Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj dha sot një intervistë për Report Tv ku foli për kopshtet, çerdhet lidhur me masat anti-COVID, por edhe cështje të tjera.
Çfarë do të ndodhë me kopshtet dhe me shkollat, si edhe me ata prindër që mund të jenë në pundhe nuk kanë se ku të lënë fëmijët?
Kjo është një pyetje që shqetëson shumë njerëz, megjithatë, një nga gjërat që kemi mësuar gjatë kësaj kohe të pandemisë, është që secili duhet të jetë i përgjegjshëm për fushën e vet. Unë e di që nuk mungojnë asnjëherë gjithologët, ka nga ata që flasin për mjekësi pa qenë mjekë, flasin për pandeminë dhe për shëndetin publik pa bërë një kurs të shëndetit publik. Ajo që unë kam mësuar është që duhet t’i rri zanatit tim. Kjo do të thotë që, në qoftë se ne nuk kemi një rekomandim nga mjekët për të hapur këto institucione, atëherë nuk do t’i hapim. E di që ky është një vendim i vështirë, që nuk u pëlqen shumë njerëzve, por kjo nuk është çështje pëlqimi. Ne mund të kemi opinione të ndryshme, por nuk mund të kemi fakte të ndryshme. Për sa kohë që faktet tregojnë që jemi akoma në këtë betejë, pavarësisht se situata po vjen drejt përmirësimit, kjo nuk do të duhet të kontestohet.
Ajo që ne kemi bërë si punëdhënës, pra përveç se jemi pronarët e kopshteve, të shkollave dhe të çerdheve, jemi gjithashtu punëdhënës, një nga punëdhënësit më të mëdhenj në qytetin e Tiranës dhe në Republikën e Shqipërisë, është që njëri nga të dy prindërit që kanë fëmijë të vegjël, të rrijë në shtëpi dhe të punojë nga shtëpia. Dhe ne do ta vazhdojmë këtë regjim. Rekomandimi im është që, deri sa mjekët të japin ok për hapjen e kopshteve, të çerdheve dhe të shkollave, përtej maturës, do të duhet që t’i respektojmë ata dhe të mos dëgjojmë çdo lloj gjithologu që na jep “shkencën” e vet për gjëra për të cilat nuk është ekspert. Ndërkohë, siç u njoftua dje, është marrë një vendim për hapjen e maturës. Matura bën një përjashtim për faktin se një pjesë e konsiderueshme e maturantëve do të vazhdojnë universitetin. Kjo do të thotë që dokumenti i provimeve të maturës është vendimtar për pjesën e mbetur të jetës, të karrierës dhe të punëve të ardhshme që do të marrin këta nxënës, është bërë ky përjashtim. Me gjasë, ajo që do të ndodhë është që klasat do të jenë shumë më të vogla, do tëjenë shumë pak veta në ato klasa dhe një maturë, p.sh. matura e “Sami Frashërit”, meqë ka qenë shkolla më e përmendur, do ta vazhdojë mësimin në disa shkolla.
Do të përdorim edhe shkollat 9-vjeçare për maturantët, që të sigurohemi që ky numër është shumë i ulët. Ka filluar momentalisht dezinfektimi i shkollave, pra në përgatitje për hapje vetëm për maturantët. Shkolla pasi dezinfektohet, vuloset. Pra, për sa kohë që nuk hyn njeri dhe nuk ka nga të hyjë virusi, shkollat konsiderohen higjienikisht të pastra dhe do të hapen vetëm në ditën kur maturantët do të jenë aty, në klasa shumë më të vogla, dhe siç thashë, me gjasë matura e një shkolle do të shpërndahet në disa shkolla për të ruajtur distancimin social në këto klasa dhe për t’u siguruar që ky segment kyç i nxënësve që janë maturantët, të cilët e kanë vendimtar provimin e maturës, të mos e vuajë koston e kësaj pandemie te karriera dhe te vazhdimi i mëtejshëm i shkollës së tyre në Shqipëri apo jashtë saj.
