Ekonomi

Kreditë me probleme zbresin në nivelin më të ulët historik

10 Maj 2021, 16:03| Përditesimi: 10 Maj 2021, 16:08

  • Share

TIRANË- Edhe pse të gjitha parashikimet dhe pritshmëritë që në nisje të pandemisë ishin për rritje të nivelit të kredive me probleme, të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se huatë e këqija kanë zbritur në nivelin më të ulët historik që prej vitit 2014. 

Kreditë me probleme në muajin mars kanë arritur në nivelin e 7.9% nga 8.2% që ishin në mars të vitit të kaluar, dhe nga 11.3% që ishin në vitin 2019 ku nuk flitej për pandemi. Aktualisht huaja e keqe vlerësohet të jetë mbi 48.2 miliardë lekë, ndërsa totali i kredisë deri në fund të marsit arriti në 610,6 miliardë lekë.

Sipas raportit për shëndetin financiar thuhet se kreditë me probleme edhe pse në vitin e kaluar pësuan një rritje të lehtë me rreth 1.5 miliardë lekë duke arritur në 8.3% në muajin shtator 2020, në vitin 2021 kanë ndjekur një trajektore rënëse edhe pse të lehtë. 

Ndikim në këtë rënie kanë dhënë edhe masat e ndërmarra nga Banka e Shqipërisë, e cila ju dha mundësinë bankave të nivelit të dytë që të riskedulonin kreditë për ata klientë që kishin vështirësi financiare. Vlen të theksohet se deri në muajin mars ishin në fuqi masat lehtësuese, por pas përfundimit të tyre pritet një luhatje në rritjen e kredive me probleme por e përballueshme për sektorin bankar. 

Nga ana tjetër bankat pavarësisht se kanë vijuar të kreditojnë ekonominë, kanë shtrënguar edhe kushtet për dhënien e huasë, për shkak të pasigurisë që vjen si pasojë e pandemisë. Shtrëngimi i masave sipas ekspertëve është edhe një mënyrë për tu mbrojtur nga rritja e kredisë me probleme. 

B.K.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në qarqe?