lulzimit se “negociatat do të ishin të dështuara në rast se qeveria nuk zbaton të gjitha kushtet e vendosura nga BE”.

Mbrojtja që zyrtari i lartë i PPE i bëri Lulzimit, ngjasonte më tepër me mbrojtjen që i bënte Enver Hoxhës, kur i rrezikohej pushteti, këshilltari sovjektik.

Në fakt ky kongres i Partisë Demokratike, i mbajtur në këto momente , duhej të ishte fushëbeteja ideore dhe programore mes Lulzim Bashës dhe kritikëve, duhej të ishte fushëbeteja politike mes atyre që e shkatërruan dhe privatizuan atë parti, dhe zërave kundër, për të dhënë llogari para demokratëve (dhe jo një salle të mbushur me pensionistë dhe adoleshentë) për humbjet elektorale dhe gjithçka të keqe që ka pësuar kjo forcë politike në këto 6 vjet.

Në PD, kanë ndodhur shumë ngjarje, që prej dhjetorit të vitit 1990, kur u rrëzua sistemi komunist, dhe ndoshta pyetja e madhe që duhej të ngrihej atje nga ajo sallë duhej të ishte, ku janë shumica e protagonistëve të atij dhjetori që nuk vazhduan karrierën politike të tranzicionit, përse ata ecën në rrugë të ndryshme, kush i përzuri, kush i denigroi, kush i baltosi, kush i harroi ?

Edhe sot pas më shumë se 27 vitesh, në Partinë Demokratike të Lulzim Bashës sërish po përjashtohen protagonistët e dhjetorit ’90, apo dhe kontribuesit e 2 dekadave të fundit. Në krye të PD sot është Lulzim Basha, një një njeri që kurrë nuk ka qenë pjesë e rëndësishme e lëvizjes për rrëzimin e sistemit komunist në Shqipëri.

Natyrshëm që shumica e dhjetoristëve janë pjesë e Partisë Demokratike, edhe pse jo në drejtimin e saj, por e veçanta është se ata janë harruar. Fjalimi Lulzim Bashës në kongresin e PD ishte dogmatik, dhe një përsëritje bajate e fjalimeve dhe deklaratave që ai ka bërë për “fitoren e padiskutueshme të demokratëve”, apo ato të tjera në “protestat popullore” dhe në foltoren e Parlamentit.

Dora e “shtrirë” e Lulzimit, ishte sërish shfaqje e hipokrizisë tij, ishte sërish tallja që vazhdon me ata që kanë muaj dhe vite që kërkojnë nga ai dorëheqjen dhe reformimin e partisë tyre.

Dora e “shtrirë” e Lulzimit, ishte thjesht rituali provokues, që ai u bëri atyre që e kanë deklaruar tashmë qëndrimin politik ndaj tij, ishte thjesht fjalia që “ndezi” ovacionet e kongresmenëve nën thirrjet “Basha-Basha”.

Ky ishte kongresi jeminëve, dhe i atyre që miratuan gjithçka, pavarsisht se asgjë nuk dinin rreth “ndryshimeve statutore” të Lulzimit.

Ky kongres (apo plenium i PD) volusi përfundimisht rrugën e gabuar dhe të qëllimtë të një kaste që po e shpërbëjnë nga themelet atë parti, duke ndryshuar jo vetëm kursin politik djathtist të saj, por edhe të gjitha vlerat që ajo forcë politike ka në këto 27 vjet tranzicion.

Nga nesër PD, do të quhet “partia e Lulzim Bashës”, nga nesër PD do të jetë “partia e kryetarit”, nga nesër në PD do të bëjnë karrierë vetëm “servilët dhe gojëmbyllurit e kryetarit”, nga nesër PD do të jetë jo “partia e hapur”, por partia e kyçur për cilindo që beson dhe guxon të trokasë si demokrat i lirë atje.

Komento

Komente

  • Hasani: 03/05/2018 09:46

    Dhe Lulzimi rrinte ne salle si te ishte Putini

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?