Kreu i ri i SPAK në dhjetor, arrestimi i vrasësve me pagesë dhe financuesit të lirë

25 Maj 2022, 19:34| Përditesimi: 25 Maj 2022, 19:39

  • Share

Arrestimi i Nuredin Dumanit dhe një grupi vrasësish me pagesë e njerëz të krimit ka qënë tërë këto ditë temë e ditës, burim informacioni për mediat sociale dhe më tej, por dhe një “mëny” e gatshmë për emisionet televizive.

Nga 32 të hetuar nga ana e SPAK, janë arrestuar 18 të tillë, gjysma prej të cilëve u është dhënë masa e arrestit në qeli, pasi janë aty për vepra të tjera penale. Ndërsa jashtë burgut, të lirë janë ata që po cilësohen si financuesit e këtyre vrasjeve me pagesë. S’po i përmend emra, pasi tërë këto ditë mediat ua kanë “fryrë” kokën lexuesve e shikuesve me detaje, duke i analizuar një për një.

Në mënyrë të përmbledhur e pa u zgjatur mund të themi është se janë arrestuar “punëtorët” e vrasjeve ndërkohë që pagatorët, disa prej të cilëve u janë bërë dhe emrat publikë, bashkë me të tjerë që vijojnë të “luajnë” lojën e krimit si anonimatë, janë jashtë qelisë.

U desh plagosja në Elbasan e Nuredin Dumanit, i cili sipas versionit të dhënë nga vetë ai dhe të shpërndarë “sindikalisht” nga mediat kishte shkuar për të vrarë një biznesmen, i cili për hir të së vërtetës e mohoi një fakt të tillë duke thënë se ishte tjetërkush ‘shënjestra’, që situata kriminale në Elbasan, por dhe qarqet përreth të niste rrugën e zbardhjes.

Për hir të së vërtetës duhet të pranojmë se ishte fat që Dumanit iu krijua bindja se bashkëpunëtori i tij më i ngushtë Henrik Hoxha e kishte tradhëtuar duke e nxjerrë në pritë, dhe fill pas plagosjes, vrasësi me pagesë telefonoi policinë, ku në këmbim të vënies nën mbrojtje të familjes së tij, por dhe mundësisë së përfitimit të uljes së dënimit do të “zbërthehej” para prokurorëve të SPAK.

Me një gjuhë të zgjedhur që do t’ia kishin zili të gjithë autorët e librave të këtij zhanri, gazetarët po e po, “telenovela” e rrëfimit të të penduarve në konkurrencë me njëri tjetrin Dumani e Hoxha, të kapte faqet e mediave dhe të zinte edicionin qëndror të lajmeve apo të shërbente si temë e fortë për emisionet televizive, të shumta në televizionet tona.

Nuk pretendon askush që gjithçka që këta “punëtorë” vrasës thonë në pendesën e tyre, teksa nxjerrin emra financuesisht të vrasjeve me pagesë, që s’ngrihen asnjëherë në nivelin e pagatorëve me “papion” e “kollaro”, ata i kanë lekët sot në Shqipëri, të jetë e vërtetë. Por dhe sikur 2 të vërteta të qëndrojnë, janë më se të vlefshme për përballimin dhe luftën ndaj krimit të organizuar në Shqipëri. Ndonëse po teprohet me përshkrimin e këtyre vrasëseve a thua bëhet fjalë për njerëz për të cilët shqiptarët janë të interesuar se cilën rrugë merrnin për të pirë kafe, sa lekë kishin në bankë e sa para xhepi, ku furnizonin makinën me karburant, sa dashnore kishin, sa peshonin e cila ishte gjatësia e tyre, apo dhe cilën kolonë muzikore vinin në makinat e tyre. Madje mediat evidentojnë dhe faktin se ku gabuan ata në vrasjen e “shënjestrës” së tyre, nuk e besojmë për të ndikuar sadopak që të korrigjojnë “marzhin” e gabimit në të ardhmen.

Duhet të ndajmë mendjen për një element shumë të rëndësishëm: Dumani dhe të tjerët që po rrëfehen janë vrasës me pagesë. Në botën demokratike, e cila nuk është e përjashtuar nga ky kontigjent njerëzish, financuesi që paguante një “punëtor” vrasës nuk komunikonte direkt me të, i kontraktuari as që e di se kush ishte njeriu që jepte paratë, pse duhej vrarë personi “shënjestër”. Thjeshtë merrte porosinë dhe kryente vrasjen. Pa dështuar kuptohet.

Këta emrat që janë në qeli e që po rrëfehen me një gjuhë të përzgjedhur stilistike, nuk e dimë se kush e ka përpiluar dosjen e shpërndarë si “rastësisht” për mediat por ia vlen të përgëzohet se shkruan bukur, janë niveli i fundit i krimit. Jo krim i organizuar, ata janë “punëtorët” e krimit.