A ka grupe ekspertësh që konsultohen edhe përtej kufijve të Shqipërisë, për të na këshilluar sesi ne do të punojmë në të ardhmen, si do të hapen shkollat, kopshtet e çerdhet?
Jemi duke punuar me disa skuadra. Ne jemi pjesë e një rrjeti të bashkive, ku dhjetëra kryetarë bashkish nga e gjithë bota takohen virtualisht çdo të enjte, për të ndarë këto plane. Ajo që po shikonim me bashkitë skandinave, kryesisht ato në Danimarkë, është që kryesisht shkollat kanë kaluar me dy turne, për t’i siguruar që automatikisht përgjysmohet prania e nxënësve në një klasë. Me shumë gjasa kjo do të kërkojë mësues shtesë sepse orari shkollor do të jetë më i gjatë dhe klasat më të vogla. Portali “mësues për Shqipërinë” ka mjaftueshëm, ka një bollëk talentesh që janë renditur dhe besoj që do të angazhohen. Shkollat po ndërtohen me shpejtësi, shkollat e reja, pikërisht për t’i pasur klasat më të vogla dhe më vjen mirë që Tirana ka filluar 17 shkolla me projektin bashki-qeveri të shkollave të reja, ndërkohë që edhe 11 të tjera do të ndërtohen prej projektit të rindërtimit pas tërmetit.
Një nga gjërat që po rekomandohet është që gjithmonë e më shumë, sidomos në vende mesdhetare, me kohë të mirë, ku tipikisht mund të ketë 300 ditë me diell, disa klasa të bëhen jashtë. nëse nuk ka nevojë për një tabelë të zezë ose për diçka tjetër, mund të bëhen fare mirë jashtë, edhe në kopshte e në çerdhe, kur të hapen. P.sh. në kopshte ne kemi jo vetëm kënde lojërash, por edhe disa hapësira ku fëmijët mbjellin diçka, pra bëjnë disa orë në natyrë. Gjithmonë e më shumë po rekomandohet, që sa të jetë e mundur, klasat të bëhen në natyrë. Tani që mbaroi Parku Rinia dhe Liqeni, parashikoj që shumë prej këtyre hapësirave që tipikisht janë përdorur vetëm për ekskursione ose për argëtim, do të jenë klasa të hapura në natyrë dhe këtu ne hyjmë te vendet me fat sepse kemi mjaftueshëm ditë me diell. Por këto janë vetëm disa ide, sepse ne nuk e dimë nëse do të ketë një rishpërthim të pandemisë kur të vijë vjeshta, kështu që është diçka në monitorim. Por, pak a shumë, këtu po rrahin idetë sesi mund të jetë një rihapje ku të ruhet distanca sociale dhe të jemi më shumë në ajër, ku nuk infektojmë njëri-tjetrin.
Sa e vështirë ishte për ju që të merrnit vendimin për shkollën “Sami Frashëri”?
Unë besoj që diferenca mes dikujt që rri tërë ditën në facebook ose i sheh gjërat nga divani dhe që ka luksin të shajë, të japë mend, të bëjë ironikun, të flasë me kompetencë të madhe për gjëra që s’i kupton, është shumë e thjeshtë. Është më e vështirë puna që kemi ne sepe duhet të marrësh vendime përditë dhe vendimet asnjëherë nuk i kënaqin të gjithë. Gjithmonë mbetet dikush qejfmbetur apo i mërzitur, edhe kur pastrojmë një ndërtim pa leje. Sigurisht që ai që e ka bërë ndërtimin pa leje në mes të një parku është i mërzitur, por ama një mijë të tjerë thonë që ky ishte një vendim i drejtë që mund të mërzisë një njeri, por mund të gëzojë një mijë të tjerë që do të shijojnë parkun. Pra, edhe ky hyn tek ato vendime që nuk i kënaq të gjithë, por kur je në një pozicion si ky ku jemi ne sot, dhe që nuk ka kohë sepse çdo ditë ka vendimet e veta, nuk marrim dot më shumë muaj dhe vite për të bindur këdo. Në momentin që shkolla u shemb, e patë edhe vetë, që shkolla e ndërtuar më 1962 kishte vetëm mure dhe vetëm soleta. Pra, nuk kishte shtylla betoni.
