Kreu i ri i Gardës së Republikës zgjidhet me konkurrim, PS bën gati ndryshimet e reja në ligj, ish zyrtarët mbrohen vetëm nëse u rrezikohet jeta

11 Shkurt, 14:13| Përditesimi: 11 Shkurt, 16:00

  • Share

Drejtori i Përgjithshëm i Gardës së Republikës pritet të emërohet përmes një procesi konkurrimi, i cili do të kalojë në faza në bazë të meritokracisë dhe për këtë tashmë ndryshimet ligjore janë në formën e një drafti që është depozituar në Kuvend dhe pritet të miratohen në vijim. Gara do të jetë e hapur për të gjithë ata që shfaqin interes për postin dhe për herë të parë kriteri që duhet të jenë punonjës të Gardës dhe me gradat “Drejtues i parë” ose “Drejtues i lartë” hiqet. Megjithatë, duhet të kenë përvojë pune jo më pak se 10 vjet në fushën e rendit ose sigurisë.

Pas përfundimit të procesit, njësoj siç u bë edhe me rastin e emërimit të drejtuesit të ri të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, ministri i Brendshëm i kalon emrin Kryeministrit për emërim. Burime të Report Tv bëjnë me dije se e njëjta praktikë pritet të bëhet edhe me emërimin e drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Aktualisht, ligji i policisë po përpunohet për t’u ndryshuar në nene të ndryshme dhe në mesin e tyre është edhe emërimi përmes një gare konkurruese të atyre që duan një post të tillë.

Ndryshimet e reja ligjore në ligjin për Gardën, të cilat mbajnë firmën e kreut të Komisionit të Sigurisë Kombëtare, Nasip Naço përfshijnë edhe disa nene të tjera. Nëse deri më tani, personalitetet e tjera, përveç kreut të Kuvendit, Presidentit dhe Kryeministrit, ruheshin me afate të përcaktuara nga Këshilli i Ministrave, me ndryshimet e reja një gjë e tillë do të bëhet vetëm nëse u rrezikohet jeta dhe shëndeti për shkak të detyrës që kanë mbajtur. E njëjta gjë vlen edhe për banesat e tyre.

Pak ditë më parë, ish-kreu i Gardës së Republikës, Gramos Sako, i paraqiti dorëheqjen ministrit të Brendshëm, pas 11 vjetësh në këtë detyrë. Arsyet e largimit mbeten të paqarta, ndërsa burime bëjnë me dije se pritet emërimi i tij në një tjetër post të rëndësishëm.

(Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë)

S.G//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?