Socialistët dolën kundër dekretit të Presidentit Bajram Begaj, që 2 javë më parë, me një listë argumentesh kundër ligjit për inspektimet e ktheu për rishqyrtim në Kuvend.
Refuzimin e dekretit të Begajt i cili argumentonte se ligji i miratuar shkaktonte konfuzion, paqartësi dhe pasiguri, në komisionin e ligjeve e argumentuan me faktin se iniciativa ligjore vjen në kuadër të kërkesave të Bashkimit Evropian.
“Është nismë ligjore në kuadër edhe të kërkesave të BE, dhe na duhet për të përfituar nga plani i rritjes”, thotë Klotilda Bushka.
Por përfaqësuesi i Presidentit, Ilir Rusmajli sërish deklaroi se krahas paqartësisë, ky është një ligj i rrezikshëm që prek të paktën 69 ligje të tjera.
“Ky ligj është i rrezikshëm sepse prek 69 ligje të tjera”, shprehet Ilir Rusmajli.
Në mbështetje të Presidentit, doli i vetmi deputet i opozitës i pranishëm në Komision, Enkelejd Alibeaj që tha se përmes këtij dekreti, Begaj mbrojti me elegancë Kushtetutën.
“Ka gjetur kurajën profesionale politike dhe profesionale për ta kthyer ligjin. Presidenti sjellë një dekret të tillë, me elegancë për të mbrojtur kushtetues, nuk duhet që me një të rënë të lapsit ta lini presidentin në autobus. Tregojuni njerëzve që atë që e zgjodhët si prift, mos ja prisni mjekrën. Presidenti ka thënë një gjë fare të thjeshtë që cenohet siguria juridike, që biznesi të mos rrijë të mendoj sa herë do ndryshojnë ligjet”, thotë Enkelejd Alibeaj.
Ligji për inspektimin parashikon reformimin e inspektoriateve, duke i shkrirë ata në 8 në total si dhe synon të ulë ndjeshëm vizitat e papritura të inspektorëve në dyert e bizneseve.