TIRANË- Përtej masave universale të marra kundër koronavirusit, kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka prezantuar planin e veprimit lokal vetëm për Tiranën, nisur edhe nga fakti që kryeqyteti është epiqendra e këtij virusi në Shqipëri, ku janë konfirmuar dy raste e para.
Pikë së pari, një urdhër i ri që vjen si rezultat i mbylljes së shkollave është për nënat që punojnë në Bashkinë e Tiranës, të cilët do të marrin pushim, ose do të paraqiten në punë vetëm një orë, atëherë kur është e domosdoshme prania e tyre për funksionimin e qytetit. Ai u kërkoi që të njëjtën rrugë të ndjekin edhe bizneset private, pasi sot më e rëndësishme se fitimi është shëndeti i gjithsecilit. Pushim do të jenë edhe punonjësit e Bashkisë që janë mbi moshën 60-vjeç, për shkak se janë më të rrezikuar nga ky virus. Në këtë kuadër, edhe qendrat sociale për të moshuarit do të mbyllen, por Veliaj ka bërë me dije se nuk do të ndërpritet shërbimi për ta, duke gjetur një zgjidhje alternative.
Një paralajmërim ka shkuar për pronarët e dyqaneve ushqimore dhe supermarketeve që përfitojnë nga kjo situatë duke rritur çmimet. Kush bën një gjë të tillë do të gjobitet si dhe do të procedohet penalisht. Janë dezinfektuar rrugët, autobusët, kopshtet, çerdhet, shkollat, parqet e lojërave për fëmijë, bëri me dije Veliaj, por përsëriti atë që dihet botërisht tashmë se mënyra më e mirë për të parandaluar infektimin me koronavirus është higjena dhe kujdesi vetjak.
Në bashkëpunim me komunitetet fetare do të ketë masa edhe për shërbesat, për të ndaluar grumbullimet e mëdha të njerëzve. Një mundësi është që këto shërbesa fetare të kryehen online, megjithatë kjo do të vendoset ditën e nesërme ku do të zhvillohet edhe takimi me krerët e komuniteteve fetare.
Pas pezullimit të çerdheve dhe kopshteve deri në 3 prill, në Tiranë janë anulluar edhe aktivitetet publike të parashikuara për Ditën e Verës dhe 100 Vjetorin e shpalljes Kryeqytet. Në kuadër të planit të masave për përballimin e situatës, kryebashkiaku Veliaj tha se ka nisur dezinfektimi në institucionet parashkollore. “Do të vazhdojmë me dezinfektimin; kur qeveria të njoftojë hapjen e tyre, do të jemi në një gatishmëri maksimale për të bërë një dezinfektim tjetër edhe para hapjes së tyre”, tha ai.
Veliaj kërkoi bashkëpunimin e qytetarëve për të reduktuar disa shërbime tek zyrat e Pritjes me Qytetarët, të cilat mund t’i marrin online ose përmes një telefonate pa pagesë në numrin 0800 0888. “Nëse ka një shqetësim, si ato që vijnë tipikisht në Bashkinë e Tiranës, një lokal që bën zhurmë poshtë pallatit, nuk ka arsye të vish tek zyra e pritjes me qytetarët. Mjafton të na njoftosh, do ia referojmë policisë. Ne duam t’i reduktojmë këto shërbime, kryesisht online ose me telefon. Vijmë ne tek njerëzit, nuk ka nevojë që dikush të vijë dhe të ekspozohet me qindra të tjerë në sallën e Pritjes me qytetarët, ndaj dua t’i theksoj faktit që kemi nr tel 0800-0888, hapur për çdo thirrje”, u shpreh Veliaj.
Kryebashkiaku lajmëroi edhe anulimin e të gjitha grumbullimeve masive, kulturore, sportive, tubime, koncerte, aktivitete, dëgjesa publike deri në datën 3 prill. Kjo përfshin gjithë aktivitetet e Ditës së Verës, koncertin e këngëtarit Maluma, i cili do të zhvillohet në muajin Qershor, dhe aktivitetet e 100 vjetorit të Tiranës Kryeqytet.
Dezinfektohen autobusët e transportit publik në Tiranë pas masave të shtuara kundër koronavirusit. Kryebashkiaku Erion Veliaj ka publikuar në rrjetet sociale një video të momentit të dezinfektimit, ndërsa ka disa këshilla për qytetarët. "Nis dezinfektimi i autobusëve! Por kini parasysh, kalon nga njeriu te njeriu, jo aq shumë nga autobusi te njeriu! Ndaj idealisht udhëtimi me biçikletë, apo ecja në këmbë është akoma më e shëndetshme si në rast virozash, ashtu dhe në ditët normale" thotë Veliaj. Bashkia e Tiranës ka marrë një sërë masash për përballimin dhe ndalimin e përhapjes së koronavirusit në kryeqytet. Në mbledhjen e Shtabit të Emergjencave të Bashkisë së Tiranës, ku u diskutua për masat e marra për situatën në Tiranë, Veliaj prezantoi një sërë vendimesh të rëndësishme, duke filluar nga shkollat, transporti publik etj. Kryebashkiaku u bëri thirrje qytetarëve që të tregohen të kujdesshëm me higjienën, ndërsa lajmëroi se krahas çerdheve dhe kopshteve, ka nisur edhe dezinfektimi i autobusëve urbanë. “Kemi filluar të marrim disa masa sa i takon edhe transportit publik. Po dezinfektojmë rrugët dhe autobusët, megjithatë më lejoni të sqaroj diçka: Njeriun nuk e infekton as rruga, as autobusi, por njeriu infekton njeriun. Këshilla që dha sot kryeministri për higjienë personale është ABC-ja e rezistencës ndaj kësaj sfide që na ka ardhur në Tiranë. Ne po bëjmë dezinfektimin e rrugëve, e autobusëve, po një këshillë që vlen për të gjithë është ose të ecim, ose të përdorim biçikletën”, tha ai.
