Kryeministri shqiptar Edi Rama është i ftuari special në panairin e librit në Torino si autor i librit “Kurban”-”Il sacrificio”, që është përkthyer këtë vit në Itali. “E gjithë kjo në një ditë” është tema zyrtare e edicionit të 31-të të Panairit Ndërkombëtar të Librit të Torinos që ka nisur më 10 maj dhe do të vijojë deri më 14 maj.
“Një temë që hap shpresë, të ardhme, liri, në një situatë që nuk është veçanërisht e favorshme për vendin tonë dhe për industrinë kulturore.”, shkruhet në faqen zyrtare të këtij panairi, ku bëhet me dije se cilët do të jenë pjesëmarrësit më të rëndësishëm dhe risitë e këtij panairi.
“Do të ketë shumë risi në prurjet e këtij panairi dhe emra të njohur. Një nga këto do të jetë prezantimi i librit të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama "Kurban / Il sacrificio, që do të mbahet a do të mbahet e diel më 13 maj, ora 10.30 në Sallën e Blue të Pavijonit 2. Një diskutim me autorin, Vittorio Sgarbi.”, shkruan Overia Mannelli.
Takimi i së dielës në orën 10:30, në Sallën “Blu”, në hapësirat e Panairit të Librit në Torino, do të bëhet me temën “La mia Tirana”-”Tirana ime”, kryeministri shqiptar Edi Rama do të jetë pjesë e seksionit “Scrittori dal mondo”, i cili mbledh figura të shquara të letërsisë botërore. Mësojmë se Kryeministri Rama do të pozicionohet në seksionin që titullohet “Aktualiteti dhe politika”.
I gjendur mes artit dhe politikës, pikturës, pasionit për të shkruar dhe karrierës politike, Rama do të ndajë me të pranishmit këtë eksperiencë. Por siç njoftojnë organizatorët e Panairit të Torinos, bëhet fjalë për një diskutim shumë të zgjeruar ku “si autor i një autobiografie mbi eksperiencën e tij publike, Kryeministri shqiptar, dikur edhe kryetar i Bashkisë së Tiranës, reflekton mbi rëndësinë e marrëdhënieve të mira politike, diplomatike dhe ekonomike mes Italisë dhe Shqipërisë”.
Në krah të Ramës do të jetë kritiku i artit, shkrimtari dhe politikani i njohur italian, Vittorio Sgarbi. Duket se të dy personalitete do t’iu japin grintën lajmeve të edicionit të 31-të të panairit të librit në Torino, ku prite të ketë debate dhe batuta sensitive.
Ndërsa parathënia e librit të Kryeministrit në italisht është shkruar nga Daria Bignard dhe në kopertinën e tij lexohet: “Ishte viti 2000, Tirana nuk ishte aspak ajo që është sot”. Ndërsa në hyrje të librit shkruhet se: “Ky libër që duket sikur është shkruar për të kaluarën e Edi Ramës si kryetar i Bashkisë së Tiranës, në të vërtetë i drejtohet së ardhmes. Tek riprodhon një Shqipëri që degradon çdo ditë e më shumë, ai e godet mu në zemër vuajtjen tonë dhe duket sikur thotë: unë s”do ta bëja kështu”, Libri ‘Kurban’ u botua në vitin 2011, kur Rama humbi zgjedhjet për Bashkinë e Tiranës. Rezultati ishte shumë i ngushtë. Në numërimin e parë, Rama ishte para kundërshtarit me vetëm 9 vota.
Më pas Partia Demokratike bëri një ankesë për rinumërimin e votave të pavlefshme… Rama vendosi të shkruajë dëshminë e situatës në Shqipëri duke përballur vizionin e tij në modernizimin e Tiranës dhe Shqipërisë me Berishën autoritar”. Rama ka bërë disa promovime të këtij libri brenda dhe jashtë vendit. Në këtë panair janë ftuar edhe dy autorë të tjerë nga Shqipëria Ylljet Aliçka dhe Ben Blushi.
Panairit të Torinos i bashkohet kultura e komunave kalabreze
Panairi i librit në Torino ka nisur të enjten me prezantimin e romanit të ri të autorit Mark Ciriello “Një nga këto ditë” dhe ka vijuar më autorë të tjerë të njohur italianë e të huaj. Librat dhe autorët pjesëmarrës që përfaqësojnë botën e letërsisë, medias, biznesit dhe politikës, ku në seksione të veccanta pritet të diskutohen temat më të mprehta të aktualitetit mbarëkombëtar.
Ngjarjet e këtij panairi do të organizohen në bashkëpunim me rajonin e Kalabrisë, ku përveç autorëve do të lihet një hapësirë e mjaftueshme për kulturën dhe historinë e këtij rajoni, "Cine Tour Kalabri" nga Maurizio Paparazzo dhe John Scarfo, që është një udhëzues për filmat e Kalabrisë.
Në një kontekst të tillë nuk mund të anashkalohej në kalendarin e pasur të ngjarjeve të këtij panairi mendimtari më i famshëm RUBBETTINO që ka gjetur hapësirën për të prezantuar edhe festivalin "Sciabaca, udhëtimi dhe kulturat mesdhetare", të organizuar nga një shtëpi botuese kalabreze, ku bëhet fjalë për vendbanimet dhe kulturat e jetesës në “komunën kalabreze”
Panairi i Torinos, pjesëmarrës nga Shqipëria edhe 5 autorë të rinj
“Histori shqiptare”, titullohet një nga seksionet e tjera të këtij panairi ku do të përfaqësohen edhe të rinjtë nga Shqipëria. Ministria e Kulturës njofton se në Torino do të prezantohet edhe krijimtaria e autorëve të rinj: “Në bashkëpunim me Departamentin e Kulturës së Rajonin të Pulias, me Fondacionin Gramsci dhe Qendrën Shqiptare të Torinos organizojnë prezantimin në Sallonin Ndërkombëtar të Librit në Torino të pesë autorëve të rinj nga Shqipëria, fitues të projekti “Fondi për mbështetje të krijimtarisë letrare, 2017” të mbështetur nga Ministria e Kulturës.”
Pjesëmarrësit janë pjesë e një projekti që sipas institucionit shqiptar ka ndihmuar në realizimin e veprave dinjitoze të letërsisë shqipe është dhe ky është “Fondi në mbështetje të krijimtarisë letrare” përmes së cilit mbështeten autorët në procesin e tyre krijues.
“Në vijim të kësaj nisme Ministria e Kulturës në bashkëpunim me Rajonin e Pulias, me Fondacionin “Antonio Gramsci” dhe shtëpinë botuese “Salentobooks” do të organizojnë prezantimin e pesë autorëve të rinj nga Shqipëria në Salonin Ndërkombëtar të Librit në Torino. Është e para herë që hartohet një program i posaçëm për autorët e rinj, me qëllim përkthimin dhe botimin e veprave më të mira në gjuhën italiane. Projekti i titulluar “Albanian Storytelling” synon të shtrihet në kohë dhe të vende të ndryshme.”, shkruhet në njoftimin zyrtar të Ministrisë së Kulturës .