Parlamenti i Kosovës

Kosova shpall gjendjen e emergjencës për shkak të krizës energjetike! Kurti: Falënderojmë Ramën dhe Shqipërinë për mbështetjen

29 Dhjetor 2021, 13:48| Përditesimi: 29 Dhjetor 2021, 16:43

  • Share

Kosova ka shpallur sot zyrtarisht gjendjen e emergjencës për shkak të krizës energjetike. Vendimi i Qeverisë për masa emergjente në furnizimin me energji u votua në Kuvendin e Kosovës sot me 57 vota pro, asnjë kundër dhe 17 abstenim.

Masat emergjente në furnizim me energji përfshijnë: vendosjen e kufizimeve në furnizim me energji për konsumatorët dhe vendosjen e obligimeve të veçanta për ndërmarrjet e energjisë.

Kujtojmë se Shqipëria ka garantuar ndihmë për Kosovën në këto ditë të vështira, sidomos për ditët e festave. Kryeministri Edi Rama bëri me dije dje se Shqipëria do të furnizojë me energji elektrike Kosovën me 31 dhjetor dhe 1 janar të 2022 për t'i dhënë mundësi qytetarëve që të festojnë këto ditë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka falënderuar sot Ramën për gatishmërinë.

"Ne e falënderojmë kryeministrin Edi Rama për mbështetjen. Ministrja jonë e Ekonomisë e ka bërë një kërkesë të tillë ndaj Shqipërisë. Kemi termocentrale, ata kanë hidrocentrale. Bëhet fjalë për 2 ditë që janë të rëndësishme sepse janë të ndërrimit të viteve dhe pastaj edhe ne do kemi mundësi t’i ndihmojmë në raste nevoje verën e vitit të ardhshëm", ka thënë Kurti.

Që nga 22 dhjetori, konsumatorët në Kosovë po përballen me reduktime të energjisë elektrike. Situata energjetike është përkeqësuar pasi konsumi i energjisë nuk po mund të mbulohet nga kapacitetet prodhuese të Korporatës Energjetike të Kosovës.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon rikthimin e koalicioneve të vjetra, a jeni dakord?