Kosova & Rajoni

Kreu i LDK-së, Abdixhiku kritikon ashpër Kurtin: Marrja me zgjedhjet e protestat në Shqipëri tregon papjekuri! Kosova në krizë ekonomike, ti je opozitë në fushatën e një shteti tjetër

12 Prill 2021, 11:07| Përditesimi: 12 Prill 2021, 15:42

  • Share

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka kritikuar ashpër kryeministrin Albin Kurti, për përfshirjen e tij në protesta dhe fushatën elektorale për zgjedhjet parlamentare më 25 prill në Shqipëri.

Ai përmes një postimi në rrjetin e tij social Facebook, i ka kujtuar Kurtit se ndërkohë që ai merret me zgjedhje e protesta, në Kosovë humbin jetën nga 80 persona në javë dhe të moshuarit presin vaksinën, duke shtuar se kjo sjellje nga ana e tij tregon papjekuri dhe papërgjegjshmëri.

Sipas, Abdixhikut, kjo qeveri ka braktisur njerëzit e vet dhe në kulmin e krizës shëndetësore e ekonomike, Kurti ka zgjedhur të jetë opozitë protestash e fushatash në një tjetër shtet.

“Duket se 14 shkurti është kuptuar si fund e jo si fillim. Por me këtë fillim të dobët, të dobët shumë, edhe muajt e mjaltit marrin fund. Keni përgjegjësi, mbani përgjegjësi”,  shkruan në fund të postimit, kreu i LDK-së.

 

Ora 13:21
PDK: Kurti në vend që të luftojë pandeminë, merr pjesë në fushatën elektorale në Shqipëri

Kreu i grupit parlamentar i PDK-së Abelard Tahiri, ka theksuar se kryeministri i Kosovës në vend që të merret me pandeminë si pasojë e së cilës kanë humbur jetën vetëm në 20 ditët e fundit, 212 qytetarë ka zgjedhur që së bashku me stafin e tij të thyejë masat kufizuese dhe të marrë pjesë në fushatën elektorale në Shqipëri.

“E vetmja gjë që Kryeministri Kurti ka ndërmarrë deri më tash – ka qenë një urdhër për izolim për qytetarët e Kosovës, përderisa ministrat dhe deputetët e partisë së tij kanë çarë rrethimin dhe kanë dalë në Shqipëri për të bërë fushatë zgjedhore. Kryeministri Kurti është vaksinuar vetë dhe ai ndihet komod me faktin se i ka pranuar 25 mijë vaksina donacion – një ndihmë kjo e siguruar nga Qeveria e kaluar, por nuk ka bërë asnjë hap për të siguruar edhe qindra mijëra vaksina të tjera që u duhen më shumë se kurrë qytetarëve të Kosovës”, ka thënë Tahiri.

Sipas tij, Qeveria Kurti ende nuk ka dhënë asnjë shenjë se është në shërbim të qytetarëve.  

J.GJ.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?