Nëse e impostojmë këtë ngjarje para vitit 1945 kur në vend të ligjit gjërat zgjidheshin me Kanun, në veri ai i Lekë Dukagjinit dhe Skënderbeut, në Jug ai i Labërisë, vrasësi me pagesë (simahori) thirrej nga ata që s’kishin zemër të bënin vrasjen, ose nga ata që s’donin të rrezikonin pasurinë e njerëzit, dhe paguanin për të bërë një vrasje të fshehtë që në kundërshtim me këtë ligj mesjetar nuk tregohej për llogari të kujt bëhej kjo vrasje.

Vrasësi me pagesë asokohe vetëm nëse kapej në vendngjarje mund të vritej apo në rastin më të mirë, mund të çarmatosej, shtrëngohej që të tregonte kush e kishte paguar. Pastaj s’kishin punë me të, merreshin me financuesin. Nëse kalonte kufijtë e katundit, sërish s’merrej njeri me të. Ai ishte thjeshtë i punësuar, jetonte me atë zanat për cilin paguhej. S’kishte gjak në kurriz asnjëherë.

Në rastin konkret, ligji zbatohet njëlloj, si për vrasësin, ashtu dhe për ata që i kanë paguar. Nuk dua të hedh dyshim të thelluar nëse Dumani dhe të tjerët e arrestuar i njohin financuesit, pasi për hir të së vërtetës emrat që kanë përmendur ata, janë ‘veteranë’ vrasjesh dhe s’besojmë se hedhin lekë tek këta vrasës me pagesë, që të vrasin për hesap të tyre. E bëjnë vetë dhe për kënaqësi ose për hall. Aq më tepër që sikurse e tregon dhe rrëfimi i të penduarve, vrasjet kishin dështuar në 50 për qind të rasteve. S’rrezikon askush kaq rëndë. Më mirë paguajnë një ekspert vrasjesh, ndonëse ata janë shumë të shtrenjtë. Por e mbyllin “llogarinë” menjëherë dhe pastër, pa dekonspirime.

Teksa përgëzojmë punën e SPAK dhe të policisë për aksionin ndaj këtyre njerëzve të krimit të organizuar, por dhe të mediave që arritën t’i ngrenë në shkallën e VIP-it, duke ua bërë të njohur tiparet fizike, sjelljen e tyre shoqërore, gjendjen familjare, madje dhe numrin e këmbës, ajo që do të donim të dilte në sipërfaqe është se kush janë financuesit e vërtetë të vrasjeve në Shqipëri.

Nëse ata do jenë jashtë qelisë, nuk e kanë të vështirë të gjejnë vrasës të tillë nëpër Shqipëri, me probabilitet të kryerjes së punës 50 me 50. Pra vrasës me marzh të lartë gabimi në shënjestër dhe marzh të lartë dekonspirimi dhe rrezikimi të pagatorëve për llogari të të cilëve kanë marrë përsipër kryerjen e vrasjeve.

SPAK duhet të gjejë gjobvënësit, financuesit e kërcënimeve ndaj bizneseve, zyrtarëve të lartë të shtetit, policisë, njerëzve të drejtësisë apo dhe vrasjeve të njëpasnjëshme. Ky do të ishte sukses. Deri më tani me “punëtorët” vrasës janë akoma tek “kërrabat”, pavarësisht amplifikimit të këtij aksioni të SPAK të iniciiuar për shkak të “destabilizimit” të Dumanit, të cilit iu fiksua se e kishin tradhëtuar dhe vendosi jo vetëm që të dorëzohej por dhe të rrëfehej. S’besojmë se i di të gjitha, aq më tepër që sipas dëshmisë së tij, grupet rivale e kishin përdorur herë njëri dhe herë tjetri për të eleminuar njëri tjetrin. Duket si një histori e sajuar, por jemi në Shqipëri e gjithçka mund të ndodhë. Madje paguhen vrasës me pagesë dhe sikur dikush të të ketë parë shtrembër nipin.

Uroj që të jem i gabuar, por ky aksion i ngritur mbi dy vrasës me pagesë të penduar, që deri më tani kanë thënë emra njerëzisht të deklaruar dhe në kërkim të krimit si financues të tyre, s’kanë thënë asgjë të re, mendoj se ka ardhur dhe për dy arsye të tjera që kanë pak lidhje me atë për çka flitet tani. Apo që po amplifikohet kaq shumë, duke quajtur sukses kapjen e 8 njerëzve të krimit.

Na duket sikur SPAK, i “mbuluar” nga dosjet e mëdha të politikës, që nga “Gërdeci”, “Rruga e Kombit”, “21 janari”, përgjimi i Dritan Priftit që paraqiste një zyrtar të lartë me bllok në dorë duke kërkuar ryshfet, falja e “Detit”, afera CEZ-DIA e deri tek incerneratorët, dhe i gjendur nën presionin qytetar dhe të politikës për t’i hetuar këto çështje, bashkë me shpalljen “non grata” të ish kryeministrit, e gjeti si “valvul shkarkimi” arrestimin e Nuredin Dumanit dhe disa njerëzve të tjerë të krimit. Duke krijuar përshtypjen e po punohet shumë, pavarësisht se në këtë rast, rastësia u tregua “mbret i botës”.