Dolën rreth 100 kg hekur nga gjithë ajo shkollë. Kjo do të thotë që inxhinierët e kanë matur saktë, e kanë prekur saktë problematikën që një tërmet të dytë shkolla nuk do ta mbante, pavarësisht se në pamje të parë ajo dukej për bukuri. Dhe ky ishte edhe debati që kishim me disa prindër dhe që pastaj u bindën dhe thanë që, vërtet duket për bukuri por është vetëm një goditje larg dhe siç e pamë, me dy-tri prekje u shemb e gjithë ajo shkollë. Natyrisht që nostalgjia ka vendin e vet dhe ne patjetër që do të kemi një muze në shkollën e re. Do të jenë të ftuar të gjithë ish-gjimnazitët e kësaj shkolle që të aktivizojmë rrjetet tona, jetën tonë, historinë tonë. Nostalgjinë e kemi në zemër, në mendje, në komunikimet me njëri-tjetrin. Nuk duhet të ketë askush nostalgji për soleta që mund të na zinin brenda. I kam dëgjuar edhe ata që spekulojnë dhe thonë që shkolla u rikonstruktua dhe ku janë lekët e popullit. E para, ata që flasin për lekët e popullit nuk kanë paguar asnjëherë taksa. Kjo është e sigurt. Nuk është paguar asnjë taksë. Ne e kemi bërë rikonstruksionin me donacion. Nuk dua ta them emrin e kompanisë, por mund ta shihni këtë në arkiv, sepse nuk dua ta kthej në reklamë. Në atë shkollë e cila para tërmetit kishte një funksion normal, kur erdha si kryetar bashkie dhe e gjeta të paprekur me dorë nga ish-kryetari paraardhës Lulzim Basha, i cili është edhe ai një ish-nxënës i saj, me donacione, ku në ato ditët e para kopshtet, çerdhet u adoptuan nga një kompani, kemi ndërruar dyert sepse ishin shqyer, kemi ndërruar lavamanët sepse nuk kishte dhe ujin e merrnin me sapllake, kemi vënë koshat e basketbollit sepse ishin shqyer dhe kishin mbetur vetëm shtyllat dhe kemi bërë një fushë mbrapa.
Fushat do të ribëhen, laboratori i fizikës që u dhurua nga kjo kompani prapë u tërhoq dhe kemi harxhuar zero qindarka nga taksapaguesit. Pra, në vend që të mërzitet kopmania që na i dhuroi këto gjëra, mërziten ata që as kanë paguar taksa, as kanë mbjellë një pemë, as kanë bërë një park për të moshuarit. Kështu që nuk impresionohem nga këta, as nga nostalgjia sepse besoj që misioni ynë si ish-“samista” që kemi gjëra në dorë është që të marrim një vendim të drejtë. Ndoshta mërziten ca njerëz për momentin, por kur të bëhet shkolla e re, siç u bë ish-shkolla ime tjetër “Kosova”, apo ish-shkolla ime tjetër “Dora D’Istria”, si të gjitha ish-shkollat e tjera tona ku kemi vënë dorë. Nëse do të ishin paguar para nga taksapaguesit, ata do ta kishin çuar kryetarin e bashkisë në SPAK apo në Prokurori, siç bëjnë për çdo fije bari kur u preket interesi. Fakti që nuk e bëjnë është se e dinë që gënjejnë. Nëse kanë prova të tilla dhe nëse unë nuk po them të vërtetën, le të shkojnë në Prokurori ku kanë shkuar gjithmonë dhe kanë dalë huq, sepse akuzat e tyre nuk bazohen në fakte, por vetëm mundohen që të mbjellin helm me shpresën se një ditë do të shpërblehen. Shkolla e re po dizajnohet. Ne do ta fillojmë punën këtë vit në mënyrë që shtatori tjetër të na gjejë me një “Sami Frashër” të ri, më të madh dhe më të fortë.
