Foto ilustruese

Koronavirusi mbyll dyert e KLGJ, në shtëpi të gjithë punonjësit e Vetingut, aktivitetet që lejohen dhe çfarë është e ndaluar në gjykata e prokurori 

13 Mars 2020, 15:20| Përditesimi: 13 Mars 2020, 15:26

  • Share

Masat drastike mbrojtëse nga koronavirusi (COVID-19) kanë paralizuar pjesërisht edhe organet e drejtësisë në Shqipëri.

Teksa në vend është krijuar një gjendje shetrrethimi, deri më sot, dy organe të drejtësisë kanë pezulluar plotësisht aktivitetin, Kolegji i Posaçëm i Apelimit dhe Këshilli i Lartë Gjyqësor.

Që nga dita e djeshme, KLGJ ka vendosur të ndërpresë orgajizimin dhe zhvillimin të mbledhjeve plenare.

Po ashtu janë pezulluar të gjitha afatet për ngritjen në detyrë dhe për rekrutimin e gjyqtarëve.

Ndërkaq, tre ditë më parë, KLGJ vendosi pezullimin e gjyqeve dhe në të gjitha gjykatat, përfshirë edhe gjykatat e posaçme kundër krimit dhe korrupsionit.

Por, sipas këtij vendimi, përjashtohen nga pezullimi shërbimet gjyqësore, që lidhen me çështje me natyrë të ngutshme, të vlerësuara si të tilla rast pas rasti nga gjyqtari.

Gjithashtu, përjashtohen ngapezullimi, seancat e vlerësimit të masave të sigurisë, seancat në të cilat janë kërkuar ose zbatuar masat e sigurisë me burg, dhe kur të arrestuarit, të pandehurit, ose mbrojtësit e tyre e kërkojnë shprehimisht që të vijohet me shqyrtimin e tyre.

Por, në çdo rast nga ana e gjykatës duhet të shmanget prania e publikut në zhvillimin e seancave gjyqësore.

Nga ana tjetër, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, i cili verifikon dhe pêrzgjedh kandidatët për anëtarë të Gjykatës së Lartë dhe Kushtetuese vijon veprimtarinë.

Kjo do të thotë se masat e marra kundër COVID-19 nuk kanë ndikuar ende në pengimin e procedurave për verifikimin e kandidatëve nga KED për anëtarë në dy gjykatat kryesore në Shqipëri. 

Ndërkaq, Gjykata e Lartë dhe Gjykata Kushtetuese vijonë të mos jenë funksionale, jo për shkak të koronavirusit, por për shkak të veprimit të ligjit të Vetingut dhe vonesave procedurale për zëvëndësimin e anëtarëve të shkarkuar.

Megjithatë, Gjykata Kushtetuese ka njoftuar ndërprerjen pa afat të shërbimit të pritjes së qytetarëve.

Këshilli i Lartë i Prokurorisë vijon veprimtarinë, por kryeprokurori Olsian Çela ka urdhëruar të gjithë vartësit që të marrin masat kundër koronavirusit, duke kufizuar proceset e marrjes në pyetje, takimeve me qytetarët, mbledhjet, analizat dhe takimet në ambientet e prokurorisë.

Por, urdhri i Çelës nuk ka efekte për Prokurorinë e Posaçme, e cila vijon veprimtarinë. Po ashtu, vijon punën Inpektoriati i Lartë i Drejtësisë, i cili ka vetëm drejtuesin dhe disa ndihmësa. 

Sa i takon procesit të Vetingut, Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka pezulluar veprimtarinë e tij prej dy ditësh, duke shpërndarë punonjësit.

Ndërkohë nga sot ka pezulluar veprimtarinë edhe Komisioni i Pavariur i Kualifikimit, organi bazë i Vetingut.

"Në kuadër të përshkallëzimit të masave mbrojtëse nga COVID-19, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit njofton kufizimin e mëtejshëm të veprimtarisë institucionale dhe dërgimin e punonjësve në shtëpi deri në një njoftim të dytë zyrtar." 

KPK do të vazhdojë të kryhejë ato funksione dhe detyra që punonjësit mund ta përmbushin në kushtet e banesës, nëpërmjet komunikimit elektronik dhe telefonik zyrtar.

Gjithashtu, duke filluar nga sot, pezullohen afatet për të gjitha vendimet dhe seancat dëgjimore për subjektet e rivlerësimit të publikuara për t'u zhvilluar.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?