Elementi i dytë që duam të nënvizojmë është se në dhjetor do të kemi zgjedhje të reja për kreun e SPAK. Sipas nenit 148/dh të Kushtetutës (Shtuar me ligjin nr.76/2016, datë 22.7.2016), kreu i SPAK zgjidhet nga KLP për një afat 3 vjeçar pa të drejtë rizgjedhjeje. Kreu aktual Arben Kraja është zgjedhur në krye të Prokurorisë së Posaçme nga KLP në dhjetor të vitit 2019, duke fituar për dy vota më shumë se sa rivali i tij Altin Dumani. Pra në dhjetor KLP zgjedh kryetarin e ri të SPAK, dhe me sa duket fushata ka filluar që tani.

Fijet gjithnjë i luan politika, ku nuk përjashtohen as “shokët e lagjes” që përmbysën rezultatin herën e parë, megjithëse nuk mund të themi asgjë negative ndaj Krajës, përpos faktit se dosjeve të rënda u kalon “anash”.

Na duket e qëllimtë, ritheksoj do të isha i lumtur që të gabohesha pasi besoj fort tek drejtësia e re sepse besoj tek SHBA dhe do ndjehesha keq nëse investimi i fortë i tyre do të shkonte dëm, përmendja e faktit në dëshminë e të penduarit Hoxha që Nuredin Dumani kishte një njeri të vetin në SPAK, me të njejtin mbiemër, nxit akoma më shumë misterin. “Pas çdo vrasje Nuredin Dumani na ka thënë se s’më gjen asgjë, pasi ka lidhje me ministra, deputetë, prokurorë, madje më ka thënë që ka lidhje me prokurorin Altin Dumani. E ka njeriun e vet dhe ndihej i mbrojtur”, deklaroi në dëshminë e tij i arrestuari tjetër në aksionin e SPAK “Plumbi i artë”, Besjan Xhixha.

Eshtë sikur të akuzosh Sali Berishën se ka të afërm të gjithë Berishët në Shqipëri dhe në Kosovë, apo Edi Ramën mbiemrin e të cilit e mbajnë shumë, nga Shqipëria tek kryebashkiaku i Prishtinës apo te perëndia “Ramä”, apo Ilir Metën e zyrtarë të tjerë të politikës shqiptare, se kanë lidhje me njëri tjetrin, për shkak se kanë të njejtin mbiemër.

Duket se përgatitja në distancë për zgjedhjen e kreut të ri të SPAK ka filluar, madje me goditje të rënda që nga distanca. Ndoshta politika kërkon një njeri të bindur në krye të këtij institucioni, jo se akuzojmë kreun aktual të SPAK për lidhje me politikën. Pavarësisht se ka zëra për një afinitet me “shokët e lagjes” në Gjirin e Lalzit ku ka vilën. Por nuk përjashtohet mundësia që politika të dojë një kryetar të SPAK të zgjedhur nga njerëz në hall. Pra i ‘dalë’ nga vilat e Gjirit të Lalzit.

Shpresojmë që të jem gabuar në këto dy kontastime, megjithëse do t’ia lëmë kohës, nëse do të ketë “përngjasime” të tjera mbiemrash të njerëzve të krimit me ndonjë anëtar të SPAK ose jo. Apo dhe se kush do të zgjidhet tashmë pa përmbysje në krye të SPAK, të ndonjë prokurori që ka dhe mbështetjen e OMN dhe të Jobs dhe që nuk matet shumë e është i ftohtë akull karshi dosjeve të rënda që kanë zënë pluhur, apo të ndonjë prokurori tjetër.

Shqiptarët presin që në qeli të përfundojnë ata që financojnë vrasjet me pagesë, dhe jo vrasje të nivelit të dytë apo të tretë, pra sherre bandash. Por “pagatorët” me “kollaro” dhe “papion” që lëvizin fijet e krimit dhe kanë fuqi të mbrojnë krijesat e tyre makabre, duke mbrojtur dhe veten. Të presim dhe të shohim, situata është në hapat e para.

M.Q./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Haka Tekizoti: 26/05/2022 17:35

    SPAK-u tundet kot dhe kot e mburrin edhe pushtetarët që mezi pritën "një sukses" për ta trumbetuar si fillim të funksionimit të reformës në drejtësi. E ç'merita ka kasapi kur i shkon vetë në thertore cjapi? Ka aq shumē kryekriminelë si e sa Saliu që po bëjnë qejf me këtë drejtësi, sa pikërisht për këtë fakt lind përshtypja që edhe drejtësia "e re" është ortake e bashkëpunëtore e tyre, të paktën një pjesë e rëndësishme e saj.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?