KORÇË- Serefedin Zenellari, 71 vjeç, i cili një natë më parë vrau me dy plumba kunatin e tij Gramoz Nakon 57-vjeç është vetëvrarë mëngjesin e sotëm. Dyshohet se mbrëmjen e djeshme dy kunetërit janë konfliktuar me njëri-tjetrin pasi 71-vjeçari kishte shkuar t'i grabiste paratë. Në kanatjeren e 57-vjeçarit janë gjetur shenja të grisurash çka tregon se ka pasur një përleshje mes tyre.Ditën e djeshme autori dhe viktima janë parë duke pirë kafen bashkë në qytetin e Korçës.
Në banesën e 57-vjeçarit, policia konstatoi se mungonte një shumë prej 13 mijë eurosh e cila dyshohet se është shuma që kunati i tij i ka marrë gjatë grabitjes.
Gramoz Nako dhe Serefedin Zenellari
Policia ka shkuar na banesën e 71-vjeçarit mëngjesin e sotëm për ta shoqëruar lidhur me ngjarjen e një nate më parë, por Zenellari është mbyllur në banesë duke i dhënë fund jetës me të njëjtën armë me të cilën një natë më parë vrau kunatin e tij.
Sipas policisë 71-vjeçari jetonte i vetëm në banesë. Ai ishte babai i dy fëmijëve ndërkohë që ishte divorcuar nga bashkëshortja e tij.
Gramoz Nako u gjet mbrëmjen e djeshme i vrarë në banesë nga bashkëshortja e tij. Çifti kishte dy ditë që ishte kthyer nga pushimet në Turqi. Nako jetonte prej vitesh në SHBA.
Shokët e 71-vjeçarit e përshkruajnë Serefedin Zenellari një njeri shumë të qetë që nuk shkaktonte probleme. Në një prononcim për mediat, shoku tha se Zenellari refuzonte që të pranonte se ishte ndarë nga bashkëshortja, por thoshte se gruaja kishte ikur në Amerikë, tek vajza.
"Ishte shumë njeri i qetë, ne e kemi shumë shokë. Ishim në Voskopojë para një javë. Hanim e pinim bashkë. Madja para një jave na tha që të shkonim të ndiznim qiri në Kishë, por unë s'shkova. Ishte shok shumë i mirë. Ka qenë shumë njeri i qetë dhe i thellë nuk hapej me shoqërinë. Ishte i ndarë me të shoqen. Një djalë e ka në Greqi dhe një vajzë e ka në Amerikë. Edhe gruaja kishte shkuar tek vajza në Amerikë. Unë e pyesja për gruan, por thoshte sa ka shkuar tek goca nuk tregonte se ishte i ndarë. Ndërsa për marrëdhënien me kunatin nuk di gjë sepse nuk tregonte asgjë", tha ai.