Kur do të jetë projekti më ambicioz ose ai që keni më për zemër për shkollat?
Nuk është vetëm “Sami Frashëri”. Ne po bëjmë një buqetë shkollash të reja. Dy shkolla kanë ecur shumë mirë, shkolla “Nënë Tereza” dhe shkolla “Kenedi” në Institutin Bujqësor, në Kodër Kamëz. Edhe ai ishte një projekt i vështirë që u anatemua. Por ja ku jemi sot, do të kishte mbaruar. Astiri është një problem që më në fund u zgjidh. Humbëm dy vite kohë. Ne mund ta kishim mbaruar bashkë me ARRSH-në përpara dy viteve. Tani do të ishim duke e inauguruar atë nënkalim. Mëkat shumë i madh kur politika merret me punët e Komunales, sidomos ata që ishin këtu dhe mund t’i kishin bërë këto gjëra. Ikin dhe u mbeten peng punët që nuk bëjnë. Megjithatë, ai mbetet projekt kyç dhe besoj që në dy vite ne do të kemi mundësi që të shikojmë përfundimin e asaj vepre. Kemi një ndjesi të mirë duke qenë se është punuar gjatë këtyre ditëve meqenëse nuk ka pasur trafik, qëndoshta mund ta shkurtojmë për një vit kohën e përfundimit të atij aksi shumë të rëndësishëm.
Dy shkolla të tjera të reja që sapo i inspektuam me kryeministrin janë “Kristo Frashëri” dhe “Vaçe Zela” në fund të Don Boskos, aty ku edhe popullsia është rritur jashtë mase. Shkolla ka një oborr gjigant të brendshëm, pikërisht për të menduar edhe për ditën kur një pjesë e klasave do të duhet që të bëhen jashtë në natyrë, shumë pranë ambienteve të tjera të shkollës. Ndërkohë sot ose nesër fillojmë me 4 shkolla të tjera: një në Qytetin Studenti, një te Fresku, një te “5 Maji” dhe një në Tufinë. Ndërkohë me projektin e rindërtimit pas tërmetit do të prishet shkolla “Lasgush Poradeci” në Kombinat, e cila nuk mban më sepse është tejet e amortizuar. Kemi edhe shkolla në fshat, në Gurrë, në Pezë-Helmës, në Pezë të Vogël. Në këto raste do të bëjmë edhe një konsolidim të shkollave sepse në vend që të bëjmë shkolla periferike me një klasë dhe me një mësues që jep mësim edhe për Abetaren edhe për Astronominë, gjë që nuk vlen. Kështu që do të bëjmë një konsolidim që përkon edhe me lagjet e reja, të shtëpive të reja, që gjithashtu do të fillojnë shpejt. Në finale, ambicia jonë më e madhe është që këtë verë, e gjithë Tirana të jetë kantier për ndërtimin e 870 shtëpive të reja për ata persona që u prekën nga tërmeti i nëntorit dhe pastaj në vjeshtë të kemi 4 kantiere të reja, të cilat janë lagjet e reja të Tiranës: te “5 Maji” në Bregun e Lumit, në Kombinat, në zonën Autotraktori, si edhe banesat individuale që do të quhen një kantier, por që është i shpërndarë me pallate specifike që nuk janë pjesë e këtyre grupimeve të mëdha.
Si po dezinfektohen në Tiranë zonat ku ka vatra të covid-19?
Patjetër që mostregimi i vatrave të virusit bëhet me qëllim. Përveç Petrelës ku kemi një shtëpi të izoluar dhe që është jashtë fshatit, pjesa e Tiranës rurale nuk ka pasur problematika. Por në Tiranën urbane, në të 14 njësitë, kemi raste. Ajo që ndodh shpesh në raste të tilla, ku njerësit kanë një sens alarmi pak më të shtuar, janë pak më të ndjeshëm, rrezikojmë të kalojmë në histeri, edhe në një lloj paragjykimi, një lloj konflikti social që mund të krijohet. Pra, le ta themi që ka njëlloj stigme, e cila kërkon emancipim. Dhe unë besoj që duke evituar emërtimin e adresës së saktë apo të familjes së saktë, evitojmë këtë lloj stigme në një situatë ku të gjithë jemi pak si mbi gjemba dhe reagojmë ndonjëherë jo në mënyrën më të mirë të mundshme.
