Kriza e opozitës/ Përçarja PD-LSI, ja 9 mosmarrëveshjet gjatë aleancës së dytë

9 Gusht 2019, 07:34| Përditesimi: 9 Gusht 2019, 12:27

  • Share

TIRANË- Krahas konfliktit institucional Presidencë-qeveri si dhe raporteve të polarizuara mes opozitës dhe mazhorancës, një konflikt i ri po përvijohej javët e fundit brenda kampit të opozitës. Dekreti i Presidentit Ilir Meta për zhvillimin e zgjedhjeve në 13 tetor, dekret i cili gjithsesi nuk njihet nga institucionet shqiptare dhe ndërkombëtarët, ka tensionuar raportet mes Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim. PD dhe LSI, të bashkuara në një aleancë në fund të vitit 2017, me qëllim bashkimin e forcave për të ardhur në pushtet, ndajnë qëndrimet të kundërta për 13 tetorin. LSI kërkon zgjedhje lokale pa kushte në 13 tetor, ndërsa kryetari i PD Lulzim Basha nuk e njeh këtë datë, duke kërkuar zgjedhje lokale dhe parlamentare të parakohshme, pa Edi Ramën kryeministër. Ndryshe nga PD-ja, LSI-ja ka hequr dorë nga kushtet për zgjedhje të parakohshme dhe largimin e Ramës, kushte të cilat gjithsesi janë konsideruar ta papranueshme jo vetëm nga vetë shumica, por edhe nga SHBA-BE. Injorimi i 13 tetorit nga Basha duket se është konsideruar si akt pabesie nga LSI, ndonëse ditën e hënë PD bëri një deklaratë formale, duke i bërë thirrje të përgatiste zgjedhjet e 13 tetorit, por duke refuzuar në të njëjtën kohë për t’u regjistruar në zgjedhje. Në këtë klimë mosmarrëveshjesh Presidenti Ilir Meta ka nisur sulmet në adresë të Lulzim Bashës. Disa ditë më parë Meta ironizoi pretendimin e Bashës se me 30 qershor fituan 85% të zgjedhësve që nuk morën pjesë në zgjedhje. Meta tha se sikur të kishte vetëm 1/4 të 85% do kishte arritur një fitore reale. Ndërsa ditën e djeshme, Meta akuzoi Bashën si bashkëfajtor për bojkotimin e zgjedhjeve të 13 tetorit.

2. Përplasja për 30 qershorin   

Dekreti i Metës për zgjedhjet e 13 tetorit nuk është mosmarrëveshja e parë mes PD dhe LSI. Kryetarët e bashkive, përfaqësues të Lëvizjes Socialiste për Integrim, nuk iu bashkuan aksionit të kryebashkiakëve të PD dhe stafeve të tyre, për të sulmuar Komisionet Zonale të Administrimit të Zgjedhjeve, ku ruheshin një pjesë e materialeve zgjedhore. Sulme ndaj KZAZ-ve u shënuan vetëm në ato bashki që drejtoheshin nga përfaqësuesit e PD. Për pasojë u proceduan dhe përfunduan në pranga vetëm përfaqësues të PD. Madje, Monika Kryemadhi u distancua dhe dënoi publikisht dhunën. Edhe gjatë ditës së zgjedhjeve të 30 qershorit vetëm përfaqësues të PD u bënë protagonistë në konsumimin e vlerave penale në lidhje me zgjedhjet.  

3. Dorëzimi i bashkive

Ndryshe nga kryebashkiakët e PD, përfaqësuesit e LSI nuk bënë rezistencë për dorëzimin e detyrës tek të zgjedhurit e rinj në 30 qershor. Ndërsa kryetarët e PD përbetoheshin se nuk do të lëshonin zyrat dhe angazhuan punonjësit për të protestuar, në Bulqizë, i zgjedhur katër vite më parë nga radhët e LSI-së, i ka dorëzuar detyrën nipit që u zgjodh nga PS-ja në 30 Qershor, pa asnjë rezistencë, madje me buzëqeshje dhe përqafime. Edhe i zgjedhuri i LSI në krye të Bashkisë së Delvinës Rigels Balili dorëzoi pa rezistencë detyrën tek kryebashkiakja e re, Majlinda Qilimi. Gjithashtu, edhe përfaqësuesit e tjerë të LSI e kanë dorëzuar detyrën pa rezistencë, pa thyerje dyersh dhe protesta.

4. Djegia e mandateve

Lëvizja Socialiste për Integrim kundërshtoi për disa muaj me radhë idenë e Sali Berishës për djegien e mandateve të përfaqësimit në Parlament, si një taktikë politike për të shkurtuar rrugën e rikthimit në pushtet, por që rezultoi rrënuese për opozitën. Madje në dhjetor të 2018, kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi deklaroi se “Unë mandatin e kam fituar me gjak, Rama s'ma heq dot se e djeg unë me kuç e maç", duke u pozicionuar hapur kundër djegies së mandateve. Por, Berisha dhe Basha arritën ta bindnin LSI në shkurt të 2019 për të djegur mandatet. Deputeti i LSI, Lefter Koka, i cili nuk pranoi të digjte mandatin, tha se “LSI po tërhiqet zvarrë nga Sali Berisha”.

5. Në tryezë me Ramën

Ndryshe nga Lulzim Basha, disa ditë më parë, nënkryetar i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili u shpreh pro uljen në tryezën e dialogut me Ramën kryeministër. “Edi Rama është kryetar i Partisë Socialiste dhe kriza do të zgjidhet mes opozitës dhe PS-së. Unë shpreh vullnetin tim që zgjidhja të marrë fund sepse pasojat e krizës i vuan Shqipëria dhe ekonomia e saj. Duhet rikthim i shtetit ligjor. Kriza e zgjatur del jashtë kontrollit dhe të dëmtuarit janë gjithmonë qytetarët”, u shpreh Vasili.

