Politikë

Zgjedhjet e 25 prillit/ KQZ çon për ndjekje penale 67 numërues që dyshohet se shkelën ligjin! Lista e kandidatëve për deputetë që iu shtuan dhe iu hoqën vota

3 Dhjetor 2021, 11:21| Përditesimi: 3 Dhjetor 2021, 14:48

  • Share

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka çuar për ndjekje penale 67 numërues të zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit, emrat e të cilëve do të referohen në organin e prokurorisë. Numëruesit u kanë hequr apo shtuar vota preferenciale kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare. Numrin më të madh të numëruesve që janë kapur me shkelje, e ka qarku i Tiranës, ku rezultojnë se 25 numërues kanë kryer shkelje, përkatësisht në 7 qendra numërimi. Kryekominioneri Celibashi tha se në dorën e organeve hetimore do të lihen edhe rastet ku dyshohet për votim të dyfishtë.

‘Të gjitha shkeljet që i kemi vlerësuar si shkelje penale, kanë të bëjnë me diferenca në fletët e votimit, apo në rezultatin e votimit për kandidatin, jo për partinë. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankimim brenda 30 ditëve’- tha kreu i KQZ-së Celibashi.

Siç shihet në listën e publikuar nga KQZ, për diferencën e votave, ka rezultuar se deputetit Zef Hila i janë shtuar 101 vota. Ndërsa Rigerta Lokut, i janë hequr 24 vota. Shkeljet lidhur me tjetërsimin e votave të kandidatëve dhe votim të dyfishtë u zbuluan gjatë procesit të rinumërimit të 10% të kutive të votimit, ku deputetët e PD Zef Hila dhe Lefter Gështenja rezultuan se morën numrin më të lartë të votave të padrejta.

Rinumërimi i votave për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, u zbulua se ka pasur vjedhje nga partitë e mëdha, duke ua hequr partive të tjera. Nga hapja e kutive rezultoi se subjekti që ka vjedhur më shumë vota ishte pikërisht Partia Demokratike, e cila megjithatë i humbi zgjedhjet, pasi numëruesit i kishin shtuar 60 vota Partisë Demokratike, e cila si për ironi ka ngritur një komision hetimor për të hetuar abuzimet e pretenduara në zgjedhjet e 25 prillit 2021. 

Pas PD-së vinte Partia Socialiste, të cilës numëruesit i kishin shtuar 43 vota në mënyrë të padrejtë, duke ua hequr partive të tjera. E treta renditej Partia Socialdemokrate, e cila nga hapja e kutive rezulton se ka marrë 9 vota më shumë. Lëvizja Socialiste për Integrim, partia më problematike sa i takon blerjes dhe tjetërsimit të votës, renditej e katërta, ku u kishte marrë 7 vota partive të tjera. Partia Lëvizja Demokratike Shqiptare ka marrë 2 vota tepër, ndërsa Aleanca Demokracia e re një votë. Nga ana tjetër, i janë hequr 4 vota Partisë Bindja Demokratike, dy vota Nismës Thurje, dy vota koalicionit ABEOK dhe një votë Lëvizje për Ndryshim. Ky rezultat është prodhuar nga rinumërimi i votave në 235 qendra votimi. Numri total i qendrave të votimit është 5,199. Rinumërimi i pjesshëm tregon edhe një herë se partitë e mëdha vijojnë të marrin votat e partive të vogla. 

KQZ sugjeron implementimin e sistemit të identifikimit elektronik në një shkallë më të gjerë në proceset e ardhshme të votimit, pasi rastet e dyshuara për kryqëzim të dhënave për sa i përket identitetit të të dhënave të votuesve, janë minimale.

‘Pas procesit te konsolidimit te te dhënave, ABIS filloi procesimin e te dhënave duke kryqëzuar çdo identitet kundrejt 1,602,741 votuesve te identifikuar gjate ditës se zgjedhjeve te date 25 Prill 2021. Pas procesimit ABIS prodhoi rastet e cilësuara nga sistemi si te dyshimta nga te cilat 1006 u konfirmuan nga stafi i trajnuar i KQZ prej kompanisë kontraktuese si te qenësishme. Në përfundim të procesit të këqyrjes duke marrë në konsideratë gjetjet minimale te rasteve te dyshuara nga procesi i kryqëzimit, sugjerojmë implementimin e sistemit te Identifikimit Elektronik në një shkallë më të gjerë në proceset e ardhshme të votimit.’- thuhet në raportin e KQZ.


 

Miratim raport nga pajisja PEI

Miratim Raport Verifikimi paszgjedhor

M.Q./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Noli: 03/12/2021 14:26

    Duket se jane pasaktësi gjate numerimit dhe jo tjetërsim vote pasi nuk ka asnje ndryshim në renditje të kandidatëve.

    Përgjigju
  • UKU MOMLIT: 03/12/2021 13:46

    Komunistet e Pd@Ps e dine mire jo vetem zanatin e vjedhjes votes,por edhe tere poshtersite morale dhe jane kthyer ne kriminele,te korruptuar dhe antihumane. Ky popull eshte i denuar per te vuajtur nga bijt e vet. E keqja e shqiptarit eshte vete shqiptari.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?