Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për ta ndaluar TikTokun në institucionet publike. Sipas ekzekutivit ndalimi i përdorimit të këtij aplikacioni bëhet me qëllim të qëllim të eliminimit të rreziqeve kibernetike.
Zëvendësministri i Brendshëm, Bardhyl Dobra, në mbledhjen e sotme të qeverisë tha se të gjitha institucionet obligohen që të vendosin kufizimet e nevojshme teknike për ndalimin e TikTokut.
"Ndalimi i përdorimit të TikTokut në institucione publike për eliminimin e rreziqeve kibernetike. Me qëllim të rritjes së sigurisë kibernetike, Ministria e Punëve të Brendshme i rekomandon qeverisë që të ndalojë instalimin dhe përdorimin e funksionimin e aplikacionit të rrjetit social Tik Tok dhe të gjitha shërbimeve të tij në të gjitha rrjetet shtetërore të komunikimit elektronik dhe pajisjet zyrtare të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit që janë në pronësi dhe menaxhim të institucioneve publike”, tha
Qeveria miratoi edhe Strategjinë e punësimit në Kosovë 2024-2028.
Ministri Murati tha se synimi është rritja e punësimit në fokus të veçantë te gratë, të rinjtë dhe grupet të tjera të cenueshme.
“Strategjia e punësimit për periudhën 2024-2028 është multisektoriale dhe ka për qëllim kryesor rritjen e punësimit dhe sigurimin e një tregu të punës të drejtë dhe gjithëpërfshirës. Synimet strategjike dhe veprimet e përcaktuara në planin e veprimit paraqesin përpjekjet tona për të rritur mundësitë e punësimit në fokus të veçantë në gratë, të rinjtë dhe grupet e tjera të cenueshme”, tha ai.
Krahas kësaj, ekzekutivi miratoi edhe Strategjinë shtetërore kundër drogave 2024-2028.
Ndërkaq drita e gjelbër iu dha edhe Udhëzimit Administrativ për tarifat për produktet, shërbimet kadastrale gjeodezike dhe regjistrimit të pronave./KosovaPress/