KORÇË- Mes frikës, humbjeve të jetëve, izolimit edhe dëmit ekonomik, kjo periudhë karantinimi për shkak të pandemisë së COVID-19 ka edhe anë të mira. E megjithatë kjo pandemi na ka dhënë mundësi që të kemi më shumë kohë me familjen, më shumë kohë për të lexuar, por ndoshta edhe për të reflektuar e për të zbuluar ndonjë talent të fshehur që ritimi i jetës së përditshme nuk na e ka lejuar që ta shfaqim.
I tillë është edhe rasti i 25-vjeçarit nga Korça Andi Larti, i cili prej më shumë se 1 muaj tashmë i mbyllur në shtëpi ka shfaqur të dhënat e një sensi humori për t’u admiruar. Në rrjetet sociale, aty ku është me lehtë shfaqja e një talenti, Andi ka publikuar nga një fjali të ditarit të tij të karantinës. Me fjali të shkurtra, por edhe mini-dialogje domethenëse Andi ka përshkruar jetën e tij brenda 4 mureve të shtëpisë në këto javë. Në intervistën për Shqiptarja.com, ai na tregoi se ideja i lindi shumë natyrshëm, kur mësoi se izolimi do të ishte një gjendje që do merrte disa javë kohë. Na thotë po ashtu natyrshëm i vijnë edhe fjalitë e ditarit që ai shpërndan për miqtë e tij në facebook.
“Kryesisht Facebook-un e përdor për të ndarë me miqtë shkrime ose reagime të miat personale në lidhje me tema të ndryshme, duke i ndërthurur këto me nota satirike dhe sarkazme. Ndaj ideja e ditarit ishte fare rastësore. Pata një ide humoristike në fillim dhe e postova. Pastaj çdo ditë zgjidhja idenë më të bukur për ta postuar.Nuk dua të bëj si i rëndësishëm, por feedback-u i miqve të mi ishte pozitiv. Sigurisht, suporti dhe vlerësimi i tyre më jep kënaqësinë të përpiqem të ndaj situata gazmore sepse në gjithë këtë situatë paniku dhe çrregullimi emocional, e qeshura na jep shpresë dhe na largon sadopak mendjen nga situata.Disa prej tyre janë situata të vërteta, ndërsa shumica janë të trilluara. Nuk është se i mendoj gjatë, janë frymëzime të çastit, sepse për mendimin tim humor më i mirë është ai që vjen natyrshëm, jo i sforcuar”, tregon ai.
Si pothuajse të gjithë, në këto javë të karantinimit Andi Larti është “prezantuar” me shtëpinë e tij dhe se rutina i është ndryshuar gati 360 gradë. Mes kohës së kaluar me prindërit, gjyshërit, lojërave, ai thotë kjo periudhë i ka dhënë mundësinë që të lexojë me shumë, por edhe të ndjek disa filma, që në kushte normale do e kishte pak më të vështirë për t’i parë.
“Prej vitesh, për shkak të angazhimeve të miat, shtëpinë e kam përdor si hotel, d.m.th vetëm për të ngrënë mëngjes dhe për të fjetur, ndërsa gjithë pjesën e mbetur të ditës e kaloja jashtë saj, duke u kthyer në shtëpi pothuajse në mesnatë. Tani që jam 24 orë në shtëpi natyrisht që dhe përditshmëria ime ka ndryshuar. Më është ndryshuar totalisht cikli i gjumit. Kohën e kaloj duke lexuar, duke parë filma, ndjek me kërshëri çdo dalje publike të Dr. Pëllumb Piperos (hashahaha). Gjithashtu ndihmoj me sa kam mundësi për punët e shtëpisë ose për gatimin, pa harruar edhe mësim online, pasi aktualisht po ndjek dhe studimet master. Kam pasur më shumë kohë për të kaluar me familjen, gjë që të gjithëve na kishte munguar. Kam bërë xhirro të shkurtra me biçikletë, kam luajtur domino me gjyshin, mos u nxeh me prindërit, kam parë albumet e vjetra të fotografive. Gjëra që mendoja se nuk do i bëja më, e që në pamje të parë duken të kota, por kanë shumë vlera shpirtërore dhe më kishin munguar”, tregon Andi Larti.
Por edhe ndonjë ide të madhe mund ta ketë përpunuar në kokën e tij, edhe pse shton se si gjithë të tjerët, kur t’i kthehet normalitetit me shumë mundësi do e harrojë.
“Jam i sigurt që karantina i ka ushqyer të gjithë me ide të mëdha, kush më shumë dhe kush më pak, por kam përshtypjen sapo pandemia të përfundojë dhe të rifitohet liria, pothuajse të gjithë do i kthehen normalitetit, duke harruar ato që kanë menduar në izolim, përfshi këtu dhe mua”, thotë 25-vjeçari nga Korça.
Gjatë kësaj periudhe karantine, Andi ka mësuar, e për rrjedhojë edhe t'i vlerësojë, edhe më shumë edhe për sakfiricat e nënës së tij, si edhe të gjitha shtëpiakeve.
