Kristjan Asllani merr garanci për më shumë minuta, plani i Interit për mesfushorin shqiptar

28 Qershor 2023, 10:02| Përditesimi: 28 Qershor 2023, 17:13

  • Share

Kristjan Asllani ka marrë garanci për të pasur më shumë minuta te Interi. Sipas La Gazzetta dello Sport, zikaltërit kanë rezervuar të ardhmen e shqiptarit në klub, duke mos dashur të privohen nga cilësitë e tij me një huazim. Në edicionin e sotëm të prestigjozes italiane, thuhet se Interi do shesë Brozovic dhe rolin e tij do e marrë Calhanoglu.

Kështu Asllani do jetë zëvendësi i parë, duke marrë minuta thuajse në çdo ndeshje, kjo edhe sipas formës së lojtarëve të tjerë apo dëmtimeve. Nëse kujtojmë sezonin e shkuar, Asllani ishte zëvendësi i dytë dhe pse luajti në 29 ndeshje, koleksionoi vetëm 859 minuta, shumë pak për shpresat që zikaltërit kanë te cilësitë e mesfushorit të kombëtares shqiptare.

Forma e mirë me Shqipërinë ka bërë që te Interi të mendohen sërish për t'i gjetur hapësira një talenti si elbasanasi, që është "xhevahiri" i radhës në Serie A. Kështu, nga shitja e Brozovic, Interi do përfitojë investimin te Frattesi i Sassuolos dhe krijimi i hapësirave për minutat më të shumta të Asllanit.

I blerë 14 milionë euro sezonin e shkuar nga Empoli (+2 milionë euro bonus), Asllani shihet si e ardhmja e zikaltërve në mesin e fushës dhe në rolin e fantazistit, teksa është vetëm 21 vjeç dhe të gjithë në Itali e quajnë "braziliani", për vetë mënyrën dhe lojën krijuese në fushë.

Kjo do të thotë se Kristjan Asllani mund t’i kalojë pushimet e verës i qetë, pa u turbulluar edhe nga zërat e mundshëm të merkatos, duke qenë se Interi nuk ka ndërmend që ta huazojë askund, por edhe vetë 21- vjeçari nuk kërkon të largohet nga Interi.

S.Dh//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?