6. Në zgjedhje me Ramën

“Jo zgjedhje me Edi Ramën kryeministër”. Ky është slogani kryesor i Partisë Demokratike. Por, Lëvizja Socialiste për Integrim ka një tjetër qëndrim. Sipas kryetares së LSI, Monika Kryemadhi: “Unë me Edi Ramën nuk kam frikë të shkoj në zgjedhje. Unë si Monikë, jo. Unë them Rama të rrijë kryeministër, sepse vetëm një njeri si Edi Rama mund ti bëj bashkë shqiptarët që ta rrëzojnë me vote”.

7. Dhuna në Parlament

Para bojkotit të Kuvendit dhe djegies së mandateve, PD dhe LSI nuk kanë qenë të unifikuara sa i takon strategjisë në Parlament. Me përjashtim të seancës kur u zgjodh Arta Marku kryeprokurore e përkohshme, në seanca e tjera të karakterizuara nga dhuna dhe rrëmuja, protagoniste ka qenë vetëm PD-ja. Madje, në seancën e 21 qershorit 2018, Luan Rama i LSI u acarua me Bashën, i cili kishte pushtuar foltoren e Kuvendit. “Lirojeni foltoren siç mund të flitet në një parlament normal. Ju lutem jemi këtu për të demonstruar që parlamenti është institucion, çdo sjellje tjetër që cënon kodin e etikës nuk mund të vazhdojë më tej. Jemi përballë vendimit historik që do të mbahet në 28 qershor. Ka disa javë me radhë që ky kuvend është pushtuar nga formalizmi”.

8. Dosja ‘Babalja’

Lëvizja Socialiste për Integrim u shfaq e tërhequr, madje edhe u distancua nga dosja ‘Babalja’, një prej kauzave kryesore të PD gjatë vitit 2018 kudër qeverisë Rama dhe sidomos Fatmir Xhafajt, në atë kohë ministër i Brendshëm. Madje, LSI nuk iu bashkua një proteste të thirrur nga Basha kundër Fatmir Xhafajt. Në atë kohë, kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi, tha se e keqja e më e madhe ishte Rama dhe jo Xhafaj. “Unë nuk mendoj që kjo çështje është më e rëndësishmja, e as e keqja më e madhe në tërësinë e këtyre zullumeve. Unë mendoj që këto janë paketë, me ikjen e Ramës. Shqipëria duhet të hapë negociatat, qofshin këto edhe me kushte shumë të rënda”, tha Kryemadhi. Ndërsa Luan Rama ka pranuar se video-përgjimi ishte një aksion i PD-së dhe se LSI nuk ishte e bindur nëse video-përgjimi është i vërtetë apo një sajesë e PD-së. “Përgjimi është aksion i PD-së. Po, është një aksion i Partisë Demokratike. Çështja është se ky aksion i PD, është një sajesë, apo jo? Si ngjarje kjo nuk është e re për median dhe publikun, unë kam qenë ministër i Mbrojtjes në atë kohë kur ka dal ky problem dhe është e vërtetë që Xhafaj në atë kohë ka kërkuar dorëheqjen te Majko”, tha Luan Rama.

9. Reforma zgjedhore

Konflikti më i mprehtë dhe serioz mes PD dhe LSI ka të bëjë me reformën zgjedhore. Partia Demokratike nuk ka mbështetur kurrë një nga kërkesat themelore të LSI dhe partive të tjera të vogla për reformën zgjedhore. Kërkesa e tyre ka të bëjë me implementimin e korrektimit kombëtar të votave. Propozim parashikon rritjen e përfaqësimin e partive të vogla në Parlament, duke dobësuar në të njëjtën kohë pozitat e dy partive të mëdha. Korrektimin kombëtar parashikon që votat e parive të vogla nuk shkojnë për të dy partitë e mëdha, por mblidhen në të gjitha zonat dhe prodhojnë mandat. Me sistemin aktual, nëse një parti ka vetëm një votë më pak se sa numri i domosdoshëm për të prodhuar një mandat, të gjitha votat shkojnë për partinë e madhe në koalicion ose për partinë që merr më shumë vota. Në vjeshtën e vitit 2018, Partia Demokratike hartoi një platformë për reformën zgjedhore, por nuk e përfshiu një propozim të tillë. I pyetur për këtë çështje, Lulzim Basha u shpreh në atë kohë se nuk ishte koha për të diskutuar për ndryshimin e sistemit. Sipas Bashës, pasi të zgjidhjen çështjet e tjera parashtruara përmes platformës, mund të hapet diskutimi për sistemin. Në fakt, më vonë, Basha ka folur për ndryshimin e sistemit dhe shumë çështje të tjera që kanë të bëjnë me reformën zgjedhore, por pa përmendur kërkesën e LSI për korrektimin kombëtar.

Konflikti

Krahas konfliktit institucional Presidencës-qeveri si dhe raporteve të polarizuara në ekstrem mes opozitës dhe mazhorancës, një konflikt i ri po përvijohej javët e fundit brenda kampit të opozitës.

Përplasjet

Dekreti i Metës për zgjedhjet e 13 tetorit nuk është mosmarrëveshja e parë mes PD dhe LSI. LSI ishte në fillim kundër djegies së mandateve dhe nuk iu bashkua sulmit të PD kundër KZAZ-ve.

//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Lalka i Radanecit: 09/08/2019 21:53

    Kockat hengshin PD dhe LSI e hengshin ate qe lagja Kullehiri derdh ne Dunavec

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?