Koronavirusi ka ndryshuar rrjedhën normale të shumë qyteteve në botë, e për pasojë edhe disa zakone tipike të popujve kanë pësuar ndryshime. Kështu do të ndodh edhe në Shqipëri, në ceremoni mortore, ku Veliaj ka kërkuar që të shmanget dhënia e dorës apo në celebrimet në Bashki, ku të pranishëm do të jenë vetëm nusja-dhëndri dhe dëshmitar, jo persona të tjerë të afërm.
“Kam dhënë një porosi që në të 27 njësitë tona, përveç çifteve që detyrimisht duhet të celebrohen me dëshmitarët e tyre, çdo prani e tepërt familjarësh, kushërinj, dasmorësh, të ruhet për një moment tjetër. Nuk është ky momenti. Ka disa aktivitete që tipikisht menaxhohen nga Bashkia e Tiranës siç janë shërbimet funerale. Ka disa tradita shumë të mira shqiptare që ne shkojmë, bëjmë për njëri-tjetrin. Duke qenë se jemi në një situatë emergjente, duhet të shmangim zakonet e dhënies së dorës në tubime të mëdha, kur ngushëllojmë dikë, do të gjejmë mënyra të tjera për të shprehur keqardhjen. Do të duhet që në çdo shërbim funeral, si në Sharrë, edhe në Tufinë, të këshillojmë familjarët që ky nuk është momenti për të bërë ritualin e dhënies së dorës”, bëri me dije Veliaj.
Një nga masat e marra nga Bashkia e Tiranës është reduktimi i punonjësve. Në mbledhjen e me shtabin e emergjencave në Tiranë, Veliaj tha se punonjësit e Bashkisë mbi 60 vjeç do të marrin një periudhë pushimi si dhe nënat.
"Do të bëjmë një kufizim të punonjësve të Bashkisë së Tiranës, sidomos të stafeve që janë mbi 60 vjeç, të cilët fare mirë mund të marrin disa ditë pushim ose ndërprerje të ardhjes në zyrë sepse janë kryesisht moshat e mëdha ato që preken më shumë, ndërkohë që stafet e Bashkisë së Tiranës që janë në mënyrë të vazhdueshme të ekspozuara ndaj palëve të tjera. Do kërkoja t’u japim leje deri në datën 3 prill. Një nga pyetjet që na ka ardhur sot nga qytetarët ka të bëjë me prindërit që kanë fëmijë në kopshte e çerdhe. Porosia ime për Burimet Njerëzore të Bashkisë së Tiranës është që secila drejtori të dakordësojë me stafin e vet; kush duhet të firmosë shkresa në protokoll, mund të vijë një orë në mënyrë që të mos pengojmë rrjedhën e punëve të qytetit, kurse të tjerët mund të bëjnë punë nga shtëpia nëpërmjet kompjuterit. Sigurisht, kam parasysh në mënyrë të posaçme nënat që kanë fëmijë në kopshte e shkolla, çerdhe, pra që janë më të prekura nga kjo situatë. Sot është koha për t’u kujdesur për shëndetin dhe sidomos për fëmijët që do qëndrojnë në shtëpi prej ndërprerjes së procesit mësimor do të doja që Bashkia e Tiranës të ishte e para që vendos këtë etalon, për të liruar sidomos nënat dhe stafin jo esencial që të jenë pranë fëmijëve, duke ardhur 1-2 orë në ditë, për ato që janë le të themi firma të nevojshme apo procedura që Bashkia e Tiranës i ka jetike për avancimin e punës", tha Veliaj.
Veliaj ka bërë me dije se dyqanet ushqimore apo supermarketet që do të rrisin çmimet, duke shfrytëzuar situatën e koronavirusit do të gjobiten ose do të procedohen penalisht.
"Do jeni të pamëshirshëm me gjoba dhe procedim penal për këdo pronar biznesesh, supermakete dyqane ushqimore që abuzojnë me çmimet. Nuk do tolerojmë më një qytet hienash, rrëzohemi bashkë, por bashkë do ngrihemi", tha Veliaj.
Kreu i Bashkisë së Tiranës, Veliaj bëjnë me dije se do të mbyllen qendrat sociale.
"Do ndërpresim shërbimin tradicional në qendrat socialet, për një shërbim alternativ. Më mirë t'ua shërbejmë aty ku jetojnë", tha Veliaj.
Nje pyetje per z.Velia :punonjesve qe po u jepet leje e detyruar do u paguhet kjo leje ,se me c'fare do perballojne jetesen gjate kesaj kohe n.q.s nuk paguhen?
Përgjigju