Tensione në Kosovë

Kosova mes neglizhencës dhe sigurisë! 

30 Maj 2023, 14:22| Përditesimi: 30 Maj 2023, 14:29

  • Share

Shqiptarët ose më mirë politikanët, si në Tiranë dhe në Kosovë e kanë marrë lehtë situatën në Kosovë duke e konsideruar si një çështje, e cila ka sigurinë e ndërkombëtarëve dhe sidomos të SHBA-ve! Ndërsa në ato pak raste kur, le të themi, ka pasur një interesim konkret nga elementë të politikës në Tiranë apo në Prishtinë, ajo është perdorur si një çështje për të sulmuar njëri-tjetrin apo për kredenciale personale. 

Në fakt, nëse situata e Kosovës është kjo që është, kjo padyshim vjen edhe si një trashëgimi e politikës të kaluar të dështuar të Prishtinës, e cila me tolerancën e saj deri në nënshtrim ndaj ndërkombëtarëve, nuk pati kurajë të zbatonte as hapat që ishin bërë realitet dhe jo të ndermerrte hapa të tjera me të guximshme. 

Me sovranitetin e Kosovës, qoftë politika në Prishtinë, por edhe ajo në Tiranë kanë luajtur, herë duke e pranuar si një realitet e herë të tjera duke e vënë në dyshim. Këtë elokuencë e kanë bërë në mënyrë absurde dhe me pretekstin e paqes në Rajon e jo vetëm. 

Kurti, po kritikohet shpesh sidomos nga "ata" të Tiranës, sepse për këta të fundit nuk është shumë i dëshiruar e herë pas here thuajse po e akuzojnë sikur ai me aksionet e tij po bëhet molle sherri mes Tiranës e Beogradit duke nxitur një konflikt të padeshiruar mes këtyre dy të fundit. Në fakt, nuk e di sesi mund të shmanget konflikti ose sesi mund të ketë një miqësi të shëndoshë mes Tiranës e Beogradit, kur politika zyrtare e këtij të fundit, jo vetëm nuk ka ndryshuar mbi Kosovën, por është bërë edhe më agresive. Kësaj i thonë , t'i kërcënon të me vrasësh vëllanë e vogël, sepse ky është mistrec, por ne jemi miq! Nuk ka normë konsitudinare që e parashikon një marrëdhënie të tillë, përveç asaj që do të shtiret sot Tirana kundrejt Beogradit. 

Kurti, kritikohet për guximin e tij! Megjithatë, shumica harrojnë se Kurti është Kryeministër i një vendi sovrane, me të gjitha rregullat ndërkombëtare e ndonjëherë duhet të guxonte. Dikush duhet të guxoje herët a vonë në Kosovë, qoftë Kurti apo dikush tjetër pas tij. Dikush duhet të bëj aksione për të ushtruar sovranitetin e tij qoftë edhe në Veriun e Kosovës. 

Arsyetimi ynë i bazuar mbi parimin e tolerancës se një ditë serbët do të reflektojnë ndaj nesh na ka kushtuar shumë në histori dhe po vazhdon të na kushtojë. Serbët tolerancën tonë e kanë marrë si dobësi dhe e kanë perdorur me mjete agresive për të na intimiduar ose për të na bërë të kthehemi të strukur dhe të "trembur" . 

Askush, as në Tiranë e as në Prishtinë, nuk ka guxim të na thote: pse Serbia i ka pranuar dhe i pranon si shtete sovrane të gjitha  ish vendet e Jugosllavisë duke përfshirë edhe Malin e Zi apo Maqedonine e Veriut që kanë një shumicë shumë më të madhe serbe sesa shumica e serbëve në Kosovë, por këtë të fundit vazhdon të mos e njoh e të perdor një gjuhë agresive që nuk ka asnjë dallim me atë që jemi njohur në histori. 

Kosova nga një realitet i një padrejtësie historike e të një populli që luftojë për liri, po kthehet në një mekanizëm për të plotësuar ose rueajtur ekuilibrat gjeopolitike të Rajonit dhe jo vetëm. Ky është një sinjal i qartë se në çfarë trajektore të rrezikshme po hyn e ardhmja e Kosovës dhe e shqiptarëve atje. 

Ngjarjet e fundit nuk janë deshmi siç duan ta transmetojnë e një aksioni të ngutur të Kurtit, që nuk po bën asgjë tjetër  vecse po ushtron sovranitetin e besuar nga qytetarët, por deshmon faktin se situata atje është ndryshe nga ajo që ne lexojmë! Madje, kur kemi thënë se Kosova mund të jetë një precedent i rrezikshëm i ngjashëm me Ukrainën në Ballkan, shumë politikanë në Tiranë e konsideronin një lajthitje, sepse Vucic u kishte premtuar se nuk do të bënte asgjë të ngjashme me atë që bëri Putin. 

Megjithate, sot, sipas asaj që thuhet dje e sot, në Kosovë e sidomos në Veri po levizin persona që janë të ngjashëm dikur me forcat paramilitare serbe që kanë për qellimin dhunën dhe nxitjen e konfliktit e po ashtu flitet se edhe grupi Wagner rus është nisur drejtë Kosovës. Kjo dëshmon qartë se situata në Kosovë nuk është ashtu siç shitet apo duket, por shumë më e rëndë!

K.T./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Miço Mone: 30/05/2023 16:21

    Urime Alban, analizë korrekte dhe për të mësuar ndokush tjetër, që shkruan si të shkarkojë mllefet personale të tijat ose të ndonjë politikani. "Bullizmi" i babait është kthyer gati në normalitet, por bullizmi i nënës nuk pranohet "Shqipëria mos ta lërë vetëm Kosovën"

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?