Nuk është stigmë, është njëlloj siç sëmuremi nga sëmundje të tjera. Edhe kjo është një sëmundje që infekton dhe sëmur. Prandaj kjo është edhe arsyeja përse ruajmë anonimitetin e rasteve. Dhe ajo që ndodh është që shkon ekipi i dezinfektimit ose i zjarrfikësve ose i punëtorëve të qytetit dhe bën dezinfektimin jo vetëm të banesës, por edhe të shkallës, të ashensorit, të disa vendeve ku mund të ketë shkuar i infektuari. Nuk është për t’u stigmatizuar. Është vetëm një mënyrë për t’u siguruar që nëse ka stërkala ose mbetje të infeksionit mbi sipërfaqe, të zhduket 100%. Ajo që na rezulton për të 380 rastet e Tiranës, është që virusi është marrë nga kontaktet njeri me njeri, kështu që është gjurmuar edhe personi i kontaktit me të infektuarin.
A do të pajisen të gjitha tregjet me tunelin e dezinfektimit? Në Institutin Bujqësor kemi parë që shitet në rrugë që nga mishi, peshku, rrobat e përdorura, gjithçka. A do të ndërhyhet nga ju?
Absolutisht që po. Tregu i rrobave të përdorura te Fabrika e Miellit, sot nuk është më. Ka qenë një vragë në fytyrën e Tiranës estetikisht, por u bë edhe problem në momentin që dhjetëra njerëz veshin të njëjtat rroba dhe ndërrohen në rrugë. Komunitetin rom e duam fort, e respektojmë shumë, kemi bërë shumë ndoshta më shumë se kushdo që ka pasur angazhim publik, ama në një treg që ka pak më shumë hapësirë, që nuk janë në mes të rrugës në një ngushticë ku secili vishet dhe ndërrohet në kontakt shumë të afërt me tjetrin. Dhe do të vazhdojmë kudo. Tani, nuk them se më vjen mirë që prej kësaj historie u emancipuam, por kemi kohë që e themi këtë. Nuk mund të futemi nëpër kazanë, nuk e ka zhdukur varfërinë asnjë vend në botë duke u futur nëpër kazanë ose duke u shtrirë në rrugë. Kush mendon, prej injorancës, që ky është sevapi i kohëve moderne të vitit 2020, e ka gabim. Nuk është e bazuar as në librat e shenjtë as në normat njerëzore, por sidomos sot, as në kodet e higjienës, shtrirja në rrugë, shitja në rrugë apo futja nëpër kazanë. Kjo është një bashki që çdo ditë ndihmon 20 mijë familje. Mund të bëjë edhe 21 mijë apo 22 mijë. Secili prej atyre anëtarëve të komunitetit ndihmohet, e dimë adresën e tyre, madje edhe komunitete rome që mund të kenë ardhur nga Elbasani apo nga Fieri, të cilat janë shtuar sidomos në këto kohë, edhe pas tërmetit, edhe pas epidemisë.
