Mitsotakis dhe Edi Rama

Korridori VIII, Rama dhe grekët!

24 Shtator, 11:24| Përditesimi: 24 Shtator, 11:27

  • Share

Nëse do të zbulosh shkaqet e konflikteve, ndiq paranë. Pushtimi i tokave bëhet për para; luftërat fetare në thelb kanë paranë; konfliktet politike po aty e kanë burimin. E tillë është edhe përplasja greko-shqiptare e cila duket të bëhet për një fshat të quajtur Himarë, por në thelb ka interesat ekonomike dhe konkurrencën mes dy vendeve.

Kur amerikanët mbyllën luftën në Kosovë, presidenti Klinton hodhi idenë e Korridorit të 8-të. Kjo nuk do të ishte thjesht një rrugë, por një arterie që përfshinte autostradë, gazsjellës, linja elektrike. Ky korridor fillonte në Bullgari-Maqedoni-Durrës. Ishte jo vetëm një linjë interurbane, por një investim që mendohej të krijonte punë dhe biznese.

Mirëpo kishte një problem: Linte jashtë Greqinë. Greqia anashkalohej komplet dhe mbeste një aneks i korridoreve dhe bashkë me të edhe Selaniku, të cilit i mbetej Korridori i 10-të. Mirëpo Korridori i 8-të krijon një hub për Italinë, mallrat e së cilës vërshojnë në Ballkan e më tej, duke zhvlerësuar kështu fuqitë ekonomike rajonale si Serbia dhe Greqia.

Ndaj për t’i bërë ballë kësaj, Greqia ndërtoi Odhos Egnatia, një autostradë që ecën paralel me Korridorin e 8-të dhe që përthau buxhetin grek, duke qenë njëkohësisht edhe një nga shkaktaret e krizës së mëvonshme të Greqisë. Ndërkohë bëri përpjekje të bënte daljen e TAP-it në Igumenicë.

Paralelisht vuri në lojë “dashamirësit” e saj në politikën shqiptare, pasi tek ajo maqedonase nuk pinte ujë. Si rezultat, autostrada që duhet të dilte nga Durrësi në Qafe-Thanë, u katandis vetëm në zgjerim të rrugës ekzistuese. Greket ia dolën të thyenin Nanon dhe Berishën, deri në momentin kur Rama, i lirë edhe nga guri Ilir Meta (është ai që vizitoi në burg Fred Belerin) i varur në këmbë në zgjedhjet e 2013-ës, fillon punimet.

Mirëpo grekët rishtas nuk u dorëzuan dhe lëvizën Arben Ahmetajn, një përfitues i bursës greke Kokalis, që në fakt ishte vetëm një kurs për politikanë lindorë që do t’i shërbenin interesave greke; pastaj Himarën dhe gjithë fijet e fshehta që kishin në Tiranë, filluan të lëviznin.

Greqia nuk mund të lejojë që Odhos Egnatia të shndërrohet në autostradë që lidh fshatrat e shpopulluara të veriut të saj dhe as të kthehet Selaniku në një port rajonal. Ndërkohë e ka të qartë që një Serbi që shikon interesin e saj, nuk bën dallim mes portit të Durrësit apo Selanikut, nëse këtë e kanë shqiptarët apo vëllezërit ortodoksë grekë. Rëndësi ka fitimi. Fitim të cilin e siguron më shumë Durrësi.

Ndaj lufta politikë në Tiranë është kaq e ndezur dhe Ramës i duhet të përballojë edhe luftën “antikorrupsion” të Berishës, “pendimin e sinqertë të Ahmetajt”, “luftën për të drejtat e minoritetit të Belerit”. Në fakt shkaku i luftës nuk është asnjë nga këto, por gjendet në pluhurin e ekskavatorëve dhe buldozerëve të Korridorit të 8-të. (Dritare.net)

M.Q./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?