Kryesi e 're' me emra të vjetër

29 Maj 2022, 14:29| Përditesimi: 29 Maj 2022, 14:35

  • Share

Ajo ç’ka u konstatua në përzgjedhjen me votimin “elektronik” për zgjedhjen e emrave të kryesisë së re të Partisë Demokratike (në seli), ishte fakti se atje u rikthyen emrat e vjetër. U rikthyen ata për të cilët Berisha thotë se “kanë kontribute të padiskutuara”, por nuk thotë se, edhe kanë abuzuar kur kanë qenë pjesë e pushtetit të tij. Këtë natyrisht nuk e thotë, por mbeti duke sulmuar me të drejtë apo të padrejtë ministrat e qeverisë Rama. Asnjëherë nuk mund të ecësh dhe shkosh përpara, në rast se nuk sheh vehten në “pasqyrë”, nuk bën bilancin e defekteve dhe skandaleve që ke patur dikur edhe ti, por merresh vazhdimisht me tjetrin dhe të sotmen e tij. Historia e kësaj Partie Demokratike, që po drejton nga selia Sali Berisha, nuk nisi sot.

Edhe ata që ai rikthehu në kryesi nuk erdhën sot nga Marsi, por kanë qenë atje në qeverisjen e tij, në kryesinë e tij të dikurshme, kanë shkelur dhe abuzuar me detyrën, ndaj dhe ikën. Por ai, “lideri historik” i rikthehu në parti, dhe ka vendosur që me emrat e “rinj” të sigurojë paprekshmërinë e shefit të partisë dhe avokatinë ndaj çdo “rastësie”që mund ti vijë nga SPAK-u apo gjetkë. Në dukej, Sali Berisha po u mbush mëndjen të vetëve se “arritëm të ringjallim opozitën, arritëm të riorganizojmë partinë”, por nuk mund tu thotë atyre kurrë të vërtetën e argumentuar se, përse asnjë ambasador nuk e uroi, përse asnjë ambasador nuk e takoi, për ti uruar postin e ri. Kjo për 1001 arsye, por më kryesorja mbetet fakti se, Sali Berisha nuk e ka kuptuar akoma se në jetën politike, ka një kufi, ka një “vijë të kuqe” të cilën nuk mund ta shkelësh kur të duash.

Në demokraci, nuk mund të ikësh dhe rikthehesh kur të duash, nuk mund të largohesh dhe pastaj të kërkosh sërish “dua të bëhem edhe njëherë mbret”. Demokracia ka rregullat e saj të patolerueshme, dhe nuk ngjet fare me diktaturën, ku Sekretari Parë, vjen dhe shkon  në postin e tij, si ta mendojë dhe si ta gjykojë  ai. Në demokraci ka forume, dhe nuk ka “sekretariate të partisë” as edhe “byro politike” që mund ti manipulosh me një urdhër verbal. Shkurt, kryesia e “re” e Partisë Demokratike këtej e tutje do të duket si një “byro politike”, e cila do ti forcojë dhe hermetizojë postin kryetarit Berisha, por kurrë nuk do të arrijë të hapë partinë dhe  çlirojë  strukturat nga hija e tij. Problem tjetër mbetet, “pronësia” e asaj selie dhe  asaj partie. Problemet mes Berishës dhe Alibeajt, ende nuk janë zgjidhur përfundimisht nga gjykata. Mbetet kjo e fundit, që do të thotë fjalën e fundit, por gjithsesi ish-lideri historik e ka vendosur “nga selia vetëm me luftë dalim”, duke e ditur mirë se, Enkeledi dhe Gazi, “nuk kanë këllqe” të bëjnë atë që bëri  në 8 Janar Berisha.

Me nxitimin e tij për të rimarrë gjithçka, Berisha veçse e ka rrënuar atë parti, e cila nga sot e tutje, do të duhet të kullandriset mes vetes dhe atyre që akoma e mbështetin deri në zgjedhjet e reja. Ndoshta ato, do ti  vënë “vulën e madhe” ëndërrimeve të liderit historik, i cili  “rrëzimin e Ramës dhe rikthimin në pushtet” i ka të vetmin argument  për të qëndruar kryetar i asaj partie.

S.C/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Ervin Salianji dënohet me 1 vit burg për kallëzim të rremë, si e vlerësoni?