Pse? Sepse në Tiranë vijnë të gjithë, në Tiranë ka më shumë bollëk, lëviz më shumë ekonomia, qarkullon më shumë paraja. Unë këto arsye i kuptoj, por për sa kohë që kjo bashki ofron rrjetet sociale, mbështetjen ekonomike, furnizimin ushqimor më të madh në republikë për të gjithë ata që janë nevojtarë, duke filluar nga banesat sociale, nga bonusi i qirasë, nga kreditë e buta, nuk do të lejohet në Tiranë shtrirja në rrugë, nuk do të lejohen tregje të kësaj natyre ku shitet në rrugë dhe nuk do të lejohet futja nëpër kazanë, sidomos pasi ne i verifikojmë që janë familje të cilat janë ndihmuar. Unë e kuptoj që disa zakone ndryshojnë me vështirësi, por më vjen mirë që më në fund kemi një konsensus publik që as varfëria nuk zhduket në këtë mënyrë, kur bashkia i ka të gjitha instrumentet e tjera që po i përdor, por as higjiena nuk mbahet dot në këtë mënyrë. Në momentin që dikush futet në kazan dhe i qarkullon ato plehra nëpër të gjithë Tiranën me karrocë, praktikisht në mos covid-19, përhap plot infeksione të tjera që shëtisin dhe që mund t’i marrësh nga sipërfaqja në dallim nga covid-19, që përhapet kryesisht nëpërmjet stërkalave. Prandaj dua mirëkuptim, dua bashkëpunim dhe siç ma alertuat ju rastin e Institutit Bujqësor, me të cilin unë do të merrem personalisht menjëherë pas kësaj interviste, po ashtu dua që qytetarët të na njoftojnë edhe për raste të tjera.
Na siguroni se janë marrë të gjitha masat në tregjet e kryeqytetit?
Të gjitha tregjet dezinfektohen rregullisht. Duhet të kemi parasysh një gjë, që çdo gjë bëhet me masë. Pra, OBSH-ja thotë që mund të përdorni këto substanca dhe mund të bëhet një herë në ditë. Ne nuk mund t’i sprucojmë me kimikate non stop ushqimet, se çdo gjë ka një masë. Nëse një kimikat mbipërdoret vetëm për efekt psikologjik që njerëzit të shikojnë sprucimin non stop, atëherë i shpëtojmë nga covid-19 por rrezikojmë që t’i helmojmë nga kimikatet. Pra, ka një protokoll të pastrimit një herë në ditë. Në tregjet ku ka shumë fluks kemi vënë edhe kabinat dezinfektuese. Por, ajo që rrezikon të ndodhë ndonjëherë, është kur njerëzit shikojnë larjen e rrugëve në mëngjes, shikojnë sprucimin që i bëhet me vaporizator në darkë. Ne kemi 2 muaj që e bëjmë. Italia sapo e filloi, para një jave e pashë këtë lajm te Shqiptarja.com. Ndërkohë qytetarëve kjo u jep një iluzion të rremë, se meqë bashkia i ka bërë të gjitha këto punë, jemi të qetë. Jo. Bashkia i ka bërë këto punë dhe shumë mirë ka bërë, por është vetëm për atë përqindje të vogël të probabilitetit të infeksionit që vjen nga sipërfaqet. 99,99% vjen nga kontakti njeri me njeri, kështu që nuk duhet ulur vigjilenca e higjienës personale për të justifikuar ose për t’i futur një mendje të lehtë prej faktit që i ka dezinfektuar bashkia.
FSHF-ja krenohet me “Air Albania” sepse është vlerësuar arkitektura e tij. Si e keni pritur ju këtë lajm?
Po, u njoftuam dje nga Lubjana. Ka një çmim prestigjioz të arkitekturës, i dedikuar vetëm për Evropën Juglindore. Çmimet do të jepen gjatë këtij viti në Lubjanë. Tashmë kanë njoftuar fituesit dhe fituesi i këtij çmimi është stadiumi “Air Albania”, një krenari e jashtëzakonshme sepse besoj që projektet që janë kontestuar më shumë kanë dalë më të bukurat, siç u kontestua sheshi, këndi i lodrave, pazari, kalaja, stadiumi, bulevardi, shumë prej iniciativave që kemi marrë. Është fatkeqësi. Kur shkon të marrësh këto çmime, nuk di sesi t’i thuash, “ta dini ju se me çfarë dhembjeje janë bërë këto projekte dhe sesi jemi shqyer ne politikisht, si jemi kacafytur deputetë me pistoleta nëpër kënde lodrash”, nuk të beson njeri, do të thonë që ne fantazojmë. Megjithatë, këto janë çështje të brendshme, kur dalim atje themi që s’ka si Shqipëria, si shqiptarë ne duhemi të gjithë, nuk bëjmë shamatë.
