Konispol/ Zbulohet rruga e kalldrëmtë në grykën e Bogazit! Arkeologu Halil Shabani: I përket periudhës së mesjetës

5 Nëntor 2022, 17:28| Përditesimi: 5 Nëntor 2022, 17:31

  • Share

Një segment rruge me kalldrëm është zbuluar nga arkeologu Halil Shabani, i cili thotë se i përket periudhës së Mesjetës. Ajo ndodhet në fshatin Shkallë të Bashkisë së Konispolit, pikërisht në vendin ku mbaron Gryka e Bogazit.

“Ka tregues ineresant, është një rrugë e kalldrëmtë gati 100 metra, pjesa më e madhe e saj është e ruajtur mirë për shkak të terrenit malor dhe larg qendrës së banimit. Ka qenë përdorur për kalimin e karvanëve”, tha Halil Shabani, arkeolog.

Gjerësia e kalldrëmit dhe pozicioni gjeografik buzë lumit Pavla, në Grykën e Bogazit të bën të mendosh se rruga ka shërbyer për të lidhur qytetet antike Foinike, Çukën e Ajtojt dhe Nikopolin më në jug.

“Auorët të lashtë grekë e romakë kanë përshkuar këtë lidhje tregtie të qyteteve antike. Kjo rrugë i përket kohës së Mesjetës, por mund ti përkasë dhe asaj Antike”, tha Halil Shabani, arkeolog.

Kjo rrugë ende nuk ekziston në arkivin e arkeologjisë shqiptare, ndaj Shabani kërkon që institucionet të nisin studimet për përcaktimin e saktë të periudhës kohore.

SI.E.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?