“E kam ditur gjithmonë dhe nuk ishte nevoja për karantinim për të ditur dhe vlerësuar punën e paepur, jo vetëm të nënës sime, por të motrës, tezes, gjyshes, hallos dhe të gjitha grave në përgjithësi. Ja u kuptoj hallin se vetëm dy pjata lava para tre ditësh dhe akoma kam dhimbje kurrizi. Ato janë heroina.Si fillim duhet të rruajmë qetësinë, të kujdesëmi për higjenën tonë dhe të respektojmë këshillat e ekspertëve. I them vetes çdo ditë që do ia dalim, për vete dhepër familjet tona”, tha Andi Larti
Ditari i karantinës sipas Andi Lartit
Dita e tretë në karantinë
Super perde këto të sallonit.
Dita e katërt në karantinë
Ora 2 e drekës. Pas tre orësh ka shkuar 2 e 10.
Dita e pestë në karantinë
Ndjekim me kërshëri tri telenovela turke.
Dita e gjashtë në karantinë
Unë: Ane, anexhim...
Mami: Sus ollum!
Dita e shtatë në karantinë
Ndërroj lavatriçen me një kafe gjysme.
Dita e tetë në karantinë
Po mësojmë "Liqenin e mjellmave" familjarisht.
Dita e nëntë në karantinë
"Laji duart o gjysh"- ishin fjalët e fundit para se të më hiqte nga testamenti.
Dita e 10-të në karantinë.
Hobi im i ri është hekurosja.
Dita e 12-të në karantinë
Mësuam të lajmë duart, por jo borxhet.
Dita e 13-të në karantinë
Nuk e mbajmë mend sa ditë kemi në karantinë.
Dita e 14-të në karantinë.
Një burrë u nda nga dashnorja sepse gjatë izolimit ra në dashuri me gruan.
Dita e 15-të në karantinë.
Më ka marrë malli të më thonë: "Mos u shtri te kolltuku se mos na vijnë njerëz!".
Dita e 16-të në karantinë.
Po punojmë nga shtëpia.
Dita e 17-të në karantinë.
Nëse ju vjen ndonjë e-mail me subjekt: "Tak Tak", mos e hapni! Edhe Dëshmitarët e Jehovait kanë filluar të punojnë nga shtëpia.
Dita e 18-të në karantinë.
Rrezja e rrethit të jashtëshkruar trekëndëshit me katete "a" dhe "b" është më e madhe se rrezja e rrethit të brendashkruar të po trekëndëshit me katete "a" dhe "b".
Dita e 19-të në karantinë.
Kemi 18+1 ditë në karantinë.
Dita e 20-të në karantinë.
Do zoti kur të mbarojë karantinimi të rastisë e premte pasdite që të kemi të shtunën dhe të dielën para për të bërë dy ditë pushim.
Dita e 20-të në karantinë.
Haha ju gënjeva, sot është dita e 21-të, po ngaqë është 1 Prilli, jo se ashtu dmth. Kot tani, nga këto "gënjeshtrat" e lodhura.
Dita e 22-të në karantinë.
Data shënon 33 Mars.
Dita e 23-të në karantinë.
Një pyetje për çunat: Nëse do ishit të detyruar, kur të dilnim nga karantina të zgjidhnit vetëm një alternativë ndërmjet "të takoni të dashurën" apo "të shkonit tek berberi", ça modeli do i qethnit flokët?
Dita e 24-t në karantinë.
Me duart jemi në rregull, presim vetëm që pas Covid-19 të shfaqet një virus që duhet të lash dhëmbët.
Dita e 25-të në karantinë.
Sivjet, pushimet e verës do i bëjmë në Ballkonus dhe Korridorus me Fasulo-Colada në duar.
Dita e 26-të në karantinë.
Më parë kolliteshim për të fshehur ndonjë po*dhë, kurse tani pjerdhim për të fshehur kollën.
Dita e 27-të në karantinë.
Në Itali kthehen delfinët. Ne shqipot akoma po presim. (Bëhet fjalë për Fatos Nanon)
Dita e 28-të në karantinë.
Mjekët: Lani duart për 20 sekonda që të vrisni virusin.
Unë: Laj duart për 19 sekonda.
Virusi: Po desh na vrave bre...
Dita e 29-të në karantinë.
Këto kohë kemi nevojë për kësi ekspertësh. (Ka publikuar një nga fleshet informative ku shkruhej: PD, Basha: Rritja e punësimit mënyra më e mirë për të ulur papunësinë
Dita e 30-të në karantinë vjen me mos përputhje karakteri.
Pas një muaji nuk duron dot më veten e jo më...(Publikon foto të një korzie fotografie të një çifti e hedhur në plehra)
Dita e 31-të në karantinë.
Si pas llogaritje, duhet të jemi poshtë një lokali (Publikon duke gërmuar brenda një tuneli)
Dita e 32-të në karantinë.
Shtatori ka 30 ditë. Qershori dhe nëntori gjithashtu. Muajt e tjerë kanë nga 31, përveç Prillit që ka 6800 ditë.