Por ama, kur vijmë këtu, duhet që të reflektojmë pak, sa kohë e bllokojmë njëri-tjetrin që këto punë të ecin më shpejt. Ai stadium që u sha e u përfol, kryeministri u abuzua verbalisht nga një pafundësi gjithologësh, ja ku jemi sot, një histori e jashtëzakonshme suksesi. Dhe sigurisht edhe me normat e distancimit, jeta do të vazhdojë, stadiumet do të rihapen, shkollat do të rihapen. Kështu që jam sot shumë krenar për këtë dhe siç e thashë edhe për “Sami Frashërin”, patjetër që do të ketë vend për nostalgjinë. P.sh. stadiumi ishte një rast konkret, ku ajo fasadë që kishte vlerë, se pjesa tjetër ishte e gjitha gomisteri dhe lavazhe, por ajo fasadë që kishte vlerë u ruajt. Pra ka një mundësi për të mbajtur pjesën e nostalgjisë, siç do të bëjmë p.sh. një muze për “Sami Frashërin” apo nesër për Teatrin. Jam i sigurt që ka shumë nostalgjikë për Teatrin. Por pyetja është: për një grup nostalgjikësh dhe një pjesë e madhe e këtij grupi nuk janë as nostalgjikë por anëtarë të këshillit drejtues të PD-së, pra janë “Astiri” i Teatrit, tani për këta do të mbahet peng e gjithë Shqipëria, e gjithë Tirana, të gjithë fëmijët e këtij vendi, të cilëve do t’u themi që për nostalgjinë e të gjithë këtyre militantëve të PD-së ju do të shkoni në Teatër me batanije? Kjo s’ka logjikë. Kështu që nostalgjinë do ta akomodojmë si te “Samiu”, siç e bëmë në stadium, siç e ruajtëm te Pazari i Ri, pra atëpjesën që kihte vlerë. Jam i sigurt që edhe te Teatri do të ketë një pjesë muzeale për këtë plejadë të artistëve që po i humbim çdo ditë.
Dhe në vend që të merremi që nostalgjinë ta ngremë mbi këto figura, ne e ngremë nostalgjinë te tallashi. Nostalgjinë duhet ta ngremë te këto figura, t’i japim një Teatër të ri Tiranës, që të ketë mundësinë të akomodojë aty hapësira muzeale kujtesë, respekt dhe mirënjohje për të gjitha këto personalitete, që prej natyrës dhe viteve që kalojnë jemi duke i humbur përditë dhe të mos fiksohemi me tallashin dhe me fijet e shkrepseve që janë që nga koha e fashizmit aty. Mjafton të shkoni te Ministria e Energjitikës, ajo ndërtesa e bukur me terrakota dhe me atë të kuqen veneciane në qendër të Tiranës, dhe të shikoni stonimin në mes asaj dhe Teatrit, për të kuptuar që ka ardhur koha, nëse sportistët e morën shtëpinë e tyre me stadiumin, nëse Tirana e mori piacën e vet me Sheshin, nëse tregtarët e morën Pazarin e tyre, nëse të gjitha kategoritë po tregohen inteligjente, mbaj mend Parkun Olimpik që sot është një superhapësirë dhe do të zgjrohet tani edhe me pishinat, që i rikthehen Bashkisë së Tiranës dhe që do të jetë prapë një projekt fantastik multisportiv në të gjithë zonën e Liqenit. Tani, ku kemi vënë dorë është transformuar, Tirana është bërë më e mirë, pavarësisht se jemi larg nga të qenit perfekt. Do të vëmë dorë edhe aty dhe nostalgjia do të akomodohet brenda Teatrit të ri. Por Tirana që mbush 100 vjeç do të duhet që të ecë shumë, shumë më shpejt.