Kreshnik Spahiu

Kreshnik Spahiu: Pasuria që la Lleshi 90 vjeçar me testament për nipat dhe mbesat

7 Korrik, 10:48| Përditesimi: 7 Korrik, 10:52

  • Share

Ergysi është një infermier nga Lezha i cili punon në një nga spitalet e Berlinit.  Së bashku me të fejuarën punojnë kryesisht në turnin e natës për të përballuar qeranë 1500 euro për një apartament të pa mobiluar rreth  
50 metra/2. 

Dje Ergysi ishte kthyer nga Shqipëria, ku përcolli gjyshin e tij për në banesën e fundit i cili ndërroi jetë në moshën 90 vjeçare. Sapo mbërriti, më telefonoi dhe më kërkoi me ngulm të më takonte sepse kishte nevojë për një konsultë juridike.

Ai ishte shumë i shqetësuar. Hidhërimi i vdekjes së gjyshit ishte përzier me shumë probleme që kishin lindur pas vdekjes së tij. Lleshi ishte një nga më të pasurit e zonës në pasuri të paluejtshme me toka, troje dhe kullota për shkak të pronave të trashëguara.

Ky qe fati i mirë por dhe fati i keq i fëmijëve dhe nipave të Lleshit.

Ergysi ishte shumë i tronditur dhe tregonte me shumë trishtim si morti ishte kthyer në debat për pronat sepse gjyshi nuk kishte lënë testament.

Pas funeralit xhajallarët e Ergysit ishin rrahur dhe plagosur me thika me njëri-tjetrin dhe i kishte arrestuar policia.

Pasi e dëgjova historinë e pyeta: - “Ergys, a ju la ndonjë dokument apo ndonjë amanet të pa shkruar gjyshi përpara se të ndërronte jetë?”

Po - tha Ergyrsi, Na mblodhi para se të jepte shpirt dhe na tha: “Unë po largohem nga kjo botë por me një peng të madh. Amanet në votimet e ardhshme mos më turproni. Votoni partinë tonë se ne i kemi dhanë besën tash 30 vite mos me e tradhëtu”

Mbeta pa fjalë dhe s’po dija të qeshja apo të ulurisja me hallin e Ergysit, që punon turni natës për të mbijetuar dhe gjyshi milioner, para se të vdiste nuk la testament për ndarjen e pasurisë por amanet për votën e partisë.

Nuk di pse mu pështjellua kjo histori me zgjedhjet në Angli, Francë apo Gjermani, ku populli mbi 70% votuan parti të tjera nga ato që kishin votuar më parë.

Besnikëria ndaj partive në Shqipëri është treguesi më i fortë i nivelit të ulët demokratik, civil, kulturor, dhe shoqëror.

Në Shqipëri ende nuk kuptojnë që raporti popull-parti është kontratë 4 vjeçare. Nëse partia mban premtimet, populli është besnik. Nëse partia shkel kontratën, populli e ndëshkon dhe provon një parti tjetër.
Politizimi i shoqërisë dhe afeksioni për partitë e vjetra është pengesa e ndryshimit Shqipërisë.

Fatkeqësisht, 50% e Shqipërisë janë si gjysh Lleshi që 90 vite nuk kishin dashuri për familjen, nipat apo mbesat më shumë se adhurimi për partinë.

Gjeneratat e reja po vuajnë se prindrit e tyre nuk i flakin në plehra xhaketat e vjetra, por i veshin ende të arrnuara, dhe në disa raste duke i kthyer mbrapsht për tu shtirur sikur stofit nuk i ka dalë boja. 

Në fakt Lleshi 90 vite nuk e kuptoi dot, që europian s’të bën as ngjyra, as gjeografia, as historia, as pasuria, por mendësia